E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish- koloneli, vret ish-gruan dhe veten

Skënder Meshi, 58 vjeç, ish- oficer ushtrie, i dha fund jetës së tij pasi kishte vrarë bashkëshorten me armë zjarri


Ngjarja për shkak se çifti prej kohësh nuk jetonte bashkë dhe ishte drejt divorcit në Gjykatë

TIRANË- Një çift bashkëshortësh që po shkonin drejt divorcit mbetën të vdekur në një tragjedi të rëndë dje në kryeqyte, pasi burri qëlloi mbi gruan e tij me të cilën kishte kohë që nuk jetonte, ndërsa prej kohësh ishte në gjendje të rëndë depresive.


Pas krimit të rëndë, burri qëlloi mbi veten e tij duke mbetur i vdekur, në lokalin ku ata kishin lënë të takoheshin për të pirë kafe ndërkohë duhej të bisedonin për procedurat e divorcit që bashkëshortja kishte nisur ndërsa bashkëshorti nuk e donte. Skënder Meshi, 58 vjeç, ish- oficer i Ushtrisë me gradën, kolonel aktualisht në rezervë, u identifikua nga policia si autori i ngjarjes ndërsa më pas ai vrau veten, duke qëlluar me pistoletë në kokë.


Ngjarja ndodhi dje gjatë paradites rreth orës 11:20, pranë ish- punishtes së pastave, në rrugën "Myrteza Topi", ku pas një debati të ashpër midis tyre, burri qëlloi për vdekje ish- gruan në kokë me armë zjarri pistoletë tip "TT", më pas në kushtet e tronditjes së rëndë psikike, qëllon dhe mbi veten, duke mbetur i vdekur në vend. Krimi ndodhi përpara ambienteve të një lokali, ku Skënder Meshi, 58 vjeç, ka qëlluar me armë zjarri pistoletë ish-bashkëshorten Dylbere Meshin, 56 vjeçe, dhe veten më pas .


Mësohet se të dy ata janë takuar dje gjatë orëve të paradites për të pirë kafe, por sapo janë ulur në lokal, pas një debati që ka zgjatur vetëm disa sekonda, ish- koloneli Meshi qëlloi me pistoletë në drejtim të ish- gruas dhe më pas veten. Me shpejtësi policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes, por gjithçka kishte marrë fund, për shkak se plagët e armës ishin vdekjeprurëse.


Menjëherë në në kryqëzimin e rrugës "Myrteza Topi" me "Siri Kodrën", mbërritën forca të shumta të policisë së Komisariatit nr.4, si dhe oficerët e zyrës së Hetimit të Vrasjeve në Policinë e Tiranës.


Për krimin e dyfishtë reagoi zyrtarisht edhe Policia e Tiranës, ku nëpërmjet një deklarate për shtyp, thuhet se ngjarja ka ndodhur në kushtet e një depresioni të rëndë, të 58- vjeçarit Skënder Meshi. Ky i fundit, sipas burimeve të policisë, prej kohësh ishte i sëmurë dhe vuante nga depresioni, që prej kohës kur ishte ndarë me bashkëshkëshorten.


Shkak për ngjarjen e djeshme mësohet se është bërë procesi i divoricit që gruaja dyshohet se kishte nisur me bashkëshortin.

Burimet e policisë pohuan se marrëdhëniet e tyre prej kohësh nuk kishin qenë të mira dhe se gruaja, vitin e kaluar ishte larguar nga Lezha kur jetonte me të dhe kishte mbërritur në Tiranë ku kishte nisur të jetonte me fëmijët. Ndërkaq, herë pas here sipas burimeve të policisë, Meshi kishte tentuar të rilidhej me bashkëshorten e tij.


Në të kundërt, ajo nuk ka pranuar dhe veprime të tilla kanë shkaktuar debate mes tyre, në mënyrë të përsëritur disa herë më parë. Në vendin e ngjarjes ekspertët kanë administruar armën e krimit, një pistoletët "TT", e cila, sipas burimeve të policisë nga verifikimet paraprake i përket autorit të ngjarjes.


Debati i çiftit zgjati pak sekonda


Dje dy ish- bashkëshortët janë takuar bashkë, por që në fillim të takimit midis tyre ka lindur një debat i ashpër, që më pas ka përfunduar me krimin e dyfishtë. Ata janë takuar në një lokal që ndodhet në rrugën "Myrteza Topi", për të pirë kafe dhe gjithë skema e krimit ka ndodhur edhe në prani të personave të tjerë.


Për të zbardhur krimin e rëndë u krijua një grup hetimor, i cili ka parë vendin e ngjarjes si dhe po heton rrethanat e ndodhjes së krimit, që përfundoi me vdekjen e ish- bashkëshortëve Meshi. Sipas burimeve të policisë, debati mes tyre ka ndodhur vetëm në pak sekonda dhe më pas gjithçka ka marrë fund, kur Skënderi tërhoqi këmbëzën.


Në vendin ku ndodhi vrasja dhe vetëvrasja, përveç forcave të shumta të policisë mbërritën edhe të afërm të viktimave, ndërkohë që zona pranë vendit të ngjarjes u mbush me njerëz kureshtarë. Uniformat blu të kryeqytetit shoqëruan në polici në cilësinë e dëshmitarëve disa persona që janë marrë në pyetje për ngjarjen e rëndë, për të zbardhur skemën e krimit. Ndërkohë, policia ka marrë edhe dëshmitë e të afërmeve të dy viktimave, të cilët janë pyetur për problemet që ka pasur ish- çifti Meshi.


Trupat e pa jetë të Skënder dhe Dylbere Meshit, pas krimit u dërguan në morg, ku do të kryhet ekspertiza mjeko-ligjore. Strukturat e hetimit të krimit në Policinë e Tiranës, në bashkëpunim me Prokurorinë, po hetojnë rrethanat dhe motivet e krimit të dyfishtë. Të afërm miq dhe të njohur të familjes, kanë folur me respekt për gruan ashtu edhe për bashkëshortin e saj, pavarësisht se marrëdhëniet e tyre kohët e fundit nuk kishin qenë të mira.


Vrasja e çiftit, shkakton dhimbje në Lezhë


Vrasja e dyfishtë ka tronditur edhe të njohur të familjes Meshi në qytetin Lezhës, ku ata kanë jetuar për vite të tëra. Ata kanë banuar për vite të tëra në lagjen "Skënderbeg" të qytetit, ndërsa fqinjët, janë shprehur të tronditur nga kjo tragjedi, ndërsa nuk iu besohet pasi çifti ka pasur marrëdhënie të mira, kur ata kanë jetuar në Lezhë.


Skënderi për një peridhë të caktuar është mjekuar në Tiranë, për shkak të depresionit nga i cili vuante prej kohësh, që nga koha e largimit të tij nga Ushtria.


Ish- kolegët e të ndjerës, në Këshillin e Qarkut, shprehen se Dylberja ka qënë një punonjëse korrekte, nënë e dashur dhe bashkëshorte e devotshme. Gjovalin Gjeloshi (nënkryetar i Këshillit të Qarkut) thotë: "Është një Ngjarje e dhimbshme dhe e papritur. Dylberja ka punuar 8 vite në administratën e Këshillit të Qarkut të Lezhës. Ka qënë nëpunëse korrekte, kolege e mirë, nënë shembullore dhe bashkëshorte e devotshme" Me të njëjtin respekt ai flet edhe bashkëshortin e saj.


Ata kishin marrëdhënie të mira bashkëshortore, dhe më duket ende e pabesueshme se si ndoshi kjo ngjarje,- thotë Gjeloshi, duke përfunduar fjalën e tij me një ngushëllim për familjen. Llesh Hila, ish-koleg i Dylberes thotë: Është një lajm tronditës për ne që e kemi patur kolege pune. Ndërsa në ish- zyren e Dylberes ishin mbledhur koleget e saja, të cilat po përjetonin këtë tragjedi, ndërsa nuk arrinin të artikulonin as edhe ngushëllimin për familjen.


Policia gjen një letër të autorit


Veç provave të gjetura në vendin e ngjarjes, policia ka administruar një letër të shkruar nga Skënder Meshi, edhe kjo e administruar në cilësinë e provave materiale nga hetuesit. Teksti i letrës sipas burimeve të policisë, është shkruar në gjendje të rënduar emocionale, nisur nga grafika dhe nga përmbajtja e saj.


Meshi, në letër shpreh keqardhjen për ndarjen e ndodhur. Duket se shkrimi i një letre më parë, i ka paraprirë vrasjes së ndodhur në qendër të kryeqytetit, kur ai 58- vjeçari i dha fund tragjikisht jetës së bashkëshortes dhe më pas vrau veten.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›