Danc dhe politikë në Teatrin Kombëtar
“Ne-Ku-Ndër” një shfaqje dac-teatër në formë, por teatër politik në përmbajtje ka mbushur sallën e Teatrit Kombëtar për dy net me radhë. Një shfaqje me një këndvështrim kritik ndaj realitetit të cilin një popull e ndërton me vullnetin e tij, por që vjen një ditë që gjithçka ka ndërtuar kthehet në boomerang për të për gjithë shoqërinë. Kështu e kishte konceptuar shfaqjen e tij koreografi Gjergj Prevazi. Personazhi kryesor në shfaqje interpretohet nga aktorja Ema Andrea dhe përfaqëson një intelektual idealist që duket se ka prerë të gjitha lidhjet me realitetin dhe në dy monologë pasqyra e tij është dobësia dhe pafuqia e shoqërisë civile. Personazhi përfaqësonte një intelektual idealist që përpiqet të kuptojë një realitet që i del kundër. Gjatë shfaqjes ndërthurej gjuha e trupit me gjuhën e folur, duke sjellë në këtë mënyrë shumë fenomene të shoqërisë shqiptare; herë direkt me anë të tekstit; herë indirekt, me ironi dhe sarkazëm me anë të lëvizjeve. Teksti i shfaqjes është shkruar nga publicisti dhe shkrimtari maqedonas Kim Mehmeti dhe Ema Andrea, ndërsa lëvizjet e Gjergj Prevazit u sollën në skenë nga balerinët Linda Shllaku, Sueda Hoxha, Elton Cefa, Mateo Nushi, Aledia Kondaj, Klaudia Zaçe, Labinot Rexhepi, Ardit Logu dhe Elona Zyberi, të cilët performuan nën muzikën e Hugues le Bars, Teo Paoli, Scorpions etj. “Ne-Ku-Ndër” përpiqet të sjellë realitetin e shoqërisë shqiptare sot, ku me anë të fjalës dhe lëvizjeve prekeshin disa fenomene, dukuri dhe plagë të shoqërisë sonë, të cilat i shohim e i prekim në çdo ditë të jetës sonë të përditshme, si korrupsioni, dhuna fizike dhe verbale, papunësia etj., pra jemi ne-ku-ndër vetvetes. Por dhe ndikimi i madh që politika ka në jetën e gjithsecilit më shumë se dhe mungesa e nevojave jetësore apo problemet e ndryshme sociale. Gjithçka ka më pak rëndësi se politika për ne. Dhe si për ironi të fatit kthejmë kokën dhe kërkojmë cilësinë e jetës jashtë vendit tonë, jashtë nesh. E për këtë kanë mjaftuar dy monologë të shkruar nga Kim Mehmeti, për të përcjellë te publiku idenë e koreografit Prevazi për një teatër politik, por dhe çështjen e kundërshtive, por dhe ndërthurjen e mentaliteteve mes brezave. Mbi këto tematika të sjella përmes monologut të Ema Andreas ndërtohej edhe shfaqja dac-teatër “Ne-Ku-Ndër”, ku autori vetë mban një qëndrim kritik herë e thënë drejtpërsëdrejti, herë me ironi e herë me metaforë, por që tek publiku gjithçka përcillej artistikisht.