Dance Challenge zbulon talentet
Të përgatitur nga mësuesja e muzikës Afërdita Harka dhe nga balerina Fioralba Kyçyku, nxënësit e shkollës Kongresi i Lushnjes fituan të dielën në mbrëmje çmimin e parë në konkursin Dance Challenge. Konkursi u zhvillua në skenën e madhe të Universitetit të Arteve. Për herë të parë, Klejda Brahimllari, Elisa Troçi, Dejvi Nikolla, Eno Hana, Donald Shina, Enzo Ndreka, Enxhi Osamanaj, Florian Sulejamni, Mario Guri, Ina Kalaja, do të përfaqësojnë Shqipërinë më 15 korrik në Dance Challenge në Londër. Konkursi përbëhej nga dy kategori dhe pjesëmarrës në të ishin pothuajse nxënës të të gjitha shkollave 9-vjeçare të Tiranës.
Në kategorinë e parë ishin tri grupe dhe përfshiheshin fëmijët 5-11 vjeç, përkatësisht, Millenium A, Millenium B dhe Skënder Luarasi. Ndërsa në kategorinë e dytë bënin pjesë fëmijët 11-16 vjeç nga shkollat Ali Demi, Edith Durham, Hasan Prishtina, Kol Jakova, Konferenca e Pezës, Kongresi i Lushnjes, 1 Maji etj.. Fëmijët sollën në skenë kërcime të ndryshme, që nga ato tradicionale të Shqipërisë së mesme, të veriut dhe ato moderne. Gjatë shfaqjes pati dhe duete përshëndetëse nga balerinët e Shkollës së Baletit Adela Lami, Elis Lazi apo pjesë në piano nga pianistja Marinela Cingo. Pjesëtarët e jurisë që vlerësuan këta fëmijë ishin koreografët Kozeta Bakiu, Donald Martini, Gjergj Prevazi dhe balerini i fuar nga Italia Kladi Kadiu.
Ndërsa organizatori i projektit Dance Challenge ishte Tomorr Kokona. I rikthyer në Shqipëri mbas 22 vjetësh solli për herë të parë këtë aktivitet për fëmijët. Qëllimi i konkursit është që të punohet me balerinë të shkollave normale të Tiranës, dhe jo balerin profesionistë nga shkollat e baletit. Koreografi Gjergj Prevazi tha se brezi i ri duhet të mësojë për të trashëguar jo vetëm vallëzimet shqiptare, por dhe ato moderne sepse në këtë mënyrë mund të ndihen të barabartë mes gjithë grupeve që do të marrin pjesë në Londër.
Sipas tij të gjithë fëmijët duhet të jetojnë si shqiptarë dhe të kërcejnë e mendojnë si europianë. Në fund me ndarjen e çmimeve të gjitha shkollat u pajisën dhe me nga një certifikatë pjesëmarrëse. Ndërsa disa shkolla u vlerësuan me çmim inkurajues. Kategoria e fëmijëve Millenium B, mori çmimin e parë, të dytin Millenium A, dhe të tretin Skëndër Luarasi. Çmimin e dytë për kategorinë 11-16 vjeç e fituan fëmijët e shkollës Barjam Curri dhe të tretin nxënësit e shkollës Skëndër Çaçi. Ky aktivitet u mbështet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Shkolla Kombëtare e Baletit dhe Drejtoria Arsimore Rajonale e Tiranës.
Dance Challenge është një konkurs ndërkombëtar për kërcimin që zhvillohet në Londër. U formua në vitin 2005 nga një grup artistësh dhe udhëheqësish që përfaqësojnë të gjitha vendet e botës. Ky konkurs u jep mundësin koreografëve, mësuesve, dhe balerinëve të rinj të sjellin punët dhe kërcimet e tyre më të mira. Qëllimi parësor i këtij konkursi është të bëj art cilësor dhe të arritshëm nga të gjithë. Në të mund të marrin pjesë balerinë 5-25 vjeç. Dhe këta vallëtarë të rinj inspirohen që ta bëjnë këtë punë në mënyrë cilësore dhe pa stres. / Valeria Dedaj