Danimarka, jo familjarët në Katar

Lojtarët e kombëtares së Danimarkës nuk do t’i marrin familjet e tyre me vete në Katar, gjatë qëndrimit atje për Botërorin e Futbollit. Një vendim ky që vjen në përputhje me qëndrimin që ka mbajtur prej disa kohësh Federata Daneze e Futbollit për çështjen e mungesës së respektimit të të drejtave të njeriut në vendin që do të organizojë turneun.
Federata ka vendosur që të dërgojë sa më pak persona në Katar në mënyrë që të kontribuojë sa më pak nga ana financiare në favor të Katarit. “Ne nuk duam të kontribuojmë në fitimet e Katarit dhe për këtë arsye kemi reduktuar sa më shumë numrin e personave që do të udhëtojnë atje, gjatë ditëve të Botërorit të Futbollit”, – ka deklaruar Federata për gazetën daneze “Ekstra Bladet”.
Ditët e fundit Danimarka ka prezantuar fanellat që lojtarët do të veshin në Botëror, në të cilat do të jenë të pranishme një sërë mesazhesh në favor të respektimit të të drejtave të njeriut.