E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

FIA shtyn për të hënën vendimin

Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit (FIA) e ka shtyrë deri të hënën lëshimin e certifikatave sa i përket kufizimit të shpenzimeve në Formula 1, për shkak të një “procesi të gjatë dhe të ndërlikuar që ende nuk ka përfunduar. Pas zërave që u përhapën gjatë fundjavës së Çmimit të Madh të Singaporit se dy skuadra, “Red Bull”-i dhe “Aston Martin”-i mund të kenë shkelur kufirin e lejuar të 145 milionë dollarëve për vitin 2021, bota e Formulës 1 ishte gjithë sy e veshë nga ajo që do të konkludonte organizmi që qeveris automobilizmin botëror.

FIA supozohej, pas një auditimi të plotë, të lëshonte të mërkurën certifikatat e vlefshmërisë për skuadrat që kishin respektuar kufirin e 145 milionë dollarëve. Por, në një deklaratë të lëshuar të mërkurën në mbrëmje, FIA bëri të ditur se certifikatat nuk do të shpërndahen deri javën e ardhshme.

“Analiza e bilanceve financiare është  procesi të gjatë dhe të ndërlikuar që ende nuk ka përfunduar dhe do të përmbyllet me shpërndarjen e Certifikatave të hënën, më 10 tetor”, – thuhej ndër të tjera në deklaratën e FIA-s, çka nënkupton se polemikat do të vijojnë të shtohen edhe gjatë fundjavës së garës së ardhshme, Çmimit të Madh të Japonisë.

Si skuadra e “Red Bull”-it, edhe ajo e “Aston Martin”-it mohojnë ta kenë shkelur kufirin e 145 milionë dollarëve vitin e shkuar, ndërsa skuadrat rivale, sidomos “Ferrari” dhe “Mercedes”-i kanë bërë thirrje për ndëshkime të ashpra nëse kjo vërtetohet.

Çdo skuadër që vërtetohet e ka shkelur me më pak se 5 %, apo 7 milionë dollarë kufirin e vënë për vitin 2021, do të cilësohej se kishte kryer një shkelje të lehtë dhe do të ndëshkohej me masa që luhaten nga tërheqje vërejtje e deri me heqje pikësh. Por një shkelje përtej 5% cilësohet si dëm material dhe mund të ndëshkohet me përjashtim nga Botërori, ulje pikësh, reduktimi të kufirit të shpenzimeve apo kufizim të testimeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›