E Shtunë, 31 Tetor 2026

Danimarka mbeshtet integrimin e Shqiperise ne BE

Danimarka mbështet Shqipërinë në rrugën e saj të integrimit europian. Pas takimit në Tiranë me zonjën Jozefina Topalli, kryetari i parlamentit danez,  Mogens Lykketoft tha se zgjerimi i BE-së me vende të rajonit të Ballkanit Perëndimor kishte qenë pjesë e rëndësishme e diskutimeve mes tyre. “Patëm një diskutim shumë të suksesshëm dhe shumë të mirë me zonjën Topalli, të çështjeve të një rëndësie të përbashkët, çështje që kanë të bëjnë me zgjerimin e Bashkimit Europian dhe çështje që kanë të bëjnë me rritjen ë bashkëpunimit dhe rritjen e zhvillimit të Ballkanit Perëndimor në mënyrë që ky rajon të bëhet pjesë e BE. Diskutuam po ashtu çështje me interes të  posaçëm opër shqipërinë në mënyrë që ajo të integrohet plotësisht më tej në mënyrë që të vazhdojë përpjekjet e saj në procesin e statusit kandidat”, vuri në dukje Lykketoft. Kryeparlamentarja shqiptare e nderuar dhe e emocionuar nga kjo vizitë e nivelit të lartë, në prag të festimeve te 100 vjetorit të pavarësisë dhe pak pasi Komisioni Europian rekomandoi dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, tha se po kërkon mbështetje nga vendet anëtare të BE, sigurisht pasi ne parlamentin shqiptar të jenë miratuar kriteret e mbetura ende pa plotësuar. 
“Kjo është vizita e parë e një kryeparlamentari të Danimarkës, e këtij vendi që ka mbështetur dhe do të vijojë të mbështesë Shqipërinë në procesin integrues. Njëkohësisht Danimarka ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm dhe për Kosovën. E vlerësoj shumë të rëndësishme vizitën e zotit Lykketoft, vizitë kjo në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë”, u shpreh Topalli.
Kryetari i Parlamentit të Danimarkës, Mogens Lykketoft ndodhet për një vizitë dy ditore në Tiranë me ftesë të Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli.
Në ditën e dytë të vizitës së tij zyrtare, Kryetari i Parlamentit të Danimarkës, z.Lykketoft do të zhvillojë takime me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, z.Bujar Nishani, me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, z.Sali Berisha si dhe me Ministrin e Punëve të Jashtme, z.Edmond Panariti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›