E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Dardharja” e Zajmit, një histori e vërtetë ngritur në art

10/01/2012  Piktori Nexhmedin Zajmi ishte si një libër arti i hapur e shëtitës. Të fuste në botën dhe magjinë e artit, duke u bërë një bashkudhëtar i këndshëm, vëzhgues i hollë i vlerave dhe bashkëbisedues i mprehtë në vlerësimet që jepte.

Kujtesën e kishte të plotë dhe me kalimin e moshës ndodhitë e jetës, duke i treguar e ritreguar, kishin marrë një formë letrare, ishin kthyer në tregime e rrëfime të mirëfillta, krijonin një grishje magjepsëse, mikluese dhe herë-herë zhdukej kufiri ndërmjet ndodhisë së të rrëfyerit dhe realitetit.

Shpesh artisti shkonte në Galerinë e Arteve, qëndronte aty për kohë të gjatë duke kundruar tablotë. I merrte veprat me radhë e, ndonëse i kishte parë shumë herë, ndalej para tyre e humbiste në to. I ngjante kjo një vizite në kohë, ku ai takonte vetveten dhe miqtë artistë, vendet ku së bashku me ta kishte qëndruar kohë të gjatë, ku kishte hedhur ndonjë peizazh apo kishte ngritur ndonjë kompozim. Gati një gjysmë shekulli me penel e paletë në dorë e nuk kishte lënë vend të Shqipërisë pa bredhur e pikturuar. Sikur bisedonte me tablotë në një monolog të brendshëm dhe sapo gjente ndokënd që ta dëgjonte, do të niste rrëfimet plot ngjyrime e domethënie. “Në historinë e artit, - thoshte, - do të shikosh se që të gjitha portretet e piktorëve të mëdhenj, të atyre që kanë bërë historinë e artit, nuk janë figura të njohura, por njerëz të zakonshëm. Tek ata artistët kanë zbuluar botën e madhe të njeriut, shpirtin dhe personalitetin. Kështu edhe te një lypës apo te një fshatar, apo një i panjohur gjen shumë, ndërsa te figurat e njohura nuk ke se çfarë të kapësh, është vështirë t’i nxjerrësh botën përgjithësuese të njeriut si qenie e madhe...”

Në Galerinë e Artit në “murin” e Zajmit, aty në vitet ’80 u shtua edhe një vepër e re titulluar “Vajza me kostum kombëtar”, apo siç e quan piktori, “Dardharja”. Tabloja ka një kornizë shumë të bukur, të endur me ornamente me vezullime të florinjta, siç janë kornizat e vjetra klasike. Portreti është i realizuar në thellësi, i bukur, me një buzëqeshje shumë të ëmbël në buzët e holla, të kuqe. Kostumi harmonizohet bukur me trupin si lastar të vajzës. Vepra të krijon një ndjenjë çliruese në gjetjet plastike e koloret tonale të hedhura me mjeshtëri, në zbulimin e personazhit në një gjetje të veçantë. Buzëqeshja është jo vetëm e ëmbël, por dhe mikpritëse, nën flokët e artë të mbledhur me shami.

Një ditë dola nga Galeria dhe ia mbajta nga studio e Zajmit. Kur hyra piktori po merrej me rregullimin e një kornizeje, në të cilën do të vendoste një natyrë të qetë, që sapo e kishte përfunduar. Punonte ngadalë, ndalonte e mbushej me frymë, ngulte gozhdët me një çekiç të vogël e pastaj i ngjiste me vinovil.

“Isha nga Galeria dhe pashë “Dardharen”. Qëndronte bukur...”

Piktori la punën e më vështroi me sytë që i shkëlqyen nga gëzimi e ia bëri.

“Ashtu ë...?! Qëndronte bukur “Dardharja” ? Po korniza si t’u duk ?”

“E bukur shumë. Diç të veçantë ndjehet në të.”

“He... he… e ngre kokën unë – ma ktheu, - por vallë vepra ime a më le të ngre kokën ? Arti është i vështirë, nuk do ngrefosje. Ai të thotë - dale të shohim njëherë se ç’ke bërë, mos na u mburr e mos na u mbaj me kaq të madh !”

“Dardharja” ka edhe ajo historinë e saj, ashtu si të gjitha tablotë e tjera... Dëgjo tani të të tregoj se si ështe krijuar ajo.”

Zajmi e përfundoi rregullimin e kornizës, e mbështeti atë pas karriges dhe pasi u ul në njerën prej karrigeve më afroi mua një tjetër e nisi të thotë:

“Andej nga viti 1956 më takon Reiz Malile. Ishte funksionar në Ministrinë e Jashtme. Njiheshim prej kohësh. Shqipëria kishte pak kohë që ishte pranuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. U fol shumë në atë kohë dhe ishte me të vërtetë një ngjarje e madhe, sepse Shqipëria nuk u njoh nga OKB – ja për shumë kohë si një shtet i pavarur.

“Do na bësh një tablo, – më thotë Malile, – sepse na duhet ta vendosim në selinë tonë diplomatike në Nju Jork OKB. Kemi menduar që këtë tablo të na e bësh ti. Si thua, a pranon të na bësh një pikturë për atje ? E duam të bukur ë...? Kur ta mendosh eja e më tako”

Pranova dhe fillova të vras mendjen se çfarë të bëja. Tabloja do të shkonte në Amerikë. Punë me përgjegjësi, ndaj duhej bërë diçka e bukur e dinjitoze. Do të ishte piktura e vetme që shkonte atje. Do të përfaqësonte pikturën shqiptare. Mendova shumë, herë thoja të bëja një natyrë të qetë, herë të tjera një peisazh e bëra edhe disa skica për ndonjë kompozim. Pas disa ditësh përpjekje e mundim me vetveten vendosa e mbeta në njërën. Shkova takova Malilen në Ministrinë e Jashtme:

“Do të pikturoj një tablo ku si personazh do të kem një vajzë me kostum kombëtar. Mendoj se ajo do ta përfaqësojë mirë Shqipërinë e artin tonë kur të vendoset në Nju Jork. Do të jetë e para që do të presë njerëzit në Misionin tonë diplomatik duke u uruar mirëseardhjen, dhe po e fundit që duke i përcjellë do t’u urojë rrugë të mbarë.”

Reizit i pëlqeu mendimi im dhe unë pa vonuar fillova nga puna. Puna kërkohej shpejt. Kur e ke zgjidhur kompozimin se çfarë do të bësh puna ecën. Shkova në Teatrin Popullor dhe mora kostumet e të gjitha krahinave shqiptare për të zgjedhur më të bukurin. He... he... çfarë kostumesh ! Çfarë ngjyrash ! Origjinale, siç i kishin punuar gratë fshatare, apo malësore, me ngjyrat e forta, prerjet elegante, larmitë e pafundëme të formave. Kemi kostume të mrekullueshme, të jashtëzakonshme dhe nuk flas vetëm për larminë e ngjyrave por edhe për format dhe prerjet, që nga qeleshet në kohë e deri tek opingat me xhufkë.

Gruaja ime, në atë kohë, ishte nuse e re dhe e bukur. Vinte e gjatë e me tipare të zeza të theksuara. I provoi të gjithë kostumet që solla në shtëpi. Njëri më i bukër nga tjetri. I shkonin shumë kostumet e Veriut, sidomos xhubleta prej shajaku me atë hapjen e bukur si këmborë e valëzuar. Hej... hej... çfarë kostumi ! Nxirrte një tors të mrekullueshëm, të plotë, të fuqishëm. Është nga kostumet më të bukura. Por mua nuk ma mbushte syrin. Jepte një pamje disi të egër, të ashpër, heroike. Nuk përputhej më përfytyrimin që kisha skicuar në mendje. Më vinte keq të largohesha nga ai kostum, por duhej. Kurrë nuk duhet bërë rob i një forme kur nuk është funksionale me idenë që ke ndërtuar dhe me qëllimin që kërkon të ndërtosh në një kompozim. Kompozimi është funksional në të gjithë komponentët e tij. Njëri të mungojë apo të mos përshtatet vepra do të çalojë. Nejse vazhdojmë historinë...

Duke kërkuar e provuar ndërmjet veshjeve, më tërhoqi vëmendjen kostumi popullor i fshatit Dardhë i rrethit të Korçës. E mora në dorë dhe e kundrova gjatë. Ishte shumë i bukur, elegant, qytetar... Shamia e kokës e lehtë, e ndezur në ngjyrë, fustani i punuar hollë e me hijeshi. I gjithë kostumi ka një gamë koloristike e një hijeshi të mrekullueshme. Delikatesa e linjave shtrihej e shkrihej me trupin. Ai kërkonte një portret të ëmbël, të hijshëm që të nxirrte në dukje transparencën e zhdërvjelltësinë e formave të trupit. Këtë do të pikturoj ! – vendosa me vete dhe i thashë gruas që ta vishte. Mirëpo, kur e veshi gruaja kostumin, pashë që nuk i shkonte. Kostumi ishte i bukur, fin, por jo për gruan. Asaj nuk i shkonte fare, nuk përshtateshin, nuk jetonin në harmoni. Veshi përsëri xhubletën. Ishte mrekulli. Mëdyshja nuk zgjati shumë. Isha tërësish në krah të kostumit të fshatit Dardhë.

Hej dreq ! – thashë me vete - Si t’ia bëj ? O do të pikturoj kostumin e Dardhës, o tjetër nuk dua ! Ai kostum i përshtatej më mirë idesë sime. Më modelin si të bëja. Ku do ta gjeja. Gruaja nuk më shërbente.

Në Tiranë, në atë kohë, ishte një vajzë e bukur shumë, një bjonde e lezetshme, Alija quhej, por “Miss Tirana” e kishin pagëzuar të rinjtë, aq e bukur ishte. E njohin mirë ata që kanë jetuar në atë kohë aq e njohur ishte për bukurinë e saj. Me të nuk njihesha fare. Ne artistët dimë të shikojmë mirë, është pjesë e mjeshtërisë artistike, është proçes krijimi. Tiparet, format, lëvizjen, kompozimin në realitet i gjejmë, aty është burimi i gjithçkaje.

Të nesërmen i thashë gruas:

“Eja të dalim, se do të bëjmë një vizitë . – Dhe i tregova për se bëhej fjalë. – Asaj i shkon kostumi i Dardhës. Do të shkojmë në shtëpi ta kërkojmë.”

“Është turp, mor burrë, – ma priti gruaja. – Nuk na njohin e nuk i njohim. Si të shkojmë në shtëpinë e tjetrit kështu !?

“Mor po mbaroi ajo punë. Vishu e nisemi !”

Dhe u nisëm, pra unë e gruaja drejt shtëpisë së vajzës. Trokitëm në derë e na doli i ati , një gjirokastrit. Në atë kohë punonte si mësues në shkollat e Tiranës. Burrë me kulturë e shumë i mirë. Ai na vështroi me habi nga që nuk na njihte.

“Kishim një fjalë me ju !”

“Urdhëroni brenda në shtëpi !” – na ftoi ai dhe na udhëhoqi rrugën. Aty gjetëm edhe të shoqen dhe vajzën për të cilën kishim shkuar. Pasi shkëmbyem fjalët e mirëseardhjes, e mora fjalën duke iu drejtuar të zotit të shqtëpisë:

“E shikoni këtë nuse ? Desha t’ju pyes se si ju duket ?”

Gruaja ime u skuq flakë në fytyrë nga turpi. Njerëzit e shtëpisë më panë fort të çuditur. Nuk po kuptonin se ku desha të dilja më këtë pyetje. Por unë nuk pyeta kot.

“E bukur dhe e mirë ! – tha së fundi i zoti i shtëpisë. Të tjerët miratuan nën zë fjalët e tij.

“Është gruaja ime. E tani po ju them se si e kam hallin. – Dhe u tregova për tablonë që më duhej të bëja. – Kostumi i Dardhës i cili më pëlqen ta pikturoj nuk i shkon fare gruas sime, prandaj kemi ardhur tek ju. Vajzës tuaj duhet t’i shkojë shumë dhe kisha dëshirë që ta pikturoja. Për këtë kam ardhur t’ju kërkoj leje, juve, prindërve të saj. Por... më duhet që vajza të vijë në studio. Aty i kam të gjitha kushtet për të bërë tablonë. Sa herë që do të vijë vajza tek unë, në studio do të jetë e pranishme gruaja ime. Si thoni a pranoni ?

“Për ne është nder i madh që vajza të pikturohet nga ju, – tha i ati i vajzës, ndërsa kjo e fundit ishte skuqur e gjitha nga turpi. - Jemi plotësisht të mirëpritur dhe mund të filloni nga puna kur të doni. Nga ana jonë nuk do të keni asnjë pengesë.”

Vajza erdhi të nesërmen në studio. Veshi kostumin e Dardhës. He...he si dukej ! Ishte mrekulli. ǒtë shikoje ! Fytyrë e bukur e shëndetshme, vajzë e re, e gjallë e pak e ndrojtur. Ecte puna, ecte. Bëra me laps në letër disa skica. Ndërkohë që pikturoja, mundohesha të hyja në bisedë me vajzën, e ngacmoja që të më fliste për veten. Ajo më dëgjonte gjithë droje, duke më parë me sytë e bukur e buzëqeshte. Ishte shumë e ndrojtur. Rrinte e pozonte, por fjalët i kishte shumë të shtrenjta. Me hidhte ndonjë vështrim vjedhurazi në atë çfarë po bëja dhe rrinte mirë si model. Mirëpo unë doja ta zbërtheja, të hyja në botën e saj. Ishte e vështirë, shumë e vështirë. Ana e jashtme u kap shpejt, por unë doja një portret psikologjik, doja një vajzë të gjallë, jo pozante, jo vetëm model.

Në atë kohë tek ne në shtëpi banonte edhe vëllai i gruas. Ai sapo kishte mbaruar studimet e larta në inxhinjeri. Vinte ngadonjëherë në studio e më shikonte tek punoja ndonjë tablo. Kishte ditë që nuk kishte ardhur në studio dhe një ditë dera e studios u hap e ai hyri brenda e që nga ajo ditë vizitat e tij u shpejtuan. Vajza filloi të gjallërohej sapo shikonte që djaloshi hynte në studio. I lëvizte gjaku e faqet i bëheshin prush fare. Hajde ç’nur që i binte ! Buzëqeshte ëmbël e bukur me një buzëqeshje magjepëse.

Aty u njohën ata të dy. Janë burrë e grua sot. Ja kështu punët...

“I paska martuar tabloja juaj !” – qesha unë.

- “Ja ashtu... Më pas tablonë e nisën për në OKB. Më pas kur më takonte Reiz Malile më thoshte me gëzim:

“Të doli fjala Zajmi. “Dardharen” e kemi vënë në hyrje të Misionit tonë dhe është e para që pret miqtë, duke u uruar mirëseardhjen dhe e fundit që u uron rrugën e mbarë. Na ke nderuar !

Në OKB tabloja qëndroi për vite të tëra. Para ca kohësh isha me Foto Stamon. Kishim dalë shëtitje në Bulevardin e Madh. Kur ishim pranë Hotel “Dajtit” tek këmbët na ndaloi një makinë e dikush që brenda na i bën me dorë. Ishte Reiz Malile. Pasi na takoi, më thotë që tabloja ime në OKB ishte dëmtuar pak, prandaj kishte nevojë për një restaurim të lehtë. E kishin njoftuar me telefon nga Misioni shqiptar në OKB. Kishin menduar ta sillnin në Shqipëri.

Nuk kaloi shumë kohë nga kjo bisedë dhe Reizi më njoftoi se tabloja kishte mbërritur në Ministrinë e Jashtme e paketuar. “Eja - më tha, - ta marrësh e ta rregullosh!”

Shumë shpejt e kishin sjellë. U nisa menjëherë. Tablonë e kishin ambalazhuar me kujdes. E mora e bëra të dal. “Prisni t’ju çojmë me makinë !”, – më thanë. Nuk pranova. “Do eci më këmbë” – ua ktheva atyre të Ministrisë së Jashtme. Kisha frikë se mos e përplasnin tablonë andej këndej nëpër makinë dhe ma dëmtonin. Është e shtrenjtë puna që ke bërë. E kisha të sigurtë me vete. E mbaja siç mund të mbahet një fëmijë. I tillë është artisti...

Me tablonë në dorë mora rrugën drejt Bulevardit të Madh për të shkuar në shtëpi. Kisha shumë vite që isha ndarë nga “Dardharja” ime dhe më hipën emocionet. I ngjante si takimi me një të njohur apo të dashur të largët me të cilin ke vite që je ndarë e nuk e ke parë, kur edhe tiparet të janë zbehur.

Kur kalova pranë Galerisë së Arteve thashë me vete “A nuk kthehem njëherë aty ta shikoj në dritë tablonë ?” Nuk më pritej sa të shkoja deri në shtëpi. Drejtor i Galerisë në atë kohë ka qenë Dhimitraq Trebicka. U drejtova për aty.

“Çfarë ke aty ?” – më pyeti Dhimitraqi sapo më pa.

“Ta shohim. As vetë nuk e di se ç’ka brenda !”

Ai u bë shumë kurreshtar. E hapëm kutinë e nxorëm që andej tablonë. Pastaj e vendosëm në dritë pranë një salloni në katin e parë të Galerisë.

“E bukur !” – ia bëri Dhimitri sapo e pa.

Vërtet bukur rrinte ashtu pak klasike siç është. E shikoja e nuk ç’mallesha. Ishte vërtet “Dardharja” ime. Tashmë ajo ishte bërë nusja e vëllait të gruas, por në tablo ishte krejt tjetër, tashmë ajo ishte mëshiruar në një vepër arti dhe do të mbeste gjithmonë e re, e bukur, e freskët.

“Do ta marrim për Galerinë ! – nxitoi të thoshte Dhimitri. - Nuk e lëmë të na iki përsëri në OKB. Kjo tablo e ka vendin këtu !”

Kështu puna, Agim. U thanë atyre të Ministrisë së Jashtme që do ta mbajmë “Dardharen” në Galeri. “Mirë - pranuan ata, - veçse na jepni një tablo tjetër për ta zëvendësuar “Dardharen” në OKB. E ndërruam me një tablo tjetër po e të njëjtit karakter. Kisha pikturuar një vajzë nga Lunxhëria. E mirë ishte edhe ajo. Më erdhi keq që u ndava me të, por nejse !

Unë nuk i fus kot veprat e mia në Galeri. Po nuk e merituan, nuk i dërgoj fare. Çdo vepër duhet ta meritojë nderin për t’u vendosur në muret apo sallonet e Galerisë së Arteve. Është Galeri kombëtare ajo dhe përfaqëson veprat më të mira të artistëve tanë.

Ngadonjëherë më thonë për ndonjë tablo që pse nuk e çoj në Galeri, se sipas të tjerëve ajo është e bukur dhe duhet të qëndrojë aty. Kur më thonë kështu, e marr tablonë dhe pa i thënë njeriu shkoj në Galeri dhe fshehurazi e vendos atë aty midis veprave të mia. Po qëndroi mirë, e lë, po nuk qëndroi, e marr përsëri me vete.

Kur më takojnë shokët më pyesin:

“Hë...akoma nuk e ke çuar tablonë në Galeri?”

“E çova por nuk ma pranuan !”

“S’ta pranuan ?! – çuditen. – Kush nuk ta pranoi, komisioni ?”

“Jo komisioni. Nuk ma pranuan veprat e Galerisë. “Largoje se ajo nuk e ka vendin

këtu ! – më thanë”.

Kanë rrjedhur vitet, disa njerëz janë larguar nga kjo botë. Ndërmjet tyre edhe Zajmi. nuk besoj se la ndonjë pishman. Jeta ia la hijen pavdekësisë. Kjo është rrjedha e artistit nga jeta në pavdekësi... këtë Zajmi e dinte dhe këto ditë takoj modelen, ish vajzën që i pozoi artistit, jo për të gjetur të vërtetën, po për të plotësuar sa më mirë plotësinë e artistit.

Në një kafe një ditë ajo erdhi e u ul përpara meje. Nisa ta kundroj. Në tipare ruante ende linjat e bukura, një buzëqeshje të ëmbël nën buzët e lyera, flokët e mbledhur e krehur me hijeshi. Quhej thjesht Alo. Emër i çuditshëm. Jo njeri i çuditshëm. Duke gjerbur kafen e ngrohtë, duke më parë nën gjyslykët e errët ajo më tha:

“Historia që ka treguar Zajmi më pëlqen..., por nuk është e vërtetë...”

“ǒdo të thotë kjo ?! Po më habisni...!

“Ndoshta ajo është... Nexhmedini e ka bërë duke qenë artist... ndoshta duke qenë artist e ka krijuar atë.

“Ju pëlqeu ?”

“Mund të kisha vërejtje...”

“Në tablo tregoni pak më e madhe, ju edhe sot jeni kaq e hijshme...”

“Edhe shoqet më thonë... Alo buzëqesh lehtë, më duket se kam qenë shumë më e mirë... Nexhmedini më ka bërë më ovale... Kam një fotografi të asaj kohe, kam pasur flokë të bukur shumë... Unë njëzet vjeçe isha dhe nuk mund të kem pasur rrudha në ballë... vetëm kur e shikon nga larg është mirë... Kjo duket si hije e mamasë sime. Unë nuk i ngjaj mamasë, as babait. Thonin i ngjaja një tezeje, me moshë kam marë hijen e mamasë.

“Ja kështu.... Nexhmedini ishte artist dhe jua ka treguar si artrist. Jeta është ndryshe, është e thjeshtë. Gjërat bëhen thjeshtë...”

“Por unë... mu muar goja, dua ta botoj...?

“Më pëlqen ajo se si jua ka treguar...

“Atëhere, ju vjen keq që ta lëmë ashtu si e ka treguar Zajmi ??”

“Histori e bukur është... (qesh), por nuk jam unë aty. Botojeni. Më nderoni. Edhe mua nuk më prish punë, sepse ajo është një histori e bukur dhe fëmijët Noçe, më thonë, paska tërë këtë histori të bukur... Është bërë një kalendar me piktura dhe diku tek “Petro Nini” (gjimnazi), mbesa ishte aty nxënëse dhe hyn në lokal të pijë një kafe dhe ekishte parë tek unë fotografinë dhe u ka thënë shoqeve, u kjo është gjyshja ime. Dhe u vjen mirë kur flasin për mua, prandaj ju thashë nuk më bën aspak keq, përkundrazi... i kishin thënë edh vajzës. I thashë unë, jo moj nënë, i shtojnë njerëzit.

Nxhmedini me të shoqen u lidhën me hallën time. Në atë vit nuk më doli e drejta e studimit dhe shkoja shpesh në shtëpinë e hallës, se siç thashë kisha vajzën e hallës, që ishte moshatare. Dhe ata propozimin ia bëjnë hallës sime. Shikoje këtë vajzë. Isha tek shtëpia e hallës, kishin një dritare shumë të vogël, Halimi (vëllai i Semos) dilte në mëngjes. Në atë kohë punonte në Ministrinë e Bujqësisë dhe unë e kam parë duke dalë nga shkallët nga prapa shtëpisë, pastaj ma kanë prezantuar, kemi dalë siç bëheshin atëhere. Kemi dalë disa herë me Halimin, isha e shoqëruar edhe me këtë vajzën e hallës... kjo qe fejesa... por, nuk doni të dini të vërtetën ?”

“Sigurisht... po ju dëgjoj”

Alo buzëqeshi duke zbuluar dhëmbët e bardhë, ndërsa sytë i morën një ndriçim të butë nën një vështrim pak çapkën.

Në atë kohë unë njihesha me Nexhmedinin. Nuk isha e panjohur për të. Nuk e di se si e kishte marë porosinë për tablonë, por di që e kishte filluar me një tjetër. Kur kishte shkuar në Ansamblin Popullor të Këngëve dhe Valleve, kishte parë shumë vajza të reja. Kishte marrë një balerinë, në mos gabohem, ndoshta Luiza Papën..., nuk jam shumë e sigurtë. Ishte një vajzë e bukur shumë. Nuk di se për çfarë arësye ajo ishte larguar, ndoshta për ndonjë turne a diçka e tillë e nuk mund t’i pozonte. Atëhere Nexhmedini ka menduar për mua... dhe kështu një ditë u vesha e shkova në studion e tij... Ajo mungoi dhe Nexhmedini me atë natyrën e përkorë më kërkoi. Isha dhe në valë provimesh, nuk është se e mirëprita me shumë kënaqësi. Megjithatë kisha një detyrim, ishte burri i kunatës. U detyrova të pozoja dhe duket që unë e tensionuar. E kisha kohën e kufizuar, isha me provime...

Nexhmedini kur punonte bënte shumë muhabet, të tërhiqte, të pyeste. Në të vërtetë nuk e kisha mendjen tek piktura, por në vend tjetër tek provimet. Ai ishte i drejtpërdrejtë, nuk e kishte problem të thoshte çdo gjë. Kur hyja harrohesha në atë botën e tij, fliste pa pushim, sa që thonim, filloi Nexhmedini tashti, e s’ka për të pushuar. Në tablo nuk jam plotësisht e lirshme, kam një frenim, sepse nuk kam qenë shumë e gatshme për atë pikturë.

Nexhmedini me të shoqen, Semon kanë ndenjur në një shtëpi me hallën time Kokalari. Unë tek halla shkoja vazhdimisht... ka qenë tek Tugu, tek Shkolla e Kuqe. Në atë shtëpi kanë jetuar ku dhe është martuar

Unë në këtë kohë kam takuar Kristaqin, Kel Kodhelin, Foto Stamon, i kam takuar të gjithë në studion e Nexhmedinit. Unë shkoja tek Nexhmedini. Ishte kunata, dmth veja vazhdimisht në shtëpinë e tyre, sepse im shoq aty jetonte. Vajtën pastaj tek Ali Demi. Studion Nexhmedini e kishte tek Kinema “Ali Demi”. Një dhomë kishte lart, një guzhinë të vockël poshtë, një dhomë pritje këtej. Kishte një studio shumë të madhe. Aty vinin të gjithë këta piktorë, shokët e Nexhmedinit. Aty i kam takuar...

Koha e pikturimit nuk zgjati shumë. Në fakt Nexhmedini pak kohë më kërkoi kur më propozoi që t’i qëndroja modele, sepse e dinte që isha me provime. Agimin (burri Alos) e kishin transferuar në Lushnje dhe me të takohesha të shtunave, isha e fejuar dhe doja që atë kohë që vinte të rija me të. Kështu që kishte raste që Nexhmedini ma bllokonte dhe ate.

Ajo një herë ka qenë sallë kinemaje e madhe, por që Nexhmedini punonte në të njejtën kohë, me mua dhe me dikë tjetër. Semon e kishte bërë shumë kohë më përpara. Semo e shoqja e Nexhmedinit ka qenë shumë e bukur. Ka pasur sy shumë të bukura. Ka qenë një brune e gjatë me sy jeshil, flokë të zeza shumë të bukura, e gjallë.

Ndërkohë që punonte me mua kishte shumë punë në studio. Ajo ishte e madhe. Nexhmedini më pyeste për gjithçka, dinte të tregonte bukur, kishte botën e tij, i pëlqente shumë të hynte në bisedë dhe kur fillonte nuk kishte të mbaruar. Mërzitesha kur pozoja. Një seancë zgjaste për Zotin edhe një orë. Dhe pasi mbaronte me mua mund të merrej me dikë tjetër, por kur punonte me mua merrej vetëm me mua.

Nuk bëri ndonjë studim paraprak me laps si për shembull ndonjë skicë filloi direkt. Me laps jo, sepse meqënëse unë kisha hyrë në shtëpinë e tyre, Nexhmedini më njihte, më kishte psikologjisur nga paraqitja, por edhe botën shpirtërore. Nuk ka patur nevojë...

Zajmi e vlerësonte shumë kostumin e Dardhës dhe thoshte që u ndodha midis zgjedhjes së kostumit të Dardhës dhe xhubletës së Malësisë së Madhe, të cilën gruaja ime e veshi por e egërsonte shumë dhe kostumit të Dardhës që ishte më qytetar.

Kostumi erdhi mirë, nuk pati nevojë për ndërhyrje apo ndonjë rregullim kur e visha. Nuk e kisha bezdi fare... Kishte një këmishë, xhubletën dardhare dhe rrypin. Ishte karakteristikë rrypi, i cili binte më shumë në sy dhe ndoshta, ndoshta mund të shtëngonte një çikë. Edhe shaminë nuk kisha bezdi. Gjyshja ime e bënte të rrumbullakët këtë lidhjen (goglën), jo të gjatë... ishte një gjë që e kisha parë se si lidhej shamia...

Zajmi shpesh më thoshte ngrije kokën, mos e lëviz, qëndro ashtu Alo, bëj kështu... unë lodhesha, e ai më thoshte rri edhe pak, edhe pesë minuta, por pesë minutat vazhdonin edhe gjysëm ore. Kam përshtypjen jo një orë, por më shumë se një orë.

veprën e kam parë të mbaruar, por jo të ekspozuar.

E vërteta dhe arti sa herë janë ndeshur midis tyre. Kush duhet të jetë ? Shumë mendime, shumë të vërteta e të pavërteta. Arti nuk është jetë dhe jeta nuk është art. Kur Rafaeli ka bërë Papën të gjithë thanë që nuk i ngjan papës dhe Rafaeli ua ktheu pas njëqind vjetësh të gjithë do të thonë ky është Papa dhe kështu ka qenë.

Miku i madh i piktorit Odise Paskali në një sentencë dikur vite të shkyara më kishte thënë, “arti është si skena e një teatri. Ajo është e bukur e spektatorët mrekullohen pas saj, e nuk shohin që pas saj janë shumë organelo, litarë, trarë e panele të shumtë që mbajnë e formojnë skenën... ato nuk duken, por janë pjesë e artit, i si të tilla ato nuk duken e nuk duhet të duken...

Studiues arti

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›