E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imami: Presidenti, raundet të vlefshme edhe kur s’ka kandidat

10/01/2012  Pavlefshmëria e raundeve, komenton hartuesi i Kushtetutës

Kushtetuta e Shqipërisë jo vetëm që nuk imponon kuorum për procesin e votimit të zgjedhjes së Presidentit të Republikës, por njeh si raunde të kaluara tri të parat, edhe nëse në konkurrim nuk ka kandidat. Ministri i Mbrojtjes Arben Imami, një prej hartuesve të Kushtetutës së Shqipërisë, thekson se qëllimi i ligjvënësit kur hartoi dhe votoi këto ndryshime të Kushtetutës ishte shmangia e ngërçit dhe jo krijimi i tyre. “Qëllimi i ligjvënësit në këtë rast ka qenë që t’i japë stabilitet vendit dhe të përjashtojë çdo mundësi bojkoti. Politikisht dhe juridikisht PS-ja është përjashtuar nga mundësia për bojkot, sepse miratimi bëhet me 71 vota. Kushtetuta ka një nen të posaçëm që votimi quhet i vlefshëm në tri raundet e para edhe kur nuk ka kandidat”, - deklaroi Imami gjatë një prononcimi për mediet. Komentet më të fundit mbi Kushtetutën e Shqipërisë për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit u shtuan pas zërave mbi domosdoshmërinë e interpretimit nga Gjykata Kushtetuese se cili duhet të jetë kuorumi i deputetëve në sallën e Kuvendit në tri raundet e para, kur kandidati për president duhet të sigurojë 84 vota. Sipas disa prej tyre, raundet duhet të cilësohen të pavlefshme në tri raundet e para, nëse në sallë nuk figurojnë 84 deputetë. Sipas nenit 87 të Kushtetutës, votimi i parë zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga fillimi i procedurës për zgjedhjen e Presidentit. Secili nga votimet e tjera zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga përfundimi pa sukses i votimit pararendës. Votimi quhet i vlefshëm edhe kur në konkurrim nuk paraqitet asnjë kandidat. Në votimin e dytë, të tretë dhe të katërt mund të paraqiten kandidatë të rinj. Presidenti zgjidhet në votimin e parë, të dytë ose të tretë kur një kandidat merr jo më pak se tri të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në votimin e katërt dhe të pestë zgjidhet president kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit.

Kushtetuta

Votimi i parë zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga fillimi i procedurës për zgjedhjen e Presidentit. Secili nga votimet e tjera zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga përfundimi pa sukses i votimit pararendës. Votimi quhet i kryer edhe kur në konkurrim nuk paraqitet asnjë kandidat. Në votimin e dytë, të tretë dhe të katërt mund të paraqiten kandidatë të rinj, të cilët i propozohen Kuvendit nga një grup prej jo më pak se 20 deputetësh.

Shehu: PD nuk do të pranojë kandidat të imponuar nga opozita

“Mazhoranca i ka votat për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit dhe nuk do të pranojë asnjë kandidat të imponuar nga opozita”, - ka qenë ky deklarimi i deputetit të Partisë Demokratike Tritan Shehu, i cili deklaron se pasardhësi i Bamir Topit në karrigen e Presidentit të Republikës do të jetë një demokratë. “PD-ja do të paraqitet me kandidatin e saj dhe ne shpresojmë dhe jemi të bindur që presidenti i ardhshëm do të jetë kandidati i PD-së, pasi të tillë janë numrat e mekanizmat në parlamentin shqiptar, të tilla janë dhe resurset që ka PD-ja brenda saj", - deklaron Shehu. Sipas tij, PD-ja dhe PS-js nuk do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për interpretim, pasi kuorumi për prezencën në sallë në të pesë raundet është i parashikuar në Kushtetutë. Ngritja e komisionit të votimit në Kuvend për presidentin e ri kërkon vetëm 71 deputetë të pranishëm për të zhvilluar normalisht procedurat për zgjedhjen e kreut të shtetit. “Të gjitha këto histori bien ndesh me Rregulloren e Kuvendit, pra nuk qëndrojnë. Kjo është arsye pse zotërinjtë që ngrenë këtë zhurmë, nuk kanë ndër mend ta çojnë as në Gjykatë Kushtetuese, se nuk fitojnë gjë atje. Është thjesht një zhurmë politike që ata ngrenë”, - thotë deputeti i PD-së.

PS deklaron pozicionin e saj për zgjedhjet presidenciale

Klosi: Presidenti i ri nuk do jetë pjesë e klanit “Berisha”

Presidenti i Republikës duhet të vijë përmes konsensusit dhe debatit konstruktiv të faktorit të brendshëm dhe atij ndërkombëtar - ky është qëndrimi zyrtar i ardhur nga Partia Socialiste lidhur me debatin për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. Sekretari organizativ në PS, Blendi Klosi, u shpreh se “duhet të kemi një rrugë konsensuale, një rrugë të debatuar, një rrugë të miraprovuar nga faktorët e brendshëm dhe nga partnerët ndërkombëtarë, veprime dhe vendimmarrje që i shërbejnë së ardhmes europiane të Shqipërisë dhe jo ndarjes në kampet politike, të mos i shërbejë uzurpimit të çdo institucioni nga Sali Berisha”. Sipas tij, presidenti i Shqipërisë apo presidenti i një republike parlamentare duhet të përfaqësojë dhe të mbrojë interesat e të gjithëve. “Presidenti të mos jetë pjesë e familjes kryeministrore, të mos jetë pjesë e klaneve që mbajnë më këmbë jetën luksoze të Kryeministrit", - vuri në dukje Klosi gjatë fjalës së tij. Po kështu, duke u ndalur tek programi parlamentar i PS-së për këtë sesion të ri politik, Klosi bëri me dije se ligjvënësit socialistë do të paraqesin propozime konkrete për çdo projektligj, përfshirë këtu dhe ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar. "Kodet kanë problematikën e tyre konkrete për sa u përket neneve të caktuara apo frymës që ato përçojnë dhe ne po punojmë për të afruar propozime konkrete, që do të jenë pjesë e diskutimeve në komisione e pastaj në seancë plenare për të miratuar jo vetëm ligje, sepse duhen miratohen me 3/5-at, por dhe ligje që do t’i shërbejnë forcimit të shtetit, pasi ligjet me 3/5-at nuk janë ligje për forcat politike, por janë ligje për forcimin e shtetit në Shqipëri", - nënvizoi Klosi sa i takon kësaj çështjeje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›