Dashi: Në urgjenca po shtrohen pacientë jashtë kritereve

Drejtori i QSUT-së, Dashi, paralajmëron shefat për moszbatimin i sistemit të referimit. Shefat: Ende nuk jemi njohur me pretendimet e drejtorisë
Zbatimi i sistemit të referimit solli uljen e numrit të konsultave dhe rritjen e numrit të personave të shtruar në Urgjencë, ndaj do të kontrollohet çdo rast shtrimi aty. Ky është urdhri i drejtorit të Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza", Ilir Dashi, i cili iu ka dërguar të gjithë shefave të pavijoneve urdhëresën për mirëfunksionimin e sistemit të konsultave dhe urgjencës.
Ndërkohë, disa nga shefat e pavijoneve pohojnë se ende nuk e kanë lexuar udhëzimin e drejtorisë, ndërsa të tjerë pohojnë se në urgjencat e tyre nuk ka pasur rritje të numrit të pacientëve.
Udhëzimi
Duke pasur parasysh numrin e madh të pacientëve në Urgjencën e spitalit të sëmundjeve të Brendshme dhe Reanimacionin e Kardiologjisë, drejtori i QSUT-së, Ilir Dashi, ka firmosur një urdhër, i cili ka shkuar ditën e djeshme tek të gjithë shefat e pavijoneve.
Të paktën kështu raporton drejtoria e QSUT-së, sipas së cilës, pika të rëndësishme të këtij urdhri janë evitimi i rasteve të pranuara në urgjencë, të cilët nuk justifikojnë kriteret e urgjencave mjekësore sekondare apo terciare.
Drejtoria e QSUT-së do të kontrollojë për çdo rast shtrimi urgjent, duke evidentuar mjekun dërgues, mjekun pranues, kartelat e shtrimeve që dërgohen nëpër shërbime të ndryshme, dhe sidomos përcaktimin dhe argumentimin e diagnozës së të sëmurit.
"Të gjitha këto pavijone, si shërbimi i urgjencave, reanimacioni i kardiologjisë, dhe shërbimet e kardiologjisë janë të detyruara që në fund të çdo jave, të sjellin në drejtori informacion të detajuar për pacientët e shtruar.
Në bazë të këtij informacioni, do të shihet se sa është zbatuar sistemi i referimit dhe urdhri nga mjekët. Në rast se konstatohen shkelje, drejtoria do të marrë masa administrative ndaj tyre", - theksoi Dashi. Sipas tij, marrja e këtij urdhri ishte një domosdoshmëri, pasi zbatimi i sistemit të referimit solli uljen e numrit të konsultave dhe rritjen e numrit të personave të shtruar në urgjencë.
Ky urdhër do të sjellë mirëfunksionimin e sistemit të urgjencës, pasi parashikon që asnjë nga pacientët të mos qëndrojë më shumë se 24 orë i shtruar në urgjencë", - është shprehur Drejtori i QSUT-së, Ilir Dashi.
Drejtoria e QSUT-së pohon se u ka dërguar urdhrin në mënyrë zyrtare të gjithë shefave të pavijoneve të QSUT-së, por disa prej tyre u kontaktuan në telefon nga gazeta dhe pohuan se ende nuk janë njohur me këtë urdhër. "Nuk e kam lexuar ende urdhrin e drejtorisë ndaj dhe nuk kam çfarë t'ju them në lidhje me këtë udhëzim", - pohoi shefi i shërbimit të Endokrinologjisë, Fçor Agaçi.
Ndërkohë, edhe shefi i shërbimit të Urgjencës Patologjike, Edmond Zajmi, pohoi se nuk ka qenë i pranishëm në urgjencë ndaj nuk ka ende asnjë dijeni në lidhje me këtë urdhër. Ndërsa, sa i takon pretendimit se ka shtim të numrit të pacientëve në urgjencë, Zajmi pohon se as për këtë pretendim nuk ka të dhëna. Ndërsa shefi i shërbimit të Infektivit, Dhimitër Kraja, pohoi se gjatë ditës së djeshme nuk i ka ardhur ndonjë udhëzim i tillë.
"Megjithatë unë nuk besoj se ka pasur ndonjë shtim të theksuar të pacientëve në urgjencë. Por, megjithatë, mbetet për tu parë nëse vërtet ka ndonjë shtim të ndonjë zëri të vçantë në urgjencë", - pohon Kraja.
Dashi: Urgjencat do të funksionojnë 24 orë
Urdhri i drejtorisë së QSUT-së iu është drejtuar shefave të shërbimeve me qëllim për tu përmirësuar shërbimi i Urgjencës. Sipas drejtorit të QSUT-së, Ilir Dashi, ky shërbim do të jetë i garantuar me 24 orë laboratori i analizave dhe imazheria konvencionale.
Po kështu, pavijonet e Kardiologjisë (kati i parë, kati i dytë) duhet të rezervojnë çdo ditë të paktën 3 shtretër për çdo pavijon për të sëmurët e Urgjencës së spitalit Nr 1. Pavijonet e tjera të sëmundjeve të brendshme duhet të kenë çdo ditë në dispozicion të Urgjencës, të paktën 2 shtretër për pavijon.