E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmitari: "Rrebelët" foto me Cekën me armët e Gardistëve

BANDA E CËRRIKUT

Ish- shefi i mjeteve të blindurara në Gardë rrëfeu dje si kishte mësuar sulmin ndaj vartësve të tij në vitin 1997


"Ndodhesha në zyrën e Xhahit Xhaferrit, kur erdhi një gardist i plagosur duke na thënë se kishin rënë në pritë në Cërrik dhe se kishte të plagosur"


TIRANË- Ish-komandanti i mjeteve të blinduara në Gardës së Republikës, në vitin 1997 Rustem Martinaj, dëshmoi dje tri orë me radhë në procesin gjyqësor të "Masakra e Cërrikut", ku u vranë 6 gardistë dhe 16 të tjerë u plagosen.


Sipas dëshmitarit Martinaj, ai nuk kishte qenë i pranishëm në "pritën" që të pandehurit në bashkëpunim me persona të tjerë, bënë ndaj efektivëve të Gardës që kishin shkuar nga Elbasani në Cërrik, më 23 maj 1997, për të rivendosur rendin dhe qetësinë pas djegies së postës së policisë. Sipas dëshmisë së tij, të pandehurit dhe qytetarë të ndryshëm që ndodhen në fotografinë tashmë të bërë publike me ish-Ministrin e Rendit të viteve '97- 98, Neritan Ceka, të dalë në Cërrik, mbajnë në duar armët e gardistëve të vrarë me 23 maj 1997.


"Armët që ndodhen në duart e rebelëve të asaj kohe në Cërrik, me të cilat edhe janë fotografuar me ish- Ministrin e Rendit Neritan Ceka, janë të gardistëve të vrarë mesditën e 23 majit 1997 në qendër Cërrikut,- tha Martinaj, duke iu referuar një fotoje të Cekës me njerëz të armatsur. Në të duket se Neritan Ceka, pozon me disa nga të pandehurit dhe qytetarë të ndryshëm të Cërrikut, me armë në duar.


"Ditën e ngjarjes nuk kam qenë në Cërrik por në Tiranë. Më 22 maj 1997 me urdhër të Komandantit të Gardës Xhahit Xhaferri, u nisën për në Elbasan, 4 transportues me zinxhirë (të njohur si diagaç) bashkë me efektivë të Gardës. Ata ishin të armatosur me automatikë dhe pistoleta personale.


Të nesërmen ndodhesha te zyra e Xhaferrit, kur erdhi një gardist i plagosur dhe na tha: Kemi rënë në pritë në Cërrik dhe mes nesh ka të vrarë e të plagosur". Pas këtij lajmi u drejtuam në Spitalin Ushtarak për të parë të plagosurit", vijoi dëshminë Martinaj. Më tej ai pohoi se ishte nisur për në në Elbasan, por në Krrabë u kthye pasi kishte parë autokolonën e Gardës që kthehej për në Tiranë.


"Kur erdhëm në repart mësuam ngjarjen nga të plagosurit dhe ata që kishin mundur të shpëtojnë pa plagë. Mësova se në Elbasan autokolonës së Gardës i ishin bashkangjitur edhe dy mjete të blinduara mëngjesin e 23 majit 1997 për të shkuar në Cërrik, pasi kishin mësuar se atje ishte djegur Posta e Policisë. Pas një rrotullimi, janë gjendur mes breshërive të armëve dhe bombave nga katër anët e rrugës.


Aty një blindë ka marrë flakë dhe tjetri ka shkuar për t'i shpëtuar gardistët e plagosur, dhe aty janë plagosur shumica". Martina ka pohuar se po atë ditë, janë marrë peng Agim Biberaj dhe Azem Rusta që janë torturuar, rrahur, ofenduar e filmuar nga televizionet greke duke i detyruar të flasin gjëra që nuk kishin si mision gardistët"-tha Martinaj. Më tej ai vazhdoi me debate mes avokatëve, të cilët tentuan që me pyetjet e tyre t'i lënë për të kuptuar gjykatës se gardistët e nisur në Cërrik, nuk ishin efektivë të rregullt por të veshur pas trazirave.

Kërkonimn trupin e gardistit, na priti një posbtllok dhe Xhepexhiu

"Me 26 maj bashkë me një kolegun tim, hymë në Cërrik me ndihmën e një furgoni për të gjetur e tërhequr trupin e gardistit Qemal Mehmeti, që ishte vrarë atë ditë. Në hyrje të Cërrikut ishte një postbllok, ku ishin vendosur disa persona me maska dhe na pyetën nga ishim dhe më pas na lejuan të hyjmë në qytet.


Në qendër të qytezës, na doli Roland Xhepexhiu me automatik në dorë, ndërsa ne kërkonim trupin e Mehmetit po e gjetëm. Pas dy ditësh na njoftuan se trupi Mehmetit ndodhej në morg në Elbasan, nga ku e morëm"-tha Martinaj në fund të fjalës së tij.


Më pas seanca gjyqësore u ndërpre, pasi njëri nga mbrojtësit e të pandehurve u largua pasi kishte një gjyq pranë Gjykatës së Lartë. Sipas akuzës 9 të pandehurit akuzohen se kanë organizuar pritën ndaj gardistëve me 23 maj 1997 ku mbetën të vrarë gardistët Besnik Sula, Bashkim Mnella, Sali Martini, Qemal Mehmeti dhe Petrit Ndoi si dhe u plagosen 16 të tjerë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›