E Diel, 1 Nëntor 2026

Withers II, dy këngë nga fëminia në lagjen afro-amerikane

Ambasadori amerikan John L. Withers, II organizon një mbrëmje me muzikë dhe poezi në Akademinë e Arteve për nder të Muajit të Historisë Kombëtare Afro-Amerikane.


Reciton dy këngë që dikur, kur dallimet raciale ishin akoma të forta, i dëgjonte rrugës nga shkolla në shtëpi. Withers: "Sot dëshmojmë jo racizmin, po kontributin që afro-amerikanët dhanë në zhvillimin e vendit tonë, Amerikës."


Më 1 shkurt Shtëpia e Bardhë njoftoi se tema e Muajit të Historisë Kombëtare Afro-Amerikane për vitin 2010 ishte "The History of Black Economic Empowerment". Ishte vetë presidenti Barak Obama i cili nëpërmjet një deklarate e shpallte "kombëtare" këtë histori të përbashkët të Amerikës.


Ai bënte dhe një vështrim të shkurtër të rrugëtimit të gjatë dhe të hidhur të afro-amerikanëve qysh në kohën që zbritën në brigjet e Amerikës ku u bënë skllevër, më pas gjetën triumf dhe Ëndrrën Amerikane.


"Çdo shkurt ne përshëndesim Muajin e Historisë Afro-Amerikane si një moment për të reflektuar se nga sa larg kemi ardhur si komb dhe çfarë sfidash na mbeten. Tema e këtij viti "Historia e fuqizimit të zi ekonomik" na bën thirrje që të nderojmë afro-amerikanët që mposhtën padrejtësinë dhe pabarazinë për të arritur pavarësinë financiare dhe sigurinë e vetë fuqizimit që vjen bashkë me të."


Sipas presidentit me rrënjë në ato origjina, në këtë muaj ia vlen të nderohen ato breza pionierësh afro-amerikanë që u bënë punëtorë të zotë dhe profesionistë dhe ai brez i ri sipërmarrësish zezakë që ngritën banka, institucione edukimi, gazeta, spitale dhe biznese gjithëllojëshe.


Një javë para mbylljes së programeve dhe aktiviteteve të natyrave të ndryshme që shoqërojnë këtë muaj në Amerikë, ambasadori amerikan në Tiranë, krijoi dje një qoshk për të folur dhe shijuar histori dhe kulturë afro-amerikane, muzikë dhe poezi.


John L. Withers, II që në krye të herës së misionit të tij diplomatik në Tiranë ka folur edhe për origjinën e tij, tha se sa herë përkujtohet ky muaj, "nuk është e përshtatshme të mendojmë për origjinën dhe ngjyrën e ndryshme të lëkurës.


Sot dua t'ju përcjell një frymë që nuk shuhet kollaj në historinë e afro-amerikanëve. Është fryma e vazhdimësisë dhe e ecjes përpara, e besimit që liria është e drejtë përfundimtare e çdo qenie njerëzore."


Ambasadori që njihet për pasionin që tregon ndaj historisë dhe letërsisë, i përgatiti të ftuarit në House of Art në Akademinë e Arteve për dy këngë që ai në fakt i recitoi.


Ai tregoi historinë e këtyre dy këngëve. I përkasin viteve të fëminisë në lagjet afro-amerikane në Karolinën e Veriut. Këngë që "janë kënduar në periudhën e skllavërisë dhe shprehin temën e humanizmit dhe të mundësive për liri, pavarësisht se ata që i shkruan ishin skllevër. Këto këngë i kam njohur kur isha i vogël, në rrugët e Karolinës së Veriut."


Ambasadori që ka aftësinë t'i sjellë dëgjuesit atmosferën e asaj që tregon, rrëfen se rrugës nga shkolla në shtëpi, i ngarkuar me çantën në sup, e kishte zakonte të ndalte hapin dhe të mbante vesh. Ishte akoma kohë e dallimeve raciale. Shoqëria ku jetonte ishte e gjitha afro-amerikane. Përgjatë asaj rruge shihte zonja dhe gra të ulura në kopshtet e shtëpive. Qëndisnin, merreshin me punë, gatisnin drekën, ndërsa burrat ishin larg shtëpisë, në punë.


Papritur ato ia merrnin këngës. "Si ai kalimtari që i kish rënë rruga aty, rrija i dëgjoja dhe në fund largohesha." Withers II nisi të recitojë vargjet e njërës prej atyre këngëve që thoshte:
"Zoti im çfarë agimi
Zoti im çfarë agimi
Zoti im çfarë agimi kur yjet nisin dhe bien
Drejt rrugës sime
Drejt tokës së premtuar
Dëgjova prej qiellit
Dëgjova që perëndia do të më japë dorën e djathtë...
Po zoti im ka për të më çliruar
Këtë dëgjova prej qiellit sot..."


Një këngë tjetër që Withersi fëmijë dëgjonte shpesh, fliste për të tashmen dhe për të ardhmen. "Nëse e dëgjoje nga perspektiva e një skllavi, mund të lexoje në të një mesazh të koduar nga një person që ishte në buzë të lirisë gati për t'u arratisur. Kënga thoshte: Arratismë larg drejt Jezusit/ gjatë s'më betet të rri..."


Ndërsa banda e drejtuar nga pianisti Genti Rushi rimori gjatë mbrëmjes repertorin nga muzikantë të shkëlqyer afro-maerikanë, Miles Davis, Louis Armstrong apo Ella Fitzgerald, luajti "Caravan" dhe "Don't get around much anymore" nga Duke Ellington. Në poezi u lexuan vargje nga Paul Laurence Dunbar, Langston Hughes, Maya Angelou, James Weldon Johnson.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›