Dashuri, në kohët e errësirës!
Njerëzit që u kthehen letrave dhe zarfeve origjinalë në këtë kohë, do të dukeshin e pakta nostalgjikë dhe e shumta demode. Megjithatë letrat e nënshkuara në fund “i juaji sinqerisht”, ende vazhdojnë dhe ne të sëmurëve nga teknologjia internetore e postës elektronike apo celulare, na vjen çudi. Na vjen çudi edhe për faktin se dy letërshkruesit nuk janë tipa dosido, po janë bash dy personat që qeverisin sot Shqipërinë, në këtë kohë “të ndritur”, Sali Berisha dhe Edi Rama. Dashuria lindi pas mbrëmjeve pa drita, ku nuk sheh syri dorën, dhe nuk dihet nga e ka rrënjën. Edi Rama, shtriu dorën dhe shkroi një letër, që ndoshta nuk e ka lexuar as vetë, duke i kërkuar shefit të ekzekutivit që të uleshin sëbashku e duke pirë ndonjë kafe te Dy Kullat, dhe të rregullonin, këtë punën e zgjedhjeve, që kurrë ndonjëherë në Shqipëri s`janë bërë të drejta e aq më tepër të ndershme dhe rrjeshimisht jo të lira. Gjithsesi, vetëm pak ditë më pas, kreu i qeverisë gjeti kohën për t`iu përgjigjur rivalit të tij politik, padyshim duke e nisur letrën me atë që Rama urren më shumë “i nderuar Edvin..!”. Gjithsesi, shumë vetë u kënaqën që të paktën “dy elefantët” gjetën vullnetin, dëshirën, kohën dhe mirësinë të komunikonin me njëri tjetrin. Kjo duhet të kishte ndodhur që në 1994, 1996 aq më tepër në të zezën 97-ë, e më tepër se kurrë në 2001 e 2005! Por komunikimi, me kuptimin e tij të plotë, nuk ndodhi. Nuk ndodh, sepse në Shqipëri, të gjithë janë solistë që çirren në kupë të qiellit, në një orkestër politike, që po çmend edhe ata të shkretë shqiptarë që kanë ngelur këtu në Shqipëri. Mendoni që liderët politikë shqiptarë, s`kanë komunikim mes tyre as kur është puna për Kosovën, as për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni / Mal të zi / Preshevë dhe as që flasin fare për çështjen çame, dhe jo e jo për të kërkuar më shumë të drejta për emigrantët tanë që gjallojnë në Greqi, Itali, Gjermani etj etj. Shkoni në Athinë, kur trajtohet Qiproja, mazhoranca dhe opozita janë bashkë, ashtu siç janë edhe në Turqi! Shkoni në Beograd, Koshtunica dhe të moderuarit e tjerë, ulen me socialistët e Milloshevicit dhe radikalët e Sheshelit kur vjen puna për çështjen kombëtare (që s`është kombëtare!). Shkoni në SHBA, kur flitet për Irakun dhe interesat amerikane, kitarës i bihet në një tel, dhe megjithë divergjencat, politika mundohet të jetë sëbashku! Politikanët shqiptarë, nuk i mbledh as dreqi, jo e jo për Kosovën, por as për infrastrukturën, zgjedhjet, shëndetësinë, arsimin, rendin apo mbrojtjen! Dhe kur sheh sesi liderët luajnë teatër mediatik, në sytë e shqiptarëve, e kupton që suksesi i komunikimit mes tyre është aq sa suksesi i negociatave dhe marrveshjeve të gushtit(!!!), apo negociatave të javës që shkoi që dështuan ende pa filluar! Kjo nuk është tjetër veçse një dashuri në kohët e errësirës, dashuri për sy e faqe të opinionit publik në Shqipëri, por edhe në sytë e ndërkombëtarëve. Të dy palët, e sidomos opozita dhe Edi Rama do të trumpetojë nesër me të madhe në takimet me ndërkombëtaret: eeh, e shihni, ne zgjatëm dorën të parët dhe përpiqemi të jemi kontruktivë! Dhe nga ana tjetër do vijë buzëqeshja ironike e Berishës: uhhh, i shkrova Edvinit, garantoj zgjedhje të lira dhe të ndershme!!! Sesi garantohen zgjedhjet nga qeveria që bazohet krejtësisht mbi infrastrukturën e vjetër, dhe sesi mund të bëhet opozita kontruktive dhe bashkëpunuese me një letër që pas një jave do harrohet, këtë nuk e dinë shqiptarët! Ata nuk dinë më ç`të besojnë! Por më tepër sesa në tv-të e tyre, i kanë sytë lart, nga Zoti! Që tu dërgojë shi, të mbushen hidrocentralet, dhe tu vijnë dritat. Pastaj do hapin BBF-në! Aty nuk ka politikë! Megjithatë duke dëgjuar këngën e Ponit: E kam unë, e ke ti/ ne po luajmë si fëmi/ e kam unë, e ke ti/ e ka emrin dashuri/, do tu vijnë në mendje letrat e dashurisë së përvëluar Rama-Berisha! Po Nano ku shkoi?