Data për zgjedhjet lokale, Presidentja Osmani fton në takim partitë politike

Ndonëse kanë kaluar gati katër muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme dhe ende nuk është konstituuar Kuvendi i ri, Kosova ka nisur përgatitjet për zgjedhjet vendore.
Presidentja Vjosa Osmani ka thirrur një takim konsultues me partitë politike, ku pritet të diskutohet data e zgjedhjeve lokale.
“Në bazë të kompetencave kushtetuese, Presidentja Osmani ka ftuar subjektet politike në takim të mërkurën, më 4 qershor 2025, për konsultime për caktimin e datës së zgjedhjeve lokale. Menjëherë pas konsultimeve, Presidentja do të caktojë datën e zgjedhjeve,” njoftoi këshilltari për medie i Presidencës, Bekim Kupina.
Ndër të parat që ka shpallur kandidaturën është Besa Shahini. Ish-ministrja e Arsimit, që shërbeu në Shqipëri në vitet 2018–2020, njofton se do të garojë për kryetare të komunës së Prishtinës, e cila aktualisht drejtohet nga Përparim Rama. Ajo kërkoi mbështetje përmes një mesazhi në rrjetin Facebook, duke thënë se kryeqytetit të Kosovës i duhet një ndryshim radikal.
“Prishtinës i duhet një ndryshim radikal në kahjen e zhvillimit. Unë dua të jem pjesë e këtij ndryshimi, ndaj në vjeshtë do të garoj për kryetare të Komunës në zgjedhjet lokale 2025. Ju ftoj të më bashkëngjiteni të gjithë ju që i ndani shqetësimet e mia për qytetin dhje që keni sado pak energji që të përfshiheni në përpjekjen tonë të përbashkët për ndryshim,” u shpreh znj. Shahini.
Zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë u mbajtën në tetor të vitit 2021.
Gazetare: Vjollca Zharri
/rtsh.al/