Datëlindja e Kadaresë festohet me një konferencë shkencore
Akademia e Shkencave në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka festuar në mënyrën e saj 75-vjetorin e shkrimtarit Ismail Kadare. Ashtu siç dhe ishte njoftuar më parë, Kadare ka preferuar ta festojë në Paris 75-vjetorin e tij të lindjes, duke mos qenë i pranishëm në konferencën e zhvilluar dje në mjediset e Akademisë. Gjithsesi, jeta dhe vepra e shkrimtarit janë rrëfyer në këtë konferencë shkencore përmes kumtesave të studiuesve të letërsisë shqipe. “Një rast i veçantë, datëlindja e 75-të e shkrimtarit të madh, është motivi që na bën bashkë në këtë institucion, tempull të dijes dhe kulturës kombëtare, për të kremtuar dhe vlerësuar personalitetin dhe veprën e një prej personaliteteve më të rëndësishme të letërsisë shqipe të të gjitha kohërave, Ismail Kadaresë. Vepra e Ismail Kadaresë zë padyshim një hapësirë të rëndësishme në korpusin e gjerë të krijimtarisë letrare në Shqipëri, Ballkan, Europë e më gjerë. Emri i Kadaresë spikati në botën e letrave shqiptare dhe atë europiane që në fillimet e krijimtarisë së tij, veçanërisht kur botoi romanin e tij të parë “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, roman i cili për nga veçoritë e stilit, këndvështrimi, dhe fryma e kompozimit që e përshkon, daton një etapë të rëndësishme në zhvillimet e prozës romanore shqiptare pas Luftës së Dytë Botërore.”- tha ndër të tjera ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferaj. E ndёrsa studiuesi Shaban Sinani e konsideroi figurёn e Kadaresë si njё figurё e cila imponoi dhe bёri tё njohur letёrsinё shqiptare nё botё. Ai vlerësoi se me veprat e disa herë kandidatit për çmimin “Nobel” në letërsi i tejkaloi kufijtë e letërsisë shqipe. Studiues të tjerë vlerësuan se vepra e tij, në tërësinë e saj, përbëjnë një dukuri letrare.
Festimet për 75-vjetorin e shkrimtarit kanë nisur në qytetin e tij të lindjes në Gjirokastër, ku një grup intelektualësh dhe miq të tij u mblodhën në një nga shtëpitë gjirokastrite (pasi shtëpia e shkrimtarit është mbyllur pas përfundimit të fazës së parë të restaurimit). Në fund të këtij takimi ata dolën dhe me një deklaratë drejtuar edhe ministrit Xhaferaj, për të ndërhyrë për rifillimin e punës për restaurimin e shtëpisë së shkrimtarit të Gjirokastër.
Ismail Kadare u lind nё qytetin e Gjirokastrёs nё vitin 1936. Ai ёshtё njё nga personalitetet mё tё shquara tё kulturёs shqiptare nё botё. Kadare ka fituar shumё çmime tё rёndёsishme kombёtare dhe ndёrkombёtare, kandidat i çmimit “Nobel” pёr shumё vite. Kadare fitoi sё fundmi edhe çmimin e parё nё festivalin “Ballkanika”, me veprёn e tij “E penguara”. Veprat e tij janё pёrkthyer nё dhjetëra gjuhё tё huaja nё tё gjithё botёn. Disa nga veprat qё mund tё pёrmendim janё: “Nёpunёsi i pallatit tё ëndrrave”, Mosmarrëveshja”, “Kёshtjella”, “Gjenerali i ushtrisё sё vdekur”, “Kronikё nё gur” etj.