Elona Nallbani rrëfen baletin në skenë dhe prapaskenë
Ishte fare e re kur iu bashkua trupës së Teatrit të Operas dhe Baletit, por Elona Nallbani u rrit aty, iu përkushtua pasionit të saj për baletin, punoi me koreografët më të njohur dhe u bë Balerinë e Parë. Pas 16 vjet karrierë, prima balerina tashmë ka në projektet e saj bashkëpunime me dy koreografë italianë. Toni Kandeloro, një emër tashmë i njohur për publikun shqiptar pas shumë bashkëpunimeve të suksesshme me Teatrin e Operas dhe Baletit dhe me Fredi Francuti-n, që vetëm një vit më parë vuri në skenë premierën e Karmenit. Elona Nallbani do të jetë pjesë e projekteve të dy koreografëve, por ndërkohë ajo ka nën këmbë 16 vite karrierë, që nuk heziton t’i rrëfejë me: në skenë dhe në prapaskenë.
Trupa e Baletit prej disas ditësh ka nisur punën me koreografin italian Toni Candeloro. Kush janë projektet e kësaj trupe dhe të vetë balerinës së parë të kësja trupe Elona Nallbanit?
Teatri i Operas dhe Baletit po bashkëpunon me dy koreografë italianë që kanë patur dhe eksperienca të mëparshme me Teatrin e Operas dhe Baletit. I pari është Toni Candeloro, me të cilin trupa jonë ka patur shumë bashkëpunime. Koreografi tjetër është Fredi Francuti , i cili pritet të vijë për të bashkëpunuar për vënien në skenë të baletit “Romeo e Xhuljeta”. Pas këtyre dy bashkëpunimeve, në projektet e trupës është rivënia në skenë e baletit Zorba, por edhe në këtë rivënie do të ketë risi, sepse po diskutohet që të ndërmarrin një turne nëpër qytetet kryesore të Shqipërisë dhe pas kësaj edhe një turne jashtë vendit. Por të gjitha këto janë ende në statusin e projekteve. Për ta përmbledhur është një axhendë e ngarkuar.
-Baleti Zorba ishte një sukses në skenën e TKOB-së. Ortanca ishte pjesë e këtij suksesit. Si arriti një vajzë e re të sjellë në skenë dashurinë dhe dramën e një mesogruaje?
-Zorba është një balet që do të mbetet gjatë në memorien e shqiptarëve. Është risi për nga të gjitha format; koreografia, muzika, kostumografia, subjekti është shumë i veçantë. Zorba bën pjesë te të preferuarat e mia dhe 2010-ta në përgjithësi ka qenë një vit i suksesshëm. Zorba ka një subjekt tepër interesant; e para sepse vetëm Ortanca dhe Xhoni ishin dy të huaj të ardhur në ishullin e Kretës. Ortanca, që për më tepër vinte nga një vend si Franca, e ndiqte pas një e kaluar e paragjykuar nga njerëzit që banonin në ishull, sepse ajo ishte një femër që kishte punuar në kabare. Mosha e saj e madhe rreth 60, e njëjtë me Zorban, të cilët pak nga pak filluan të ndienin për njëri-tjetrin. Por gjëja më e bukur e këtyre dy personazheve ishte mesazhi që ata përcillnin që “dashuria nuk njeh moshë”. Drama e tyre fillon që në momentin që të dy konsolidojnë lidhjen e tyre, por që për Ortancën ishte vonë, sepse kishte trokitur ora e vdekjes. Që ta realizoj një karakter, unë dua ta njoh atë thellësisht dhe me Ortancën ndodhi pikërisht kjo. Në gjithë karrierën time kisha interpretuar role të bukura, që për publikun janë shumë të lehta të pranohen. Ndërsa Ortanca ishte një nga rolet e mia të veçanta, që nuk e di për sa kohë do mbetet e tillë. Ky rol theu tabutë e të gjitha roleve që kam sjellë më parë. Nuk është e thjeshtë të sjellësh në skenë personazhin e një mesogruaje në një kohë që mosha ime është shumë më e re se ajo. Kur “e njoha” Ortancën më krijoi idenë e një femre shumë joshëse edhe pse në moshë të madhe dhe m’u duk se ishte shumë pranë natyrës sime. Në fakt më pëlqeu ky karakter që ishte ndryshe nga karakteret lirike. Ortanca ishte gjithashtu një femër shumë e fortë, që arrinte t’i mbijetonte paragjykimit dhe mentalitetit të njerëzve në atë ishull. Ortanca, gjithashtu, kishte arritur të thyente tabutë e atij ishulli dhe atyre njerëzve paragjykues. Kështu që për mua nuk ishte aspak e thjeshtë. Fillimisht rolin e përvetësova si koreografi, më pas teknikisht, ku m’u desh shumë punë, sepse edhe teknikisht më duhej të sillja në skenë lëvizjet e një mesogruaje, ku edhe përpikëria teknike duhej të vinte në atë formë që të kuptohej nga publiku se unë isha një mesogrua. Momenti i fundit, vdekja e Ortancës, ishte shumë dramatik. Ajo ndodh menjëherë pas dasmës që Zorba organizon për të dashurën e zemrës, që asaj t’i plotësohej ëndrra për t’u lidhur në martesë me njeriun që do. Por pavarësisht kësaj lumturie, unë duhej të përcillja te publiku momentin e vdekjes dhe kjo erdhi në mënyrë shumë dramatike.
Si është një ditë “pune” e një balerine?
Para çdo premiere baleti, dita është shumë impenjative dhe shpesh herë edhe orar pa orar. Fillimisht, para se të fillojmë provat, bëjmë 1.30 minuta ushtrime, ose siç njihet në gjuhën e baletit klasë baleti. Pas ushtrimeve kemi 10-15 minuta pushim, pastaj fillojmë provat. Sa më impnejativ të jetë baleti dhe në varësi të kërkesave të koreografit, aq dhe më impenjative janë edhe provat. Është një lodhje e madhe fizike. Është një ngarkesë fizike me të cilën tashmë je mësuar. Ka raste që punojmë paradite dhe pasdite, të shtunave dhe të dielave. Kur vihet një premierë, një balerinë do kohën e vet fizike për ta realizuar atë rol. Fillimisht përvetëson koreografinë dhe pasi e ke konsoliduar si renditje punon për ta arritur atë teknikisht dhe artistikisht.
Është më e rëndësishme që një rol të arrihet teknikisht apo artistikisht?
Janë dy elemente shumë të rëndësishme që plotësojnë njëra-tjetrën dhe që kërkojnë impenjime të veçanta. Kur themi teknikisht, zakonisht një balerinë kur merr një rol pasi e ka konsoliduar si koreografi pika e parë është ta realizojë atë teknikisht. Por asnjëherë nuk mund të jetë një rol thjesht teknik pa anën artistike. Interpretimi është ai që e bën një rol të plotësuar. Edhe publiku e ka shumë më të thjeshtë të të kuptojë ty si e sjell artistikisht një rol, sesa teknikisht. Me këtë të fundit mund të të vlerësojë vetëm një kritik i mirëfilltë i artit, të cilët realisht nuk i kemi në Shqipëri. Janë kolegët tanë dhe profesorët që na japin vlerësime teknike. Një rol bëhet akoma më i vështirë kur ti e ke realizuar teknikisht dhe duhet ta ndërthurësh me anën artistike. Mund të jesh absolut teknikisht, por i ke vënë vetes një barrierë që nuk e përcjell dot rolin te publiku. Gjëja më e mirë është ta plotësosh rolin artistikisht. Një rol bëhet akoma më i vështirë nëse i bashkëngjit të dyja këto, teknikën dhe anën artistike. Por jo çdo rol të përshtatet teknikisht apo dhe artistikisht. Tashmë kam arritur një pjekuri profesionale, sa arrij të peshoj veten time, kështu që kur zgjedh një rol e di se cili më përshtatet mua dhe mund ta realizoj atë rol.
Sa e vështirë të jesh balerinë në TKOB?
Unë gjithmonë e kam konsideruar të vështirë të jesh balerinë në Shqipëri. Unë personalisht e kam të konsoliduar anën financiare dhe ndoshta në këtë aspekt s’kam ndjerë vështirësi. Por nëse do të gjykoja si një balerinë që të ardhurat i merr vetëm nga ky profesion, do të thoja se fakti që shumë balerinë janë të dypunësuar, në një farë mënyrë kjo është një nevojë ekonomike. Ndërsa profesionalisht mendoj se konkurrenca dhe mosha sigurisht është një tjetër aspekt që e bën të vështirë këtë profesion. Ti mund të rritesh profesionalisht me vite e vite pune, por vijnë të rinj që kanë energjinë dhe dinamikën, pavarësisht se mund të mos kenë sharmin tënd, teknikën ose përvojën tënde. Në këtë këndvështrim, mendoj se arti në përgjithësi është shumë i vështirë.
Arti është një fushë disi kompetitive ku ka vend vetëm për talentet. A mund të kesh miq në trupën e baletit?
Unë nuk mund të flas me shumë siguri të plotë, sepse nuk i njoh të gjitha fushat e tjera, por egoizëm ka në çdo profesion, por ajo që mund të them është se në art dhe sidomos në balet nuk është e thjeshtë të jesh mikeshë me të gjitha koleget e tua. Mjafton fakti që për një rol konkurrojnë disa balerinë, ti në heshtje e sheh tjetrën me syrin e “rivales”. Secila nga ne në atë kohë bëhet disi “armike” me tjetrën. Unë vetë kam raste dhe nuk jam e përjashtuar edhe pse mendoj se çdo gjë e kam arritur me punë dhe nuk e kam marrë asnjë rol me lehtësi. Por nuk është e thjeshtë të kesh mikesha edhe pse unë realisht kam shumë mikesha, me të cilat ulem dhe pi kafe. Por asnjëherë përcaktimet nuk janë absolute.
A ka shkaktuar dëme ky sy “armiqësor” gjatë karrierës suaj?
Dëmet e mia kanë qenë profesionale dhe kam raste pa fund. Një rast konkret me Ilir Kernin, kur erdhi për herë të parë për të vënë në skenë “Kopelia”-n. Kur erdhi në fillim unë qëndroja në fund të sallës, e bindur se në këtë premierë më shumë do të kishte bërryla sesa konkurrencë. Më sheh në fund të sallës dhe më thërret për të provuar rolin dhe për 2 javë ai e ka montuar rolin me mua në skenë deri në detajet e interpretimit. Kur unë mendova se e kisha timin atë rol, në shfaqjen premierë nuk e kam kërcyer, sepse vetëm pak ditë para premierës u ndryshua gjithçka. Ishte hera e parë që me bindje thashë që në këtë shfaqje nuk do të kërceja fare. Jo vetëm që më dëmtoi profesionalisht, por edhe emocionalisht. Kam shumë histori të tilla, por që asnjëherë nuk më kanë penguar për të vazhduar përpara.
E mendoni ndonjëherë largimin nga skena?
Baleti është si futbolli, që ka një kufi moshe. Por ka shumë balerinë në botë që e kanë thyer këtë rekord, i kanë kapërcyer kufijtë. Baleti do fuqi fizike, sado që të përpiqesh. Unë sinqerisht nuk e mendoj, sepse bëhem shumë keq kur e mendoj. Asgjë nuk më mbush më shumë sesa baleti dhe më vjen keq ta mendoj që do vijë një ditë që do largohem, kështu që më mirë i gëzohem momentit dhe unë atë bëj. Artisti është mësuar të jetë gjithmonë në qendër të vëmendjes dhe kur ndodh që largohesh nga skena ke ndjesinë sikur je lënë pas dore dhe e ndien shumë.