Daul: Ngërçi shqiptar nuk është çështje për Evropën
Daul dhe eurodeputeti Martin Schultz, është përpjekur të negociojë për zgjidhjen e krizës politike
Kryetari i grupit të Partive Popullore të Parlamentit Evropian, Joseph Daul, mbërrin të mërkurën për një vizitë në Tiranë, në kuadër të një turneu ballkanik. Zoti Daul, së bashku me eurodeputetin Martin Schultz, kryetar i grupit të partive të majta në Parlamentin Evropian, është përpjekur të negociojë për gjetjen e një zgjidhje të situatës politike në Shqipëri. Të dy eurodeputetët u takuan disa javë më parë në Strasburg në një darkë pune me kryeministrin Sali Berisha dhe kryetarin e Partisë Socialiste të opozitës Edi Rama. Dy ditë më parë Rama u ka dërguar një letër dy eurodeputetëve të lartë me lutjen që të vazhdojnë përpjekjet e tyre për gjetjen e rrugëdaljes nga situata e krijuar prej 10 muajsh në Shqipëri, por Daul nuk është njohur akoma me këtë letër.
Çfarë shpresoni të sjellë vizita juaj në Shqipëri, kemi parasysh që prej disa kohësh jeni përfshirë në përpjekjet për zgjidhjen e krizës në Shqipëri?
Së pari, vizita ime ishte parashikuar prej kohësh. Një vizitë në Ballkan, në Maqedoni dhe Shqipëri. Së dyti, së bashku me Martin Schulz jemi përpjekur që të negociojmë një zgjidhje për Shqipërinë, e cila dështoi javën e kaluar. Por kjo nuk më pengon që të vij në Tiranë për të takuar Kryeministrin, të cilin e kam mik dhe për të diskutuar me të. Mos kujtoni se kam ndonjë iluzion! Nuk pres që nesër të gjej zgjidhjen e situatës. Nuk është kështu. Mund të them se në turneun që po bëj në Ballkan do të takohem edhe me zotin Berisha.
Ju do të takoni përfaqësues nga qeveria, mendoni se nuk vlejnë kontaktet me opozitën, apo si duhet ta kuptojmë kalendarin e takimeve tuaja?
Nëse përfaqësuesit e opozitës janë aty, unë do të takohem edhe me ta. Unë nuk kam ndonjë problem, nuk jam racist dhe diskutoj me cilindo. Kam diskutuar me zotin Rama kur ishim në Strasburg. Demokracia është e tillë, unë zakonisht diskutoj me njerëz të opozitës.
Kriza në Shqipëri po vazhdon prej 10 muajsh dhe shumë njerëz ngrenë supet dhe nuk e dinë se si mund të përfundojë ajo. Cili është vizioni juaj, i grupit të djathtë të Parlamentit Evropian, për gjendjen në Shqipëri dhe për kapërcimin e krizës?
Po ju shfaq pikëpamjen time personale. Fatmirësisht, Shqipëria tashmë është një vend demokratik. Para një viti u zhvilluan zgjedhje dhe të tilla do të ketë përsëri pas katër vitesh. Ajo që kam për tju thënë udhëheqësve shqiptarë, edhe zotit Rama, është se në vend që të merremi me të shkuarën, le të merremi me të ardhmen. Pas katër vitesh do të ketë përsëri zgjedhje. Kjo është demokracia.
Si e vlerësoni letrën që keni marrë nga kryetari i PS-së, Edi Rama dje?
Për cilën letër e keni fjalën? Mua ende nuk më ka mbërritur ndonjë letër.
Po nëse edhe pas kësaj vizite nuk gjendet ndonjë rrugëdalje, a i prek dhe si, kjo gjendje marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Evropian?
Siç ju thashë, nuk kam ardhur për të gjetur një zgjidhje. Duhet mbajtur parasysh se udhëheqësit kanë idetë e tyre dhe duhet respektuar loja politike. Është gjithashtu pjesë e demokracisë që të mos gjesh një zgjidhje ashtu siç ne, unë dhe Martin Schulz do ta donim. Pra, lidhur me Shqipërinë, kjo nuk përbën një çështje për Evropën. Nuk ka një çështje, thjesht do të ketë një rezolutë për Shqipërinë, siç do ketë edhe për Maqedoninë dhe siç ka pasur për të gjitha vendet çdo vit.
Çështja në Shqipëri shtrohet se çfarë ndikimi ka, apo do të ketë, situata politike mbi çështjen e heqjes së vizave? Cili është mendimi juaj?
Unë nuk mund tju them sot se cila do të jetë shumica e Parlamentit Evropian për këtë çështje. Por sinqerisht mendoj se nuk do të ndalim procesin e vizave për arsye se nuk ka një marrëveshje politike në vend. Ne jemi përpjekur. Pati një grevë urie, opozita nuk ishte në Parlament, tani ajo është atje. Ne jemi përpjekur dhe shpresoj se do të vazhdojmë të negociojmë. Unë në këtë drejtim do të përpiqem.
Për çfarë do të ishit i kënaqur pas kësaj vizite në Shqipëri?
Më lini pak të ëndërroj. Sikur të gjenim një zgjidhje mes të djathtëve dhe socialistëve do të kishte qenë shumë e bukur, por kjo më duket si një ëndërr.