E Shtunë, 31 Tetor 2026

Daul: Respektoni institucionet e drejtësisë

BRUKSEL- Kryetari i grupit të Partive Popullore Europiane, Jozef Daul, ka kërkuar dje respektimin e institucioneve në Shqipëri. Në një prononcim për mediat shqiptare, Daul tha se rezultati për Tiranën do të jepet nga gjykata dhe se në vend, për pasojë, duhet të triumfojnë pikërisht rregullat. “Me sa di unë, rezultati do të jepet nga gjykata. Kur fiton, sigurisht që je gjithmonë i kënaqur. Thelbësore është që demokracia funksionon, që rregullat demokratike zbatohen. Kjo është themelore. Dëgjoni! Duhen respektuar rregullat. Ka gjykata, ka organe vendimmarrëse. Duhet të triumfojnë rregullat. Për më tepër, nuk është një parti e vetme që vendos, nuk është rruga. Demokracia është votë. Atëherë, kjo duhet respektuar. Unë kam dërguar përfaqësuesit tanë për të kontrolluar atje, kemi vendimet gjyqësore, ka pasur numërim dhe rinumërim votash. Nëse të dhënat janë të sakta, atëherë pas numërimit, kjo punë mbaron. Çfarë mund të bëjmë ne nga Brukseli tjetër? Ne themi se ekziston e drejta, por ekziston edhe drejtësia. Duhet të mësohemi me një gjë të tillë”, - tha Daul. Edhe eurodeputeti Elmar Brok, thekson se duhet të pranohet rezultati i zgjedhjeve dhe të punohet për progresin e vendit. “Natyrisht që opozita gjithmonë mund të kontestojë rezultatet e zgjedhjeve. Unë mendoj se tani nuk ka arsye reale për një gjë të tillë. Opozita do të duhej të mundësojë që rezultatet e zgjedhjeve të vijojnë si një pune normale, sepse kjo është rruga më e mirë për të ardhur një ditë në pushtet dhe jo duke penguar përparimin e vendit kohë pas kohe” - tha ai. Zgjedhjet vendore kanë qenë objekt i bisede edhe në takimet që Kryeministri Sali Berisha zhvilloi me përfaqësues të së djathtës në samitin e Partive Popullore Europiane.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›