E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kume: PS duhet të paraqesë prova të pakontestueshme

Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume, thotë se urdhri i Kolegjit Zgjedhor, për hapjen e kutive të 11 njësive bashkiake të Tiranës nga KQZ, është realizuar formalisht. “Cilësia, mënyra se si është administruar, është realizuar ky detyrim i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, është pjesë e atakimit, siç ne e dimë pozicionin që ka mbajtur ndaj kësaj veprimtarie administruese të Kodit të Zgjedhor, pjesa ose përfaqësuesit e opozitës. Presim që ata ta ankimojnë këtë si proces dhe rezultatin natyrisht që del nga ky proces”, tha Kume. Sipas tij, Ristani është ai që drejton mbledhjen, është i barabartë mes të barabartëve, ky është ligji, ndaj nuk i duhet faturuar gjithçka ndodh në KQZ. Komisioni është organ kolegjial merr vendime kolegjiale dhe vendimmarrja e tij duhet t’i faturohet të gjithë anëtarëve. “Ristani krijoi një situatë, të cilën nuk ishte dashur ta krijonte, s’kishte pse të bëhen prova të tilla”, u shpreh Kume. Llogaritjet matematikore për ndryshimin e trendit të votave të hedhura gabim, që u gjetën në 1793 kuti nga 368 qendra votimi, të hapura pas urdhrit të Kolegjit, me ato të 117 që hapi KQZ-ja, për profesor Kumen, është thjeshtë pjesë e një analize politike. Kume thotë se beteja ligjore që po përgatit PS, për t’u ankimuar në Kolegjin Zgjedhor, duhet bazuar në prova të pakontestuara. “Nëse opozita është në gjendje që të sjellë prova të pakundërshtueshme, për ekzistencën e diferencës mes numrit të votuesve që kanë marrë pjesë në zgjedhje dhe fletëve të numëruara, në kushtet kur kjo diferencë kapërcen diferencën mes dy garuesve, që janë 95 vota tashmë, problemi ligjërisht është i zgjidhur, në kuptimin që Kolegji Zgjedhor shumë shpejt merr vendimin dhe vendimi dihet se cili është, vendim që tashmë ka marrë për rastet e jashtme: pavlefshmëri e zgjedhjeve”, theksoi Kume.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›