E Shtunë, 31 Tetor 2026

Daul:Procesi i liberalizimit të vizave për Shqipërinë nuk do ndalet

"Procesi i liberalizimit të vizave për shqiptarët nuk do të ndalet për asnjë arsye, sepse shqiptarët duhet të lëvizin të lirë dhe se Shqipëria, pas përparimeve të mëdha e të dukshme që ka bërë, meriton plotësisht të jetë pjesë e familjes evropiane".

Kështu është shprehur Kryetari i Grupit të Partive Popullore të Parlamentit Evropian, Zhozef Daul gjatë një takimi me presidentin Bamir Topi. Sipas tij palët dhe drejtuesit e lartë politikë shqiptarë duhet të shohin nga e ardhmja demokratike e të zbatojnë rregullat që imponon demokracia në respekt të Kushtetutës dhe shtetit të së drejtës.

Nga ana e tij presidenti Topi shprehu kënaqësinë e këtij takimi të veçantë dhe pasi e njohu zotin Dol me situatën politike aktuale në vend, Presidenti Topi vlerësoi lart dhe njëkohësisht falënderoi zotin Dol për rolin e tij të rëndësishëm dhe kontributin e çmuar në zgjidhjen e ngërçit politik në Shqipëri dhe si një nga përkrahësit më të palëkundur të perspektivës evropiane të vendit tonë.

Duke shprehur bindjen se Shqipëria do të dijë të plotësojë kushtet dhe detyrimet e kërkuara për anëtarësimin sa më shpejt në Bashkimin Evropian, Presidenti Topi vuri në dukje se "me vullnetin politik të palëve, pas rivendosjes së dialogut politik institucional mes mazhorancës dhe opozitës, si dhe me angazhimin serioz të tyre, ekzistojnë të gjitha mundësitë që zgjidhja të vijë në mënyrë institucionale dhe në funksion të demokracisë dhe të interesave të qytetarëve shqiptarëve."

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›