Davenport: Ndarja e Kosovës nuk është opsion

"Është shumë mirë që presidenti Tadiq ka theksuar qartë se ndarja nuk është qasja më e mirë. Ndarja nuk është qasje e mirë, dhe në njëfarë mënyre madje është edhe e rrezikshme, sepse do të kishte pasoja të këqija edhe në shtetet tjera të rajonit”, tha Davenport për B92, duke shtuar se edhe qëndrimi i Britanisë është i tillë.
Sa i përket planit prej katër pikave të Tadiqit, Davenport tha se ato pika janë elemente të rëndësishme për çfarëdo zgjidhje për Kosovën.
"Të katër pikat janë të instaluara në Planin e Ahtisaarit, natyrisht me zgjidhje tjera sa i përket statusit”, ndërkaq, lidhur me prezantimin e Kosovës në forumet rajonale, Davenport paraqiti qëndrimin se duhet arritur në zgjidhjen që do t’i mundësojë Prishtinës të marrë pjesë në ato tubime dhe se është në interesin e të gjitha palëve që Kosova të luajë rolin e saj të plotë në forumet rajonale.
"Kjo nuk është çështje e njohjes, por e prezantimit”, shtoi ai. "Nuk pres tashti që Serbia ta njohë Kosovën si shtet të pavarur. Është e qartë se Serbia ka politikë tjetër dhe nuk do që ta njohë Kosovën, por është me rëndësi që të punojmë bashkë për të arritur deri te normalizimi i raporteve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, tha ambasadori britanik.