Një natë me Lasgushin
Lasgush Poradeci do të jetë poeti i dytë i përzgjedhur nga Qendra Kulturore “Tirana” për mbrëmjet poetike. E nisur me Naim Frashërin, kjo është një iniciativë e ndërmarrë në kuadrin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Aktorët e njohur të teatrit, Yllka Mujo, Fatos Sela, Anila Bisha, Rozi Kostani dhe Kastriot Ramollari, të shoqëruar në violinçel nga Iljard Shaba, do të sjellin 16 poezi të përzgjedhura.
“Vdekja e Nositit”, “Poradeci”, “Përjetësia”, “Ku shtrohet vala”, “Dremit Liqeri”, “Trashëgimi”, “Kënga Pleqërishte”, “Përse të dua” etj., janë disa nga poezitë e përzgjedhura për mbrëmjen e 22 shkurtit. Nuk do të jetë një interpretim i thjeshtë i poezisë, por rrekja për të krijuar një atmosferë lasgushiane nën regjinë e Arjeta Dhimës, drejtor artistik, Suela Konjari.
“Kjo mbrëmje poetike do të tejkalojë perceptimin e thjeshtë të fjalës dhe të emocionit të butë që vargjet e vetë Lasgushit përcjellin. Aty ka ngjyra jete, ngjyra dashurie, ngjyra të vërteta. Në këtë performancë do të gërshetohen së bashku arti i fjalës, muzika dhe kërcimi”, shpjegon regjisorja.