De Biazi apel italianëve: Në Shqipëri ka talente
Trajneri i kombëtares shqiptare premton ndeshje spektakolare me kuqezinjtë, por tremb kur thotë se mund të largohet për një projekt serioz
Momente speciale dhe vërtet të veçanta po kalon trajneri Xhani De Biazi në krye të bankinës së Shqipërisë. Gjatë një interviste nga FantaGazzetta, italiani vlerëson punën që ka bërë deri tani me kombëtaren tonë, dhe tregon projektet për të ardhmen. Ai ka folur gjithashtu edhe për futbollin në vendin e tij, duke thënë se Juventusi e ka siguruar tashmë kampionatin dhe ka pak vlerë java në të cilën do ta fitojë zyrtarisht.
Mister përshëndetje. Të dielën është ndeshja mes Juventusit dhe Torinos. Sa shanse ka Zonja e Vjetër të festojë titullin ndaj ish ekipit tuaj?
Nuk di të them se si do të përfundojë ndeshja, por sigurisht Juventusi fiton kampionatin. Nëse ndodh këtë javë, apo javën tjetër nuk ka shumë rëndësi. Është skuadra më e fortë e kampionatit dhe prej dy vitesh po e dëshmon këtë.
Sigurisht që Torino do të bëjë maksimumin?
Patjetër. Juventusi nuk do ta ketë aspak të lehtë. Derbi është gjithmonë një ndeshje e rëndësishme. Në të parën fituan bardhezinjtë, ndoshta këtë herë gjithçka mund të ndodhë.
Nga një në dhjetë, sa do të doje të uleshe në stolin e Torinos të dielën?
Padyshim që do të ishte emocion. Por për momentin jam shumë mirë në stolin tim tek Shqipëria.
Cili është derbi më i bukur që ju kujtohet?
Mbaj mend një ndeshje në të cilën humbën nga goli i Amaurit, por ka qenë ndeshje shumë e ekuilibruar.
Ju jeni në një moment mjaft të mirë me skuadrën që drejtoni. A do të kualifikoheni për në Brazil 2014?
Shumë e vështirë për tu përgjigjur. E filluam garën pa shumë pretendime. Synimet tona ishin rinovimi i ekipit. Gjendemi mirë në renditje, por kemi për të luajtur edhe pesë ndeshje të tjera. Më e bukura vjen tani.
Sipas jush, kush është lojtari shqiptar më i talentuar?
Pyetje e bukur nga ana juaj, por shumë e sikletshme për mua (qesh). Sigurisht që nuk do të përgjigjem them që kemi lojtarë shumë të talentuar. Në kampionat gjithashtu ka lojtarë të mirë, por më të mirët luajnë jashtë Shqipërisë.
Në Itali ne njohim Canën, Bogdanin dhe Ujkanin. Nëse do të thoshit një emër tjetër dhe tia sugjeronit ekipeve italiane kush do të ishte?
Nuk e bëj këtë sepse do të bëja reklamë për disa dhe për të tjerët jo. Di të them që skuadrat italiane duhet të hedhin sytë nga Shqipëria sepse ka lojtarë shumë të mirë dhe me potencial të madh.
Thatë që ndiheni shumë mirë në Shqipëri. Ju pyes, sa ju mungon futbolli italian ?
Shumë pak. Është e sigurt që një ditë do të kthehem këtu. Nuk thash as nesër as, pasnesër por një ditë që do të më ofrohet një projekt serioz.
Flasim pak për Serinë A. Kush do të arrijë në vendin e tretë, Fiorentina apo Milan?
Është sfidë shumë e bukur dhe mendoj që Milani do tia dalë në fund. Nuk e di aspak kalendarin që kanë deri në fund dhe nuk mund të jap parashikime të sakta. Kuqezinjtë kanë të gjithë potencialin për ta arritur këtë synim edhe pse Fiorentina është skuadra që në këtë sezon ka bërë progres më shumë se kushdo. Montela ka rinovuar ekipin deri në rrënjë.
Është betejë e ashpër ajo për Europa Ligën, mes tyre edhe ish ekipi juaj Udineze. Çfarë mendoni?
Udineze më surprizon gjithmonë. Ka shitur disa lojtarë kryesorë dhe është gjithmonë aty, në mes të tabelës. Kjo falë punës në këtë ekip dhe trajnerit Guidolin. Ka një shkrirje perfekte mes lojtarëve të vjetër dhe talenteve.
Qarkullojnë zëra se Di Natale do të lërë futbollin në fund të sezonit. Në këtë rast, sa humbet Udineze?
Nuk besoj se Toto do të lërë futbollin. Përderisa arrin të shënojë gola në këtë mënyrë, si kundër Lacios mendoj që mund të luajë akoma. Ai jeton për golin dhe ka një inteligjencë futbollistike jo si të tjerët.
Finalja e Kupës është e gjitha kryeqytetasve, për kë do të bëni tifo?
Shumë e vështirë. Duhet të kuptojmë që Lacio ka shpenzuar shumë energji gjatë këtij sezoni duke luftuar në të trija frontet. Të dyja ekipet kanë objektiv kryesor këtë trofe, do të jetë ndeshje interesante. Mendoj që Roma ka pak shanse më shumë.
