Velaj: Jemi macja e zezë e grupit
Sulmuesja 23-vjeçare e prano se janë një ekip pa shumë eksperiencë por ajo thotë se këtë fakt mund ta kthejnë në favor të tyre
Ajo është bomberja e ekipit kombëtare për femrat. Furtuna Velaj ka shënuar dy gola në tre ndeshje në fazën para-eliminatore të kampionatit botëror për femra Kanada 2015. Kjo është një ecuri shumë e mirë për 23-vjeçaren por ajo shikon larg…ndoshta një kualifikimit edhe pse duket i pabesueshëm. Në intervistën që i kemi marrë, Velaj shprehet se, janë macja e zezë e grupit 5, ku bëjnë pjesë Norvegjia, Belgjika, Portugalia dhe Greqia.
Kjo është hera e parë që ekipi i kombëtares shqiptare merr pjesë në eliminatoret e një kampionati botëror pasi vetë ekipi kombëtar është krijuar vetëm në fund të vitit 2011 por Velaj thotë se, fakti që janë një ekip i ri do të thotë se mbi ato nuk ka presion.
Ndeshja e parë e kombëtares së femrave do të jetë në datë 21 shtator të këtij viti dhe do të luhet në Belgjikë kundër përfaqësueses belge, ndërsa pesë ditë më vonë, të besuarat e Altin Rraklli do të presin në shtëpi Holandën në një ndeshje mjaft të vështirë.
Furtuna, si u krijuan kontaktet e para midis jush dhe kombëtares?
Fillimisht unë u spikata nga trajneri Albert Kurti, kur unë studioja në një universitet në Angli. Kur ky i fundit pasi zbuloi që unë isha shqiptare, kontaktoi menjëherë me Federatën Shqiptare të Futbollit. Prej andej më erdhi ftesa për tu bërë pjesë e ekipit.
A u menduat dy herë kur pranuat të luanit për Shqipërinë?
Të them të drejtën u mendova dy herë sepse fakti që unë jam rritur në Amerikë më jepte mundësinë që të luaja edhe për përfaqësuesen e Amerikës. Po mundohesha që të gjeja një vend në kombëtaren U23 të saj, por nuk mu dha asnjë mundësi. Gjithsesi, pasi pranova ftesën nga kombëtarja ime, e ndjeva brenda vetes që kisha marrë vendimin e duhur dhe isha shumë e lumtur. Jam shumë krenare të përfaqësoj vendin tim në arenën ndërkombëtare.
A ndiheni mirë në kombëtare dhe a keni krijuar marrëdhënie të mira me vajzat?
Një nga arsyet që më bën ta dua shumë kombëtaren është fakti që unë marr një mbështetje maksimale në skuadër. Dua të falënderoj të gjitha vajzat e ekipit sepse kanë qenë me të vërtetë një ndihmë e madhe për mua. Më kanë bërë të ndihem si në shtëpinë time.
Po për trajnerin tuaj në kombëtare, Altin Rrakllin, çfarë mund të na thoni?
Ai është me të vërtetë një trajner i mirë dhe ka një vizion mjaft të mirë për lojën dhe për të ardhmen. Më pëlqen shumë pasioni dhe dëshira që ka ai për futbollin. Gjithmonë më jep motivim dhe më shtyn përpara që të jem një lojtare sa më e mirë.
A mendoni se mund të kualifikoheni për në Botërorin Kanada 2015?
Mendoj se jemi macja e zezë e grupit. Kemi një grup mjaft të vështirë, por fakti që ne jemi një ekip i ri në një fare mënyre na heq presionin që mund të kenë ekipet e tjera. Duhet një punë e madhe, por diçka brenda meje më jep shpresë për kualifikim.
A jeni e kënaqur me progresin e bërë skuadra deri në këto momente?
Mendoj se skuadra ka akoma nevojë për eksperiencë dhe rritje të nivelit të lojës. Ne jemi një ekip i ri shumë ambicioz. Gjithsesi mua më pëlqen fakti që vajzat japin maksimumin e tyre në fushën e lojës. Kjo tregon se tek ne ka një dëshirë të madhe për tu përmirësuar.
A mendoni se me ardhjen në ekip të disa lojtareve të talentuara ekipi mund të paraqitet edhe më mirë?
Unë shpresoj që motra ime më e madhe, Linda, të vijë dhe të luajë me ne. Ajo është një golashënuese fantastike dhe mendoj se do të sjellë gjëra pozitive në ekip. Unë shpresoj që ekipit ti bashkohen edhe vajza të tjera në mënyrë që të rrisim nivelin e lojës tonë.
A keni ndonjë mesazh për tifozët shqiptarë?
I bëj thirrje të gjithëve të vijnë dhe të na mbështesin sepse janë me të vërtetë një shtysë e madhe për ne. Dua tju kërkoj që të vijnë të na shikojnë në ndeshjet që do të zhvillojmë në shtëpi pasi do të jenë një lojtar i 12-të për ne. Gjithashtu dua ti falënderoj për mbështetjen e deri tashnishme dhe i përshëndes.
