De Brichambaut: Të respektohen ligjet dhe detyrimet kushtetuese
“Koha është në anën tuaj. Është e rëndësishme që të gjithë të respektojnë ligjet dhe detyrimet kushtetuese në raport me zgjedhjet e ardhshme lokale. Procesi për zgjedhjet e majit do të ecë përpara”. Kështu u shpreh sot gjatë takimit me Kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli, Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Marc Perrin de Brichambaut, i cili ka mbërritur sot në Tiranë në krye të një delegacioni.
Kryetarja e Kuvendit shprehu mirënjohjen e saj për mbështetjen e rëndësishme që OSBE ka ofruar ndaj Shqipërisë ndërsa vlerësoi rolin e OSBE në certifikimin e zgjedhjeve të vitit 2009, si zgjedhje që plotësuan standardet.
Jozefina Topalli theksoi rëndësinë që ka vazhdimi i përgatitjeve për zgjedhjet vendore të 8 majit si dhe angazhimi për zgjedhje të lira, transparente dhe të ndershme sipas standardeve evropiane.
“Ne jemi vend demokratik, dhe sistemi jonë ka si parim themelor votën e lirë, respektin për Kushtetutën dhe detyrimet kushtetuese. Ne besojmë në këto parime” tha kryetarja e Kuvendit duke theksuar rëndësinë e dërgimit të sa më shumë vëzhguesve të OSBE për monitorimin e zgjedhjeve vendore. Rinumërimi i votave nga Prokuroria në Shkodër, ishte dëshmia absolute e standarteve më të larta të zgjedhjeve të 28 qershorit.
Kryetarja e Kuvendit dhe Sekretari i Përgjithshëm i OSBE ndanë të njëjtin mendim, se duhet një hetim gjithëpërfshirës dhe i pavarur i ngjarjes së 21 janarit. Në këtë drejtim, Kryetarja e Kuvendit vlerësoi asistencën e partnerëve tanë në ndihmë të procesit të hetimeve.
Organizatorët e rrethimit për 5 orë të Kryeministrisë, me njerëz të armatosur e të inkriminuar, në tentativën e dështuar për të rrëzuar përmes dhunës një qeveri legjitime, do përgjigjen para ligjit, pavarësisht se deri më sot një titullar institucioni, apo dy, janë të interesuar që kjo të mos ndodhë.
Paralajmërimi i atyre që thanë se : “13 mijë kufoma janë asgjë” , ngjan si dy pika uji vetëm me Gedafin.Shqiptarët nuk pranojnë dhunën. Me 21 janar ato braktisën njeriun e dhunës.
Një vlerësim të veçantë, kryetarja e Kuvendit shprehu edhe për bashkëpunimin e Parlamentit me OSBE në kuadër të rritjes së profesionalizmit të administratës ndërsa shprehu angazhimin për vijimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi.