Brischambaut-Berishës: Zgjedhjet, në afatin kushtetues

Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së Marc Perrin De Brischambaut ka deklaruar se në Shqipëri ekzistojnë të gjitha kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike dhe se këto zgjedhje duhet të mbahen në afatin e tyre kushtetues. Në takimin me kryeministri Berisha, sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së De Brischambaut rikonfirmoi mbështetjen e plotë të kryesisë së radhës së OSBE-së për këtë çështje.
Ai gjithashtu shprehur gatishmërinë e Organizatës për të kontribuar nëpërmjet ekspertizës dhe vëzhgimit që zgjedhjet e 8 majit të ruajnë standardet e larta të konstatuara nga ODIHR dhe ti çojnë ato më tej.
Nga ana e tij kryeministri Berisha e siguroi zotin Brischambaut për angazhimin e plotë të qeverisë shqiptare për të garantuar një proces zgjedhor në përputhje me angazhimet e OSBE-së.
Duke falënderuar për dërgimin e misionit të vëzhgimit, kryeministri Berisha theksoi se është në favor të dhënies së hapësirave maksimale për vëzhguesit ndërkombëtarë si një mënyrë për të kontribuar në transparencën dhe në cilësinë e zgjedhjeve.
Ai shprehu mbështetjen e plotë për rekomandimin e parë të raportit të OSBE/ODIHR ku kërkohet kontributi i qenësishëm nga çdo forcë politike përfshirë dhe opozitën, në mbajtjen dhe rritjen e këtyre standardeve.
Sekretari i Përgjithëm Brischambaut, gjithashtu falënderoi kryeministrin Berisha për kontributin e Shqipërisë në organizatë dhe mbështetjen që Shqipëria i ka dhënë punës së Prezencës së OSBE-së në Tiranë. Ai vuri në pah një seri projektesh të përbashkëta të rëndësishme dhe i vlerësoi ato, si arritje të mëdha të qeverisë shqiptare, si ai për gjendjen civile, sistemin e adresave, në fushën e pronësisë apo asistencën për Policinë e Shtetit, si dhe mjaft projekte të tjera në fushën e demokratizimit dhe të mirëqeverisjes, projekte këto të cilat kanë kontribuar në avancimin demokratik të Shqipërisë.