De Marnhac: Liria e lëvizjes është një domosdoshmëri
EULEX-i nuk është në gjendje të lëvizë lirisht në veri të Kosovës për shkak të kundërshtimit të serbëve lokalë të cilët akuzojnë misionin për anshmëri ndaj zyrtarëve të Prishtinës.
Shefi i EULEX-it, Xavier Bout De Marnhac ka deklaruar se misioni i BE-së dëshiron që të hiqen barrikadat e vendosura nga serbët lokalë, dhe të ketë lëvizje të përhershme dhe të pakushtëzuar për të gjithë.
“Rivendosja e lëvizjes së lirë është një parakusht absolut për sundimin efektiv të ligjit në tërë Kosovën. Është e rëndësishme që të ketë lëvizje të plotë në rrugët e veriut të Kosovës, jo vetëm për EULEX-in dhe KFOR-in, por edhe për njerëzit, në mënyrë që ata mund të jetojnë normalisht jetën e tyre të përditshme” ka theksuar De Marnhac.
EULEX-i do të luajë rol në marrëveshjen e Menaxhimit të Integruar të Kufijve (MIK), por roli i saktë do të përcaktohet me kalimin e kohës.
“Detajet për zbatimin do të diskutohen midis palëve. Megjithatë, EULEX-i është i gatshëm të ndihmojë në këtë çështje”, thotë Marnhac.