Debat në grup, PS në dilemë për ndërprerjen e grevës
Gjiknuri: Ska kuptim zëvendësimi i grevistëve
Kur fuqitë fizike të grevistëve të urisë po shteren, kreu i PS-së, Edi Rama, është vënë para pikëpyetjes për ta vazhduar më tej këtë grevë. Duke vendosur për këtë grevë më 30 prill, pa menduar më parë për një strategji dalëse, ai po shteron të gjitha opsionet për të mos pranuar dështimin e grevës së urisë, ndërkohë që kërkesat e tij nuk janë plotësuar nga mazhoranca. Duke folur me vendosmëri për vazhdimin e saj, por duke ditur se dhe pak ditë mund të ndodhë kjo, ai ka thirrur pjesën e mbetur jashtë të grupit parlamentar në konsultim. Megjithëse kanë qenë vetëm gjysma e deputetëve, për shkak se një pjesë janë në grevën e urisë dhe disa deputetë kritikë nuk janë thirrur fare në mbledhje, Rama nuk ka gjetur kohezion në qëndrimet e tyre. Dy kanë qenë tezat e hedhura në këtë takim: një, zëvendësimi i grevistëve që kanë dalë me të rinj dhe dy, deklarimi i përfundimit të grevës dhe vazhdimi i protestave më të forta, duke kaluar në kërkesë për zgjedhje të parakohshme dhe duke deklaruar mosnjohjen e qeverisë. Rama ka marrë këshilla nga disa deputetë të rinj që ta ndërpresë grevën, pasi sipas tyre, ajo e ka kryer tashmë misionin e saj. Ndërsa nga të vjetrit Rama ka hasur një gatishmëri të fortë për të vazhduar grevën, jo me ata që kanë 18 ditë brenda, por me njerëz të rinj. Mësohet nga burime brenda grupit se Ethem Ruka, Arta Dade e Namik Dokle kanë shfaqur dëshirën, për të hyrë në grevë urie duke kërkuar nga Rama që të mos e ndërpresë këtë radikalizimin të qëndrimit opozitar. Këta deputetë kanë kërkuar që të zëvendësojnë kolegët e tyre që kanë përfunduar tashmë në spital në gjendje jo të mirë shëndetësore. Ndërsa po këto burime thanë se deputeti Damian Gjiknuri ka mbrojtur tezën se greva e ka përmbushur objektivin e saj. Sipas Gjiknurit, është e pakuptimtë që të zëvendësohen ata që kanë lënë grevën, sepse kështu do të humbë kuptimin sakrifica e tyre. Mendimin e Gjiknurit e kanë mbështetur dhe disa deputetë të tjerë, sipas të cilëve, mund të vazhdohet rruga e protestave pas përfundimit të grevës, një rrugë që e ka nënkuptuar dhe Rama në fjalimet e tij dy ditët e fundit. Por në mbledhjen e djeshme siç mësohet nga burime të brendshme, Rama ka folur për vazhdimin e grevës. Ai ka thënë se kjo grevë e urisë duhet të vazhdojë, sepse sipas tij, po ngre lart PS-në dhe po gërryen Berishën. Si përfundim, mbledhja është mbyllur pa asnjë vendim, duke e shtyrë për ditët në vazhdim gjetjen e një strategjie. Zëdhënësja e grupit, Mimi Kodheli, tha se grupi parlamentar i Partisë Socialiste vendosi që greva e urisë të vazhdojë deri në plotësimin e të gjitha kërkesave të opozitës. Nga ana tjetër, ajo shtoi se nuk kishte vendim për një grevë urie të re, e cila do të niste me hyrjen e grevistëve të rinj, një situatë kjo e paprecedentë për një grevë urie. Do të ketë një aksion politik i cili do të finalizohet me strategjinë për të realizuar këtë gjë. E rëndësishme është që ne kemi qenë të gjithë në unanimitet për vendimin politik që kemi marrë për vazhdimin e qëndresës dhe pjesëmarrjen kur të jetë e nevojshme në grevën e urisë. Kemi një listë të pafund mbështetësish, të cilët kanë shfaqur dëshirën dhe kanë shënuar emrin për të qenë atje brenda, - tha Kodheli.
Më shumë se 60 grevistë në spital, Rama: Greva do mbetet në histori
Në ditën e djeshme ka shkuar në 60 numri i atyre që kanë lënë çadrat e grevës së urisë së nisur nga PS. Në gjendje të rënduar shëndetësore dje kanë shkuar në spital deputetet Olta Xhaçka dhe Shega Ligori dhe disa grevistë mbështetës. Nga ana tjetër, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, theksoi vendosmërinë e opozitës për të mos e ndalur aksionin politik në kërkim të transparencës së plotë të zgjedhjeve të kaluara. Lideri i opozitës i ka quajtur të pavërteta të neveritshme deklaratat e mazhorancës kundër grevës së opozitës. Këto ditë shfaqen njerëz, që për të mbrojtur oborrin e pushtetit thonë të pavërteta të neveritshme për ata që në këtë grevë urie nuk kanë hyrë për veten e tyre, por për mënyrën se si ata dhe të gjithë ne duam ta jetojmë jetën tonë në këtë vend, që është vendi ynë i përbashkët, - tha Rama. Duke nënvizuar vetëdijen e opozitës për vështirësitë e rrugës së zgjedhur, Rama tha se greva e urisë ishte e vetmja mënyrë e mbetur në luftën për të mbyllur epokën e vjedhjes së votave në vend.
Deputetët që kanë lënë grevën
Olta Xhaçka
Besnik Bare
Klodiana Spahiu
Ermonela Felaj
Shegushe Ligori
Arben Malaj
Asllan Dogjani
Blendi Klosi