E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debat për energjinë bërthamore në Evropë

Aksidenti i vitit të kaluar në kompleksin bërthamor Daichi të Fukushimës në Japoni, ka intensifikuar mosmarrëveshjet në Evropë lidhur me sigurinë dhe të ardhmen e energjisë bërthamore. Qëndrimet e ndryshme ndoshta nuk janë askund më të dukshme sesa mes fuqive më të mëdha të rajonit: Francës dhe Gjermanisë.

Kriza e eurozonës i ka forcuar lidhjet mes Francës dhe Gjermanisë. Por një krizë tjetër, aksidenti bërthamor i vitit të kaluar në Japoni  i ka vënë përballë njëri-tjetrit këta fqinjë evropianë.

Presidenti francez është mbështetës i fortë i energjisë bërthamore. Ai shpesh argumenton se energjia bërthamore është kritike për hapjen e vendeve të punës dhe për energji me kosto të ulët.

Franca është një nga prodhuesit kryesorë të energjisë bërthamore në botë. Rreth tre të katërtat e energjisë elektrike në Francë prodhohet nga energjia bërthamore. Franca gjithashtu eksporton energji dhe teknologji bërthamore. Kompanitë franceze do të ndërtojnë një reaktor bërthamor në Britani dhe po marrin pjesë në tendera për të ndërtuar të tjerë në Afrikën e Jugut.

Por aksidenti i Fukushimës e bëri qeverinë gjermane që të njoftojë për mbylljen e gjithë reaktorëve bërthamorë deri në vitin 2022, në vend të një ndërprerjeje më graduale të programit.

Vendimi i Gjermanisë pasoi protesta masive anti-bërthamore, por në Francë nuk pati të tilla protesta. Por edhe në Francë, ngjarja e Fukushimës ka ngjallur shqetësime për energjinë bërthamore që janë shprehur në takime të ndryshme me publikun, sidomos tani që vendi bëhet gati për zgjedhjet presidenciale të prillit.

Rivali kryesor i zotit Sarkozy, kandidati i Partisë Socialiste Francois Hollande do që ta pakësojë varësinë e Francës tek energjia bërthamore por jo ta eliminojë plotësisht.

Publiku u alarmua në dhjetor, kur anëtarë të Greenpeace u futën pa leje në dy stacione të energjisë bërthamore në Francë, për të vënë në pah se sa te ekspozuar ishin ato ndaj sulmeve terroriste.

Të dyja palët kanë gjithashtu qëndrime të kundërta përsa i takon kostos së prodhimit të energjisë bërthamore dhe mundësisë për t`u mbështetur plotësisht në burime energjie të ripërtëritshme si ajo diellore dhe e erës. Ajo që është e sigurt është se një vit pas Fukushimës, energjia bërthamore mbetet një element i rëndësishëm i ekuacionit të energjisë në Evropë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›