E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debate Rama-Xhafaj në grup për votimin e ligjeve me 3/5-at

SHKRUAN: Fejzi Braushi 16-11-2011 12:03

Pakti i arritur në Kuvend has në debate brenda grupit parlamentar të socialistëve.

Xhafaj: Duhen shqyrtuar e ndryshuar më parë se të miratohen. Rama: Procesi i nisur duhet të vazhdojë, pasi nuk ka asnjë arsye që të vonohet pa shkak.

Pakti i arritur para dy ditëve mes demokratëve dhe socialistëve ka ngjallur debat tek këta të fundit. Debat ky jo më shumë për marrëveshjen e arritur sesa për mënyrën e zbatimit të saj. Ndaj dje, në mbledhjen e grupit parlamentar socialist janë zhvilluar debate të gjata mes deputetëve, përfshi dhe vetë kryetarin e PS-së Edi Rama, lidhur me një pikë të konsensusit, miratimi i nismave ligjore që kërkojnë shumicë të cilësuar votash në parlament, kryesisht kodeve. Pjesëmarrësit në këtë mbledhje thuajse janë ndarë në dy grupe, ku njëri i përfaqësuar nga sekretari ligjor Fatmir Xhafaj, ka qenë për të ndjekur një rrugë më të studiuar dhe për të mos u nxituar në miratimin e projektligjeve me 3/5-at, ndërsa një grup tjetër ku ka bërë pjesë edhe Rama, ka qenë për zbatimin e marrëveshjes dhe mosvonimin e saj.

Debati

Mbledhja e djeshme ku kanë munguar një numër i konsiderueshëm deputetësh, përfshi këtu edhe ata që njihen si kritikë të lidershipit aktual, ka nisur me një fjalë të hapur të kryetarit Edi Rama, i cili mes të tjerave ka folur edhe për paktin e arritur, duke e konsideruar atë një fitore për opozitën. Më pas ajo ka vijuar e mbyllur për mediat, ku sërish temë diskutimi është bërë marrëveshja e arritur me mazhorancën. Nisur edhe nga zhvillimet e djeshme në komisionet parlamentare, mësohet se sekretari për Çështjet ligjore në PS, Fatmir Xhafaj, ka ngritur shqetësimin për mënyrën sesi po procedohet me një pjesë të nismave ligjore që kërkojnë 3/5-at e votave. Sipas tij, është jonormale dhe aspak e vlerësueshme politikisht që PS-ja të miratojë pa asnjë shqyrtim apo diskutim nisma të tilla, të cilat nuk ka pranuar t’i miratojë për kaq kohë. Burime pranë mbledhjes kanë bërë të ditur se Xhafaj ka thënë se nismat kanë vërtet probleme dhe ato duhet të kalojnë nëpërmjet një procesi të veçantë diskutimi, duke përfshirë në të edhe grupet e interesit apo specialistë të fushës. “Duhet të tregohemi seriozë dhe të kërkojmë të ndiqet një procedurë e veçantë dhe e matur, për të diskutuar projektligjet me grupet e interesit, të pyeten vetë institucionet që i kanë propozuar nëse kanë propozime të tjera”, - mësohet të jetë shprehur Xhafaj në ndërhyrjen e tij. Ndërkohë që ai mësohet se është mbështetur në këtë qëndrim edhe nga deputetë të tjerë, si Pirro Lutaj, Dashamir Peza etj, të cilët ashtu si ai nuk kanë qenë që nismat të kalojnë pa u diskutuar, aq më shumë të miratohen në seancën e së enjtes pa u kaluar më parë në komisione. Kundër një pretendimi të tillë mësohet se ka qenë negociatori i socialistëve në këtë marrëveshje, Damian Gjiknuri, i cili ka theksuar se nuk është e nevojshme për procedura speciale për shqyrtimin e këtyre nismave, pasi vetë procedura normale parlamentare lejon hapësirat e duhura që këto nisma të diskutohen gjerësisht. Në këtë linjë ka qenë edhe kryetari i grupit, Gramoz Ruçi, si dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama. Madje ky i fundit, duke debatuar me Xhafajn është shprehur se procesi i nisur duhet të vazhdojë dhe se nuk ka asnjë arsye që të vonohet pa shkak. Ndërkohë që ka kritikuar deputetët në lidhje me vonesat që kanë nxjerrë edhe për bërjen e propozimeve konkrete për të amenduar ligjet në fjalë. “Me këtë nuk dua të them që ne ngremë dorën dhe të votojmë qorrazi çdo nismë. Nuk ju ndalon kush të kërkoni kohën për të bërë propozimet tuaja”, - mësohet të jetë shprehur Rama.

Vendimi

Pavarësisht ballafaqimit të mendimeve lidhur me këtë temë, grupi socialist nuk ka arritur në një përfundim se çfarë duhet të bëjë seancën e nesërme, a duhet të votojë pro apo jo Kodit që është përfshirë në rendin e ditës. Kjo duket se do mbetet për t’u qartësuar gjatë seancës, megjithëse kreu i grupit ka lënë të kuptohet se për Kodet që nuk ka debat edhe mund të votohen.

Debati Rama-Xhafaj-Gjiknuri, me dyer të mbyllura

Fatmir Xhafaj: Duhet të tregohemi seriozë dhe të kërkojmë të ndiqet një procedurë e veçantë dhe e matur, për të diskutuar projektligjet me grupet e interesit, të pyeten vetë institucionet që i kanë propozuar nëse kanë propozime të tjera. Pra s’kemi pse të ngutemi, dje u arrit marrëveshja dhe sot t’i miratojmë. Kemi kërkuar një grup ‘ad-hoc’ që të atashohet pranë komisionit të Ligjeve dhe duhet t’i përmbahemi kësaj kërkese, pasi është rruga më e mirë për të nxjerrë një produkt të mirë dhe jo të kalojmë ligje thjesht sa për numër duke ngritur kartonat.

Damian Gjiknuri: Mendoj se është normale që ne të diskutojmë normalisht për projektligjet, por natyrisht pa pasur si qëllim që të vonojmë procesin, pasi tashmë ky është një proces edhe politik dhe për të cilin ka sensibilitete edhe nga partnerët ndërkombëtarë. Marrëveshja u arrit falë këmbënguljes së tyre. Gjithkush ka të drejtë të kërkojë kohë dhe të bëjë propozime për çdo nismë ligjore, por mendoj se nuk ka nevojë për procedura speciale apo grup ‘ad-hoc’ siç kërkohet këtu. Procedura aktuale parlamentare parashikon çdo hapësirë që nismat të diskutohen gjerësisht. Kush ka propozime ka mundësi t’i paraqesë, por ne duhet t’i qëndrojmë marrëveshjes.

Edi Rama: Ne kemi nisur një proces dhe duhet t’i përmbahemi atij pasi kemi dhënë mirëkuptimin edhe në praninë e ndërkombëtarëve. Me këtë nuk dua të them që ne ngremë dorën dhe të votojmë qorrazi çdo nismë. Nuk ju ndalon kush të kërkoni kohën për të bërë propozimet tuaja.

Fatmir Xhafaj: Meqë kemi rënë dakord në parim për ligjet me 3/5-at, nuk do të thotë që të vemi që nesër dhe të shkojmë në seancë dhe të ngremë kartonin, sepse në këtë rast ne dalim shumë keq dhe politikisht. Kjo pasi do duket sikur për dy vjet e penguam vetëm politikisht këtë punë, ndërkohë që ligjet janë vërtetë keq. Dua të sjell në vëmendje Kodin Detar, ai ka bllokuar skafet turistike dhe ne do votojmë ligjin, po ashtu për hekurudhat, apo edhe për Kodin Ajror. Tashmë ai ka vendosur monopolin me një kompani, ndërsa ne

të votojmë ndryshimet pa parë më parë se cilat janë qëndrimet e grupeve të interesit. Ndaj s’kemi pse nxitojmë që t’i kalojmë këtë javë në mënyrë që t’i diskutojmë. Ne paraqitëm një material me propozime konkrete në komisionin e Ligjeve dhe ai nuk është marrë parasysh. Ne nuk mund të kalojmë nisma që kanë qenë bllokuar prej më shumë se dy vitesh në këtë mënyrë.

Edi Rama: Jam dakord që projektligjet duhet të marrin kohën e duhur, por kjo nuk justifikon vonesat. Unë kam tre muaj që kam porositur çdo deputet që, kush ka propozime apo ide në lidhje me këto ligje t’i paraqesë, ndërkohë që kjo nuk u bë. Natyrisht është e drejtë që të merret koha e duhur, por jo me qëllim që të vonohet procesi.

Pirro Lutaj: Dua të jem korrekt në atë që dua të them. Për hir të së vërtetës, më duket e pakuptimtë që projektligjet që kanë kaq kohë që rrinë bllokuar të kalojnë në këtë mënyrë. Ne kemi miratuar axhendën e punës në komisione në momentin që u kthyen këto nisma për ridiskutim dhe ato s’mund të kalojnë në seancë pa u diskutuar seriozisht së pari në komision. Këtu u tha që të paraqiten amendamente po pati, dhe unë po them se kam propozime konkrete për njërin Kod, atë Rrugor, dhe dua t’i paraqesë në komision. Prandaj s’ka arsye për të nxituar.

Gramoz Ruçi: Nuk kemi rënë dakord që t’i miratojmë këto nisma brenda së enjtes, por brenda kalendarit trejavor. Por natyrisht, nëse ka nisma që nuk kanë debat, atëherë nuk ka pse të mos votojmë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›