E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngec pakti PD-PS, shtyhet miratimi i kodeve në komisionin e Ligjeve

SHKRUAN: Fejzi Braushi 16-11-2011 12:05

PS ka kërkuar kohë për të shqyrtuar ndryshimet në kodet që kërkojnë 84 vota. Rusmali: Kjo është prova e parë dhe nëse nuk lejojmë që prova e parë të ketë sukses, nuk do ishte marrëveshje historike, por dështim historik

Dallimet e shfaqura nga deputetët socialistë gjatë mbledhjes së grupit parlamentar janë vënë re më parë edhe gjatë komisioneve parlamentare, ku në një pjesë të mirë të tyre u diskutuan një sërë nismash ligjore, nëpërmjet të cilave propozoheshin ndryshime në Kode të ndryshme. Kështu, ndërsa në komisionin e Ligjeve deputetët socialistë nuk pranuan që të votonin për ndryshimet e propozuara në Kodin Rrugor me pretendimin se ai duhet të kalonte nëpërmjet një procesi të gjerë diskutimesh, deputetët e komisionit të Ekonomisë dhe ata të Veprimtarisë Prodhuese kanë miratuar të gjitha nismat ligjore që ndryshojnë Kodin Detar, Kodin Ajror dhe Kodin Hekurudhor pa asnjë kundërshtim dhe brenda vetëm 5 minutave, çka tregon se qëndrimi i socialistëve deri më tani për ligjet me 3/5-at nuk ka qenë parimor por politik.

Ligjet

I pari që ka pasur fatin të vërë në jetë marrëveshjen e arritur mes pozitës dhe opozitës ka qenë komisioni i Ligjeve. Por, ndërsa të gjithë ishin mprehur për të parë një seancë krejt normale dhe pa debate për shkak të konsensusit që kishin arritur palët një ditë më parë, mbledhja e djeshme është shoqëruar me debate, çka për pak sa nuk ka hedhur poshtë fjalën e dhënë nga përfaqësuesit më të lartë parlamentarë në Konferencën e Kryetarëve një ditë më parë. Debatin e ka hapur nënkryetari socialist i komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, i cili ka kërkuar më shumë kohë për miratimin e këtij projektligji, si dhe prezencën e grupeve të interesit dhe bashkimin e tri nismave që prekin Kodin Rrugor në një të vetme. “Unë besoj se Konferenca e Kryetarëve ka urdhëruar që pa u zbardhur dita, në mënyrë jo shumë korrekte, të nisim shqyrtimin e një projektligji. Unë nuk besoj dhe nuk dëshiroj të besoj se e gjithë kjo është konceptuar si thjesht një ngritje kartonash. Ne nuk kemi dhënë konsensus për një proces formal. Unë do të sugjeroja një procedurë të veçantë që është në përputhje me rregulloren, por që i shërben tërësisht edhe asaj çfarë ka vendosur Konferenca e Kryetarëve por edhe nevojës që ne kemi për të ndërtuar një proces sa më të plotë ligjbërës edhe në këtë komision, duke respektuar edhe rregulloren, edhe traditën”, - tha Xhafaj në fjalën e tij. Ndërkohë që nga ana tjetër ka reaguar kryetari i komisionit, Ilir Rusmali, i cili ka vënë theksin se për nisjen e diskutimit të këtij ligji është rënë dakord në Konferencën e Kryetarëve dhe se ajo që i mbetej këtij komisioni ishte diskutimi i nismës së paraqitur në rend të ditës. Ai gjithashtu i ka konsideruar të ekzagjeruara dhe joprocedurale kërkesat e bëra nga Xhafaj, duke theksuar se nuk kishte nevojë për një procedurë speciale. “Kjo ishte prova e parë për të parë se sa do t’i qëndronte historisë marrëveshja, dhe nëse kjo është prova e parë e ne nuk lejojmë që prova e parë të ketë sukses, nuk do ishte marrëveshje historike, por dështim historik”, - tha Rusmali ndërsa ka hedhur hije dyshimi se mes Xhafajt dhe drejtuesve socialistë kishte mosmarrëveshje për paktin. Pavarësisht debateve lidhur me këtë procedurë, komisioni ka dëgjuar shpjegimet e zv/ministrit të Ekonomisë, si dhe i ka bërë pyetje atij për ndryshimet e propozuara në Kod, ndërsa ka rënë dakord që për të mos shkatërruar konsensusin ta shtynte diskutimin për ditën e hënë.

Miratimi

Vetëm pak minuta më vonë, sikur të mos kishte ndodhur asgjë në komisionin e Ligjeve dhe nga deputetët socialistë të mos ishte ngritur asnjë pretendim mbi procedurën që duhet ndjekur për miratimin e nismave me 3/5-at, kolegët e tyre në komisionin e Ekonomisë dhe atë të Veprimtarisë Prodhuese kanë miratuar me konsensus të gjitha projektligjet e përfshira në rend të ditës. Kanë mjaftuar vetëm 5 minuta që deputetët e komisionit të Veprimtarisë Prodhuese të miratonin me konsensus tri nisma: për të ndryshuar Kodin Detar, Hekurudhor dhe atë Ajror.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›