Rama: Në demonstrata deri në fundin e qeverisë
TIRANË- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi dje, përmes një konference për shtyp, se opozita nuk ka si opsion të saj bojkotimin e zgjedhjeve lokale. Megjithatë përpos garancisë, Rama nuk dha përgjigje nëse ishte koha e mjaftueshme deri më 8 maj, për të përmbushur kërkesat që PS-ja ka për procesin e administrimit të zgjedhjeve, duke filluar që me riformatimin e KQZ-së. Në të njëjtën kohë, ai shtoi se opozita do të vijojë protestat, deri në zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme. “Përsa i përket pastaj kalendarit politik, pavarësisht nga opsioni i zgjedhjeve të reja, që është opsioni ynë për të dalë nga kriza dhe që ne do ta ndjekim me këmbëngulje, me të gjitha rrugët dhe mjetet demokratike. E përsëris, as kemi menduar, as kemi thënë ndonjëherë që do të bojkotojmë zgjedhjet vendore. Kjo është një dëshirë e hershme, e shprehur me këmbëngulje, e përhapur kudo nëpërmjet medieve, që i shërbejnë regjimit të Saliut dhe nëpërmjet gjithë rrugëve të tjera në Shqipëri dhe nëpër botë nga vetë Saliu, i cili sigurisht nuk ka faj që e ëndërron fushën të lirë, për të rrëmbyer akoma më shumë se çka arritur të rrëmbejë deri më sot, në mënyrë arbitrare dhe tërësisht të pandershme. Kjo nuk mund të ndodhë dhe ne këtë nuk mund ta lejojmë”, - tha dje Rama. Kryetari i opozitës shtoi gjithashtu se nuk është detyrë e ndërkombëtarëve, për të përcaktuar nëse duhet të ketë ose jo zgjedhje të parakohshme, pasi një gjë të tillë duhet ta vendosë populli shqiptar. “Ata kanë rolin e tyre të patjetërsueshëm, të cilin e luajnë brenda kornizës së tyre institucionale, si vende mike e partnere, si struktura të cilat i përkasin botës ku ne duam të integrohemi. Pra duhet të jemi shumë të qartë në këtë pikë, kjo është një kërkesë legjitime e shqiptarëve në Shqipëri, për t’u qeverisur nga ata që zgjedhin dhe për të mos u sunduar nga ata që nuk i lënë të zgjedhin”, - tha Rama. I pyetur mbi faktin se PS-ja është në shkelje të Kodit Zgjedhor, pasi nuk ka çuar emrat për komisionerë, Rama u përgjigj: “Ju siguroj që ne nuk i bojkotojmë zgjedhjet dhe zgjedhjet pa ne nuk bëhen”,- shtoi ai. Duke ftuar popullin opozitar, që të jenë pjesë e demonstratës, nesër në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, kryetari i opozitës theksoi se protestat nuk do të ndalojnë deri në rrëzimin e qeverisë. “Demonstratat tona, ballafaqimet tona në të gjitha hapësirat e mundshme të ballafaqimit publik dhe të gjithë përpjekjet tona do të jenë të fokusuara tërësisht për të përshpejtuar fundin e këtij regjimi”, tha ai.