Debate në Asamble, rrëzohen propozimet e grupit Blushi

Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste ka hedhur poshtë dje me një votim të hapur propozimet e bëra nga deputeti i Lëvizjes për Mendimin Ndryshe, Ben Blushi. Diskutimet kanë qenë të tensionuara dhe palët të ndara dukshëm në pozicionet e tyre të ditura. Me shumicën e votave ka kaluar drejt Kongresit të 18 prillit paketa e ndryshimeve statutore, që është miratuar nga grupi përkatës i punës, ngritur për këtë qëllim. Në fillim të mbledhjes ka qenë Ylli Manjani i cili ka kërkuar fjalën dhe ka deklaruar zyrtarisht dorëheqjen nga posti i kryetarit të komisionit për çështjet ligjore pranë Asamblesë Kombëtare. Në arsyetimin e tij, Manjani deklaroi se “PS është në kufi të legjitimitetit dhe nuk pranon mendimet ndryshe. Partia Socialiste nuk e respekton më demokracinë e brendshme dhe nuk pranon të bashkëjetojë me ata që mendojnë ndryshe”, theksoi Manjani. Teksa paraqiti publikisht dorëheqjen, ai sqaroi se “nuk mund të jem kryetar i një komisioni partie që shkel ligjin, që miraton ndryshimet dhe nuk pyet komisionin”. Manjani akuzoi më tej se kryetari Rama ka shkelur në disa raste rëndë statutin e partisë, teksa nuk ka mbledhur as forumet (referuar Kryesisë) prej disa muajsh. Anëtari i Kryesisë Arben Malaj u shpreh se minimalisht ndryshimet duhet të ishin analizuar një nga një nga grupi i statutit. Sipas tij, nuk u ftua asnjë nga kolegët që t’i argumentonte në grupin e punës. “Në një ambient që kërkon të rrisë kohezionin, duhej që një nga përfaqësuesit të prezantonte ndryshimet”, u shpreh ai. Malaj këmbënguli se janë katër forume të përfshira në ngërçin organizativ: Kryesia, Forumi Rinor, Forumi i Gruas dhe nuk është i konstituar politikisht grupi parlamentar. Malaj ka ngritur shqetësimin se në statut, sa i takon Kryesisë, është bërë hap prapa, pasi de fakto është lënë që ajo të thërritet nga kryetari. Deputeti Malaj tha se një tjetër problem është konflikti i interesit. “Thuhet se si rregull një person nuk mban dy mandate politike. Kur ka një përjashtim si rregull, ai përjashtim kthehet në rregull. Duhet të jetë në formë kategorike. PS ka kapacitete njerëzore e humane dhe mund të garantojë promovim dhe konkurrencë pozitive. Partia duhet të ketë organizim horizontal, jo autoritet vertikal”, u shpreh Malaj. Deputeti Ditmir Bushati mësohet të ketë bërë disa propozime për statutin e partisë. Konkretisht ai ka kërkuar që PS të cilësohet një parti e qendrës së majtë dhe liberale. Së dyti ai ka propozuar që të gjitha forumet e partisë në të gjitha nivelet t’i nënshtrohen votimit si forma më tipike e demokracisë së zgjedhjes. Një tjetër propozim ishte ai për komisionet pranë Asamblesë, të cilat, sipas tij, duhet të funksionojnë në bazë të organizimit të qeverisë dhe jo mbi organizmin e komisioneve të Kuvendit. Deputeti Ben Blushi ka bërë disa propozime mes të cilave dy janë veçuar. I pari kishte të bënte me sanksionimin në statut se kryetari i partisë nuk lejohet të rikandidojë pas humbjes në zgjedhje të paktën për mandatin pasardhës. Së dyti propozoi që të përfshihej në statut neni për oponencën kolektive, e thënë ndryshe fraksionet. Blushi kërkoi që propozimet të hidhen në votim vetëm si parime dhe më pas grupi i punës të merret me formulimin e tyre. Gjatë diskutimit Blushi ka shkëmbyer ironi me kreun e Asamblesë, Gramoz Ruçi, duke përdorur shprehjet “në Kongresin që natyrisht do ta drejtosh ti shoku Gramoz, se ti e drejton gjithnjë” apo “këtë votimin kush është pro dhe kush jo e ka shumë qejf Gramozi”. Ky i fundit ka përdorur po ironi për të, duke iu kundërpërgjigjur Blushit i cili u shpreh se “Gramoz, ti duhet të mbash shënim ato çka propozoj unë, sepse as grupi i punës dhe as Asambleja nuk ka tagrin të hedhë poshtë propozimet. Duhet t’ia çoni Kongresit dhe aty të votohen”. Sakaq, Bashkim Fino ka propozuar që organizimi i degëve të partisë të bëhet në nivel Zonash të Administrimit Zgjedhor, një shembull i asaj që funksionon në kryeqytet. Gjatë kohës kur po fliste Fino ka pasur edhe reagime nga salla, mes të cilave edhe deputetja Ermelinda Meksi, e cila është shprehur se “nuk po kuptojmë gjë”. Fino i është kundërpërgjigjur me ironi “se mos ke kuptuar ndonjëherë ti”. Propozimet e Blushit dhe të Finos janë hedhur në votim nga Ruçi dhe janë hedhur poshtë me shumicën e votave. “Në kongres të bëhet votimi i fshehtë dhe anëtarët të vendosin. Pra, nëse anëtarët vendosin në shumicë për këto ndryshime dhe për të tjera sikurse kërkohej dhe nga anëtarë të tjerë të Asamblesë apo të partisë, kjo është demokratike”, u shpreh deputeti Bello. Gjatë mbledhjes ra në sy prezenca shumë e shkurtër e Erion Braçes dhe largimi i tij pas një konflikti që ekziston mes deputetëve të Qarkut të Beratit. Sakaq, Damian Gjiknuri ka kërkuar në fjalën e tij që të ketë kandidatë alternativë për Kryesinë e Partisë Socialiste dhe sekretariatin e saj.
#