Megaqytetet, si po e ndryshojnë botën
Megaqytetet në botë po shndërrohen dita-ditës në megarajone, të cilat janë shtrirë mbi qindra kilometra katrorë dhe vazhdojnë çdo ditë të “gëlltisin” hapësirat përreth. Tashmë në to jetojnë rreth 100 milionë persona dhe kjo tendencë është vazhdimisht në rritje. Demografët e konsiderojnë këtë fenomen “qyteti i pafund” dhe bëhet fjalë për një fenomen që do të jetë shumë vendimtar në zhvillimet demografike të së ardhmes së afërt, pra të 50 viteve të ardhshme. Por ndërkohë është një ndryshim që bart me vete edhe probleme jo të vogla për sa i përket mënyrës së jetesës dhe funksionimit të ekonomisë. Së fundi, një agjenci e posaçme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka publikuar një raport në lidhje me përmasat që ka marrë një fenomen i tillë. Në këtë raport thuhet se ky fenomen ka arritur kulmin e tij në Kinë, në të ashtuquajturin rajoni Hong-Kong-Shenhzen-Guangzhou. Në këtë tërësi qytetesh, që janë bërë bashkë nga shtimi i lidhjeve ekonomike dhe urbane, jetojnë aktualisht 120 milionë banorë dhe kjo hapësirë sa vjen e po unifikohet, duke krijuar edhe struktura qeverisëse të përbashkëta. Zona të tjera me përmasa dhe tendenca të tilla ka në Japoni, Brazil e madje edhe në Afrikën Perëndimore, apo gjetkë. Tendenca në fjalë ka ndihmuar shumë në arritjen e një rekordi të ri demokratik që u shënua një vit më parë. Bëhet fjalë për njerëzit që jetojnë në qytet, të cilët zyrtarisht janë më të shumtë në numër se ata që jetojnë në zonat rurale. Sipas raportit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, bëhet fjalë për një tendencë gjithnjë e në rritje e që nuk do të ketë kthim pas. “Aktualisht më shumë se gjysma e popullsisë së botës jeton në qytet, por në vitin 2015 në zonat urbane parashikohet që të jetojë 70% e popullsisë së planetit. Në atë kohë, vetëm 14% e njerëzve në vendet e pasura do të jetojnë në zonat rurale, ndërsa në vendet e varfra kjo shifër është 33%.
Zhvillimi i megaqyteteve dhe megarajoneve konsiderohet kryesisht si një tendencë pozitive, sepse aktualisht ato janë duke gjeneruar pasuri dhe mirëqenie për shkak të hapjes së vendeve të punës. Gjithmonë duke iu referuar raportit, 40 megarajonet më të mëdha në të gjithë botën aktualisht mbulojnë vetëm një fraksion të vogël të banuar të planetit, rreth 1% të popullsisë së tij, por ndërkohë në to kryhet rreth 60% e aktivitetit ekonomik të globit, si edhe 85% e novacioneve shkencore. Mbi gjysma e pasurisë në botë është e përqendruar në 25 qytetet më të zhvilluara të planetit, ndërkohë që 5 qytetet më të mëdha në Indi dhe Kinë përbëjnë 50% të kësaj pasurie. Migracioni nga fshatrat në qytete ka ndikimin e vet në ekonominë e zonave rurale. Pjesa më e madhe e të ardhurave të banorëve të zonave rurale vjen nga personat e zhvendosur në zonat urbane, të cilët u dërgojnë para familjarëve të mbetur në fshat për të siguruar jetesën, duke qenë se fshati gjithnjë e më shumë po varfërohet. Rritja dhe shtimi i megazonave dhe megaqyteteve ka çuar njëkohësisht në krijimin e periferive të mëdha, zonave urbane të mbushura me të ardhura që po krijojnë lagje më vete, por duke qenë sigurisht pjesë e heterogjenitetit të një njësie të vetme. Bëhet fjalë për zona që nga pikëpamja urbane janë më të prapambetura se pjesa tjetër e qytetit dhe mbi të gjitha për zona që mund të shndërrohen në problematike, për shkak të shtimit të varfërisë dhe papunësisë. Veç shtëpive të banimit, në këtë zona ndërtohen edhe fjetore të mëdha, që u shërbejnë punëtorëve që kanë gjetur punë në qytet për t’u strehuar në darkë. Qytete të tilla të mëdha si Los Anxhelosi janë shtuar në numër në masën 45% gjatë viteve 1875-1990, por e kanë trefishuar sipërfaqen e tyre brenda së njëjtës periudhë kohore trefish. Një tendencë e tillë po shfaqet dukshëm në vendet në zhvillim. Por shtrirja urbane ka edhe aspektin e saj negativ. Sipas disave, ajo është simptomë e një qyteti të ndarë dhe disfunksional. Ky fenomen sjell një kosto më të madhe për sa i përket transportit, konsumit të energjisë dhe kërkon më shumë burime, duke shkaktuar njëherazi humbje të tokave të bukës, të cilat shndërrohen në lagje të banuara e të betonuara. Sa më të shtrirë që të bëhen qytetet, aq më i madh është rreziku i rritjes së pabarazive mes banorëve të rinj dhe si pasojë kjo do të gjenerojë tensione sociale e politike. Shanset për gjenerimin e tensioneve të tilla në megaqytete janë të mëdha. Qytetet që janë më të begata janë ato që tentojnë të zhdukin pabarazitë mes banorëve. Një politikë e tillë sjell paqe dhe siguri për të gjithë. Ndër megaqytetet më të pabarabarta dhe problematike të planetit mund të rendisim ato që ndodhen në Afrikën e Jugut. Johanesburgu është më problematiku në botë për sa i përket rendit dhe kjo si pasojë e pabarazisë së madhe ekonomike dhe nivelit të jetesës. Më pas vjen Londra lindore dhe Pretoria, qytetet amerikano-latine, aziatike janë zakonisht më të njëtrajtshme për sa i përket ekonomisë dhe nivelit të jetesës, por në disa raste sepse janë kryesisht qytete me shumë të varfër. Ndër qytetet ku ka më shumë barazi të nivelit ekonomik, edhe pse në këtë rast bëhet fjalë për barazi mes të varfërve, janë Daka në Bangladesh. Për sa i përket Nju Jorkut në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ai është një nga qytetet më të ekuilibruar për shkaqe nga më të ndryshmet, që fillojnë me racën e përfundojnë me pasurinë. Ndërsa çikagoja dhe Uashingtoni janë më të ekuilibruara. Margjinalizimi dhe segregacioni i grupeve të caktuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka shkaktuar ngritjen e qyteteve brenda qytetit. Kjo ndodh edhe për zona të tjera të mëdha urbane. Megjithatë, për studiuesit e demografisë kjo lloj tendence është pozitive, duke qenë se do të ndihmojë në përzierjen e racave dhe etnive, duke e bërë më të pranueshme ndryshueshmërinë mes njerëzve.
#