Kuvendi e dinte për katrahurën KSHC
Kuvendi i Shqipërisë dhe konkretisht Komisioni i Ligjeve, ishin vënë në dijeni rreth problemeve të vazhdueshme në Komisionin e Shërbimit Civil (KSHC). Me anë të letrës, dërguar më 5 dhjetor 2009, KSHC njoftonte kryetaren e Parlamentit dhe kreun e Komisionit të Ligjeve rreth ngërçit të shkaktuar nga kryekomisionerja Mimoza Hysenaj, e cila më pas u shkarkua me shumicë votash. Gazeta “Shqip” disponon të plotë përmbajtjen e letrës, të siguruar nga burime brenda Kuvendit, me firmën e tre anëtarëve, që vinin në dijeni instancat kompetente për kaosin e krijuar, duke kërkuar ndihmën e Kuvendit për marrjen e masave ligjore. Edhe pse u njoh me problemet dhe bllokimin e punës në KSHC, Kuvendi nuk bëri asnjë lëvizje, por priti raportimin vjetor të komisionit, për të vënë në zbatim planin e shkrirjes së institucionit të pavarur, që u krijua nga OSBE-ja dhe Banka Botërore. Këta dy institucione nuk kanë reaguar ende rreth vendimit të Komisionit të Ligjeve për të shkarkuar në bllok të katër anëtarët dhe shkrirjen e KSHC-së, duke ia kaluar kompetencat Gjykatës Administrative.
LetraBllokimi i punës së KSHC-së nisi të shfaqej në fillim të vitit 2009, duke lënë pezull marrjen e vendimeve për ankesat e punonjësve me status të larguar nga puna. Në kushte të vështira pune, anëtarët e KSHC-së i analizuan të gjitha format ligjore për t’i dhënë zgjidhje ngërçit, që, sipas tyre, shkaktohej qëllimisht nga kryetarja Mimoza Hysenaj. “Nga ana e saj tentohet të merren kompetencat që me ligj i ka KSHC-ja dhe nëpërmjet sekretarit të përgjithshëm Genc Tafaj ajo po vepron me urdhra personalë dhe jo me vendime të KSHC-së siç e parashikon ligji”, thuhet në letrën që tre anëtarët e KSHC-së, Konstandin Kazanxhi, Shahim Bistro dhe Saimir Mani, i dërgonin Kuvendit më datë 2 dhjetor, rreth “Situatës problematike në Komisionin e Shërbimit Civil”. Ata akuzojnë direkt Hysenajn për punë të papërgjegjshme dhe keqdashëse në dëm të KSHC-së, duke lënë pezull një mal me dosje të pashqyrtuara. “Rreth 40 vendime të KSHC-së të marra sipas ligjit me shumicën e votave të anëtarëve nuk ekzekutohen nga kryetarja, e cila qëllimisht, dy vjet nga zgjedhja e saj, vijon të moslejojë zgjedhjen e nënkryetarit, në mënyrë që të mbajë nën kontroll institucionin”, vijon raportimin letra. Në situatën kur merreshin vendimet, por që nuk zbatoheshin, ankesat e punonjësve të larguar nga puna shtoheshin. Me dhjetëra dosje mbetën pezull, ndërsa qytetarët trokisnin në dyert e KSHC-së për të mësuar fatin e punës së tyre, por “lufta” brenda llojit nuk u dha sqarime për një kohë të gjatë, derisa të tre anëtarët panë si zgjidhje ligjore shkarkimin e kryetares dhe votimin e nënkryetarit Kazanxhi, i cili mori drejtimin e KSHC-së. Situata ndryshoi në muajin mars 2010, pas largimit të Hysenajt, ku anëtarët nisën marrjen e vendimeve, përfshi edhe ato të prapambeturat, që në total ishin 140.
Pikërisht në momentin që institucioni po i kthehej normalitetit, vjen dita e “gjykimit” kur do të raportohej në Komisionin e Ligjeve, i cili në vend që të merrej me problematikën e shkeljes së ligjit të statusit të nëpunësit civil, të faktuara në raport, i ra për shkurt, duke i shkarkuar të gjithë anëtarët. Në këtë mënyrë, Kuvendi shuan ekzistencën e një institucioni të pavarur, që për vite me radhë ka bërë avokatin e punonjësve që largohen padrejtësish nga puna. Duhet thënë se pjesa dërrmuese e vendimeve të KSHC-së dilnin kundër akteve të qeverisë për largimet nga puna.
#