E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debate në KQZ për rezultatet paraprake, shfajësohet Ristani

TIRANË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është përfshirë nga debate të ashpra gjatë mbledhjes së sotme, pas deklaratës së zëdhënësit Olli për 71 mandatet e PD-së.
Në fjalën e tij, kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, mbrojti deklaratën e zëdhënësit të KQZ me pretendimin se gjithçka u bë në kuadër të zërit të transparencës, dhe jo si në zgjedhjet e kaluara, ku transparenca ka munguar.

"KQZ e ka organizuar punën dhe organikën e zgjedhjeve shumë transparente. Gjatë gjithë ditës së votimit janë dhënë shifra për pjesëmarrjen dhe informacione për rezultate që dilnin pas çdo kutije, gjë që ishte paralajmëruar. Risi e djeshme ishte dëshifrimi. Shifra është përkthyer dhe këtë mund ta bëjë kushdo", tha Ristani.

Ndërsa anëtari socialist i KQZ, Genci Gjoncaj qe ne fillim te mbledhjes akuzoi kryetarin e KQZ, Arben Ristani dhe zëdhnësin e KQZ se kanë abuzuar me detyrën duke dalë me qëndrime për rezultate përfundimtare ndërkohë që priten rezultatet e disa kutive që do të numërohen në Tiranë.

Gjoncaj tha se deklaratat e Ollit sollën konfuzion tek populli që është nën ethet e pritjes së rezultatit. "Me keqardhje njoftoj se deklaratat e KQZ po ngjanjnë si me deklaratat që bëhen nga selia e Partisë Demokratike. Bëj thirrje zoti kryetar se duhet të distancohemi nga politika. Momentalisht s'mund të flasim për rezultate, pasi nuk kemi mbaruar ende kutitë e fundit, duhen pritur dhe ankimimet e partive, ndaj nuk mund të dilet në rezultate si ajo e djeshmja, që shërbeu për manipulimin e opinionit", u shpreh gjatë mbledhjes së KQZ, Gjoncaj.


********


TIRANË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në mënyrë të kundërligjshme dhe pa një vendim, ka shpallur dje rezultatet e zgjedhjeve të 28 qershorit, duke i dhënë koalicionit të sotëm qeverisës 71 mandate.


Pavarësisht se KQZ-ja nuk ka mbyllur ende asnjë rezultat për asnjërin qark, aq më shumë kur në dy qarqe, Fier dhe Lezhë, mbeten ende kuti votimi pa numëruar, çka në njërin prej këtyre rasteve dhe, pikërisht në atë të Fierit, mund të sjellë dhe ndryshim të rezultatit të zgjedhjeve, jo vetëm në vota, por edhe në mandate, zëdhënësi i këtij institucioni, duke u konsultuar vetëm me kryetarin, Arben Ristani, dhe pa dijeninë e anëtarëve të tjerë të këtij komisioni, ka shpallur dje në mbrëmje rezultatet paraprake.


Ai ka shkelur në këtë mënyrë Kodin Zgjedhor, i cili nuk parashikon në asnjë nen të tij rezultatet paraprake, aq më shumë kur për to nuk ka një vendim.


"Po ju japim këto rezultate që vijnë të konfirmuara tashmë nga 4704 qendra votimi në rang vendi, duke pasur parasysh që në total kemi pasur 4753 qendra votimi. Në bazë të këtij rezultati paraprak, që vjen deri në këtë moment, më lejoni të japë shifrat dhe përqindjet sipas koalicioneve.


"Aleanca e Ndryshimit" ka 707.089 vota, ose 46.69 %. "Aleanca Poli i Lirisë" 27.493 vota, ose 1.82 %, "Aleanca Socialiste për Integrim" 83.767 vota ose 5.56 %, "Bashkimi për Ndryshim", 683.936 vota, ose 45.36 %.


Të përkthyera tashmë në mandate, rezulton që koalicionet respektive të kenë në total, "Aleanca e Ndryshimit" 71 vende në Parlament, "Aleanca Socialiste për Integrim" 4 vende, dhe "Bashkimi për Ndryshim" 65 mandate", - tha Olli, duke dhënë në të njëjtën kohë edhe shpërndarjen e mandateve për secilin koalicion në të 11 qarqet.


Një hap i tillë cenon rëndë besueshmërinë e forcave politike tek ky institucion, pasi deklarata e zëdhënësit të Ristanit ka ardhur pikërisht disa orë pasi Kryeministri Berisha deklaroi se brenda ditës së djeshme shqiptarët do të njiheshin me një rezultat zgjedhor.


Por, ajo që e bën më të rëndë situatën në këtë mes, është vetë fakti se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë për bazë të dhënat operative dhe jo studimin e tabelës së rezultateve sipas KZAZ-ve.


Dalja e Ollit para mediave për të bërë këtë deklaratë, nuk ka qenë thjesht në kuadrin e daljeve të tij të zakonshme, pasi momenti dhe mënyra në të cilën ajo u bë, për socialistët krijon hije të forta dyshimi për një prapaskenë të mirorganizuar nga kryetari Ristani, i cili për ta është vënë në përdorim të plotë të Kryeministrit Berisha. Socialistët pretendojnë se kjo deklaratë ka paragjykuar tërësisht procesin dhe vendimmarrjen e nesërme të KQZ-së në lidhje me Qarkun e Fierit.


Në këtë mënyrë, duket se KQZ-ja në mënyrë të qëllimshme është bërë pjesë e debatit që ekziston mes dy kampeve kryesore politike, të cilat pretendojnë të marrin secila mandatin e fundit në Qarkun e Fierit, i cili ka marrë një rëndësi të veçantë, pasi përcakton dhe mazhorancën e ardhshme qeverisëse.


Duke bërë këtë deklaratë, në kushtet kur për këtë qark nuk janë numëruar ende dhe nëntë kuti votimi, të cilat janë tërhequr në Tiranë për t'u numëruar prej KQZ-së, ky komision i ka hedhur "benzinë zjarrit", duke i dhënë mazhorancës aktuale qeverisëse mandatin e fundit, pavarësisht fati i tij mbetet ende pezull. Për këtë mandat, PS-së i duhen vetëm 37 vota për të qenë fituese.


KQZ-ja, në këtë deklaratë, u është referuar rezultateve të 474 kutive në këtë qark, ndërkohë që nuk kemi ende një rezultat edhe për 14 kuti të tjera, për pesë prej të cilave nuk dihet nëse janë numëruar dhe nuk jepen vetëm rezultatet apo janë konsideruar si të pavlefshme nga vet KZAZ-të.


Në këtë mënyrë, KQZ-ja, me anë të kësaj deklarate, ka paralajmëruar një seancë të vështirë ditën e sotme, ku nuk përjashtohet mundësia e një qëndrimi refuzues nga ana e anëtarëve të mazhorancës për të marrë në numërim nëntë kutitë e Fierit.


Subashi: Olli shpërdoroi detyrën


I menjëhershëm ka qenë reagimi i anëtarëve të majtë në këtë komision, të cilët kanë akuzuar zëdhënësin Olli për shpërdorim detyre. Ata kanë hedhur poshtë ekzistencën e një përllogaritjeje të tillë nga ky institucion.


Në një dalje të posaçme për mediat, nënkryetarja Dëshira Subashi, është shprehur e shokuar nga një deklaratë e tillë, e cila nuk është produkt i një vendimmarrjeje apo konsulte mes anëtarëve të këtij komisioni.


"Jam e shokuar nga kjo deklaratë, pasi Olli është institucion dhe jo person në këtë rast, që të bëjë deklarata të tilla. Lidhur me këtë deklaratë unë besoj që jemi përpara një veprimtarie, e cila nuk lidhet me urdhërimet e KQZ-së.


Jemi me një sjellje ndoshta në shpërdorim të detyrës, për të cilën besoj KQZ-ja do të shikojë këtë deklaratë të saj dizinformuese për publikun", - tha Subashi.


Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe anëtari tjetër, Artan Laze, i cili ka shpjeguar se KQZ-ja nuk ka bërë asnjë përllogaritje mandatesh dhe se gjithçka e thënë nga Olli nuk ka lidhje me institucionin që ai përfaqëson.

Tabelë përmbledhëse


Kuti të numëruara, 4704 nga 4753 që janë gjithsej
Kanë marrë pjesë në votime 1.554.430 shtetas, ose e thënë në përqindje, 50 % e totalit të shtetasve që kanë të drejtë të votojnë

Koalicioni "Aleanca e Ndryshimit" ka marrë 707.360 vota, ose 46.69%
Koalicioni "Bashkimi për Ndryshim" ka marrë 684.123 vota, ose 45.36%
Koalicioni "Aleanca Socialiste për Integrim" ka marrë 83.711 vota, ose 5.56%
Koalicioni "Aleanca Poli i Lirisë" ka marrë 27.493 vota, ose 1.82 %,

Rezultatet për kutitë e numëruara të KZAZ-së numër 39 në Fushë-Kuqe

Koalicioni i PD-së: 314, 473, 202, 390, 212 = 1591 vota
Koalicioni i PS-së: 207, 275, 82, 154, 105 = 803


Rezultatet e deritanishme për qarqet Lezhë dhe Fier

Qarku i Fierit

Në 474 kuti të numëruara nga 488 që janë gjithsej, ka rezultuar:
Koalicioni "Aleanca e Ndryshimit" ka marrë 69.494 vota
Koalicioni "Bashkimi për Ndryshim" ka marrë 89.316 vota
Koalicioni "Aleanca Socialiste për Integrim" 11.065 vota


Qarku i Lezhës

Në 240 kuti nga 244 kuti (tre kuti janë shpallur të pavlefshme, ndërsa në to udhëhiqte PS-ja) gjithsej, ka rezultuar se:
Koalicioni "Aleanca e ndryshimit" ka marrë 39.010 vota
Koalicioni "Bashkimi për Ndryshim" ka marrë 24.845 vota



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›