Doçi: Rama po kërkon me dhunë të shkatërrojë zgjedhjet
Kandidati i Partisë Lëvizja e Legalitetit në qarkun e Tiranës Agim Doçi, u shpreh se Partia Socialiste është ajo që ka shkatërruar këtë proces zgjedhor. Sipas Doçit, PS me poshtërsitë e saj politike nuk ka lejuar praninë e Policisë së Shtetit në disa qendra të numërimit të votave në veri, por ka dërguar atje policinë bashkiake të Edi Ramës, e cila është bërë shkaktarja kryesore e prishjes së procesit të numërimit.
Ai theksoi se këto manovrime të Partisë Socialiste po bëhen për shkak të humbjes, dhe se Rama e ka kuptuar prej kohësh që nuk mund të vijë në pushtet me anë të votës së lirë dhe për këtë po përdor të gjitha organet që ai ka në dorë për të vjedhur dhe manipuluar sa më shumë vota. Sipas Doçit ajo që PS ka bërë në këto zgjedhje është gjëja më e pamoralshme, dhe theksoi se veprimet e Edi Ramës po paraqesin një figurë të keqe të shqiptarëve në sytë e të gjithë Evropës. Ai u shpreh se PS është ajo që ka vjedhur dhe ka manipuluar votat e shqiptarëve, dhe se ajo po pengon komisionerët që të përfundojnë procesin e numërimit të votave, dhe këtë po e bën vetëm për të manipuluar ato kuti të cilat nuk janë numëruar akoma, duke shtuar se verdiktin dhe votën e dhënë nga populli shqiptar nuk mund ta manipulojë askush, sepse vota është e shenjtë. Në përfundim të fjalës së tij, ai theksoi se për këtë do të bëhen ankesat në KQZ, dhe do të jetë ky organ i cili do të zbardhë gjithë procesin zgjedhor, dhe votat të cilat janë manipuluar nga socialistët.