E Diel, 1 Nëntor 2026

Debate në Kuvend, Noka: Frrokuortaku juaj në biznes, PS:Jep dorëheqjen

TIRANË – Kuvendi është përfshirë nga debateve të ashpra në lidhje me publikimin e fotove të  biznesmenit Arben Frroku duke drekuar me drejtues të lartë të Policisë së Shtetit.  Deputetët e opozitës akuzojnë qeverinë për vrasjen e kryekomisarit dhe kërkojnë dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, sipas tyre kupola e policisë së shtetit është kthyer në një bandë kriminelësh, ku nuk mbrohen. Në replikë ministri i Brendshëm akuzoi opozitën se është tentativë për të krijuar zhurmë dhe prishur hetimet, dhe akuzoi opozitën se ka lidhje të ngushta me biznesmenin Arben Frroku të akuzuarin kryesor për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj. Ai foli për një darkë që deputeti Sajmir Tahiri sipas Nokës ka ngrënë me biznesmenin Arben Frrokun, 16 ditë më parë, madje shtoi se kishte një sërë fotosh të cilat do i publikojë më vonë, ku deputetët e opozitës takohen me Arben Frrokun.

Fillimisht debati nisi mes deputetit të PD-së Taulant Balla dhe kryetares së Parlamentit. Më pas, në vazhdën e seancës, fjalën e mori deputeti i PS-së Sajmir Tahiri, Ministri i Brendshëm Flamur Noka si dhe deputetët e PS-së Anduel Xhindi dhe Piro Lutaj.

DEBATI TOPALLI – BALLA:
 “Përse nuk i shkarkoni këta barkderra?!” – Me këtë pyetje dhe me një fotografi, në të cilët shfaqeshin kretët e policisë së shtetit me të dyshuarin për vrasje të kryekomisarit Lamaj, u ngjit sot në foltoren e Kuvendit, deputeti socialist Taulant Balla. Balla, fjala e të cilit u ndërpre disa herë nga kryetarja e Kuvendit për daljen jashtë teme, u shpreh i irrituar për seancën e sotme të lidhur me mjedisin, në një kohë kur duhej që ajo të hapej me një minutë heshtje për Kryekomisatin e vrarë, Dritan Lamaj. Më poshtë, pjesë nga dialogu i deputetit Balla me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli.

Topalli: Fol për çështje të strategjisë mjedisore; nëse do të flasësh, fol.

Balla: Meqënëse duhet të flasim për strategjinë mjedisore, po them se mjedisi shqiptar sot është i ndotur nga katër barkderra, që kanë marrë në qafë policinë; mjedisi shqiptar sot është i ndotur edhe nga ky ministër i paaftë; mjedisi shqiptar sot është i ndotur nga një kryeministër, që nuk vjen në kuvend të sqarojë marrëdhëniet e tij me ish-“bodigardin”; mjedisi shqiptar sot është i ndotur nga një Kuvend, që miratoi dy vendime krejtësisht kriminale: 4 HEC-et, që nuk duhet të shiteshin.

Topalli: Je krejtësisht jashtë rendit.

Balla: Mjedisi do ndotet edhe nga licenca e llotarisë kombëtare...

Topalli: Pyete shokun tënd, me të cilin bën tregti.

Balla: Ky parlament do jetë i ndotur derisa sa të jetë kjo gruaja aty (tregon me gisht, kryetaren e Kuvendit)

Topalli: Nuk ka më të ndotur sesa me ty që je këtu. Ti nuk hyn më në parlamentin e ardhëm. Shihni si zgërdhihet ai pas gjithë asaj dhimbjeje që kishte, shikoni si i qesh surrati, shihni si zgërdhihet

Më pas rreth orës 13: 30 Deputeti Sajmir Tahiri doli në foltore duke kërkuar në Kuvend, dorëheqjen e ministrit të Brendshëm Noka dhe katër drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit si të implikuar në vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt.

TAHIRI: U DHANE PARA PER TE HEQUR DRITANIN NGA SHEFI I KOMISARIATIT NR.6

Po sot, deputeti socialist Saimir Tahiri kërkoi në Kuvend, dorëheqjen e ministrit të Brendshëm Noka dhe katër drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit si të implikuar në vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt.

“Të gjithë e dimë”, - tha Tahiri, -“se kryekomisari Lamaj ka qënë në detyrë në zonën time në Kombinat dhe ajo që mendoj është se kjo fotografi është dëshmia më e qartë e asaj që kemi thënë se policia e shtetit është e tradhtuar, se oficerët e policisë së shtetit, në përballjen e tyre, nuk kanë kundër vetëm botën e krimit, por kanë ministrat, eprorët, kanë kundër këta që shihni në foto”.

“Nuk di nëse zotëria në këtë foto”, - tha deputeti socialist, - “është fajtor a jo, këtë e vendos drejtësia, po di që cilido qoftë rasti a skenari, këta katër njerëz kanë lidhje; këta katër drejtues kanë lidhje me lëvizjen nga detyra si shef komisariati të Lamajt. këtë e dinë edhe dy ministrat, e di edhe Olldashi . E di unë që e di; e di që e dinë dhe kanë dijeni për skandalin e parë në këtë histori, që është lëvizja e komisarit nga komisariati nr. 6 për ta çuar roje në Drejtorinë e Përgjithshë dhe ja ku është konfirmimi pse tradhtia ka nisur në zyrat e Qeverisë.

FLAMUR NOKA: TAHIRI HENGRI DARKE ME ARBEN FFROKUN 

Për replikë, ministri i Brendshëm Flamur Noka akuzoi opozitën se debati është tentativë për të krijuar zhurmë dhe prishur hetimet; akuzoi opozitën se ka lidhje të ngushta me biznesmenin Arben Frroku, të akuzuarin kryesor për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj. Ai foli për një darkë, që deputeti Sajmir Tahiri, sipas Nokës, ka ngrënë me biznesmenin Arben Frroku, 16 ditë më parë, madje shtoi se kishte një sëri fotosh, të cilat do t'i publikojë më vonë, në të cilat, deputetët e opozitës takohen me të dyshuarin.

“Keni 24 orë, që inspiruat një fushatë të gjerë politike për të dëmtuar procesin e hetimit; e keni për qëllimet tuaja dhe ju i dini mirë. Kjo është foto normale dhe po të merremi me fotot tuaja, gjysma juaj duhet të lërë jo parlamentin, por gjithë Shqipërinë (Dëgjohen të bërtiturat e deputetëve të PS-së).  Meqë ju i referoheni fotos, zoti Tahiri, si sot 16 ditë më parë, ti, zotëri, tek "dy kullat", me kë ke ngrënë darkë? Nga ora 20: 30 deri në 02:30, ke qenë me të dyshuarin për vrasës të kryekomisarit, duke ngrënë darkë.  Sqaro: sa herë ke shkelur dhe ke ngrënë e pirë në lokalin e të dyshuarit për vrasje? Ke shkuar në lokal, i ke miq, ke ngrënë me ta. Pyesni kryetarin e minibashkisë nr.6 me kë është ortak. Ju po merreni me këtë çështje. Me cilësinë e ministrit të Brendshëm, kam urdhëruar të hapet hetim i gjerë për të gjitha lidhjet e të dyshuarit për vrasje. Por, shihni, se rezultojnë lidhje të tjera...Ti ke ngrënë darkë, ta provoj, dhe në sy të gjithë kombinatit ke ngrënë e pirë e nuk mund të thuash jo.  Zhurma e fotos të bërë në mars 20011 është histori e juaja politike për të shkatërruar politikën është proces hetimor që po kontrollohet në mënyrë rigoroz. E vërteta do dalë shumëshpejt. Ju e sajuat për të mbrojtur ortakun tuaj. E inskenuat këtë lojë të fëlliqur për të prishur hetimet sepse del ortaku juaj, prandaj e keni bërë. Të nderuar zotëri, shihni. I vëllai i të dyshuarit ka një parti që është në aleancë me ju, ka shkuar në Shkodër ka hapur dhe zyrat në emër të partisë tuaj. Nëse do ta trajtojmë si ngjarje që ka të bëjë me drejtësinë ok, por unë do të nxjerr dhe fotot tuaja. I kam sa një mal. Është tentativë për të krijuar zhurmë dhe prishur procesin se del ortaku juaj. Për të gjithë lidhjet e të dyshuarve për vrasje kam urdhëruar hapjen e hetimeve."

XHINDI: KJO QEVERI, NJËSH ME KRIMIN, PËRFSHIRË EDHE PRESIDENTIN

Anduel Xhindi, djali i deputetit socialist të vrarë, Fatmir Xhindi, i cili e mori fjalën në Kuvend duke nisur që nga vrasja e pazbardhur e babait të tij, përfshiu edhe Presidentin e Republikës, Nishani, si ish-ministër i Brendshëm, në atë kastë që drejton sot policinë e shtetit, që nuk ka zbardhur hetimet për vrasjet, që nuk vë drejtësi.

“Nuk ka si të ndodhë ndryshe”, - tha ai, -‘kur kërkohet të mbahet pushteti me çdo kusht. Se pushteti dhe krimi sot janë bërë një. Si mund të flitet sot për politikë gjithpërfshirëse, si mund të më bindë mua dhe familjen time, kjo qeveri, se drejtësia po funksion?!”

“Nuk ka qënë e lehtë marrja e përgjegjësisë të një zone që është përfaqësuar nga babai im, i vrarë nga një dorë vrastare”, - tha Xhindi. – “Drejtësia e mohuar dhe moszbardhja e hetimit për të gjitha rastet, kërkohet tek një person, Berisha dhe stafi i tij. Sot, kërkohet më shumë se kurrë, drejtësi për ata shpirtra që s’po i tret dheut, që kjo qeveria i vrau e vazhdon të vrasë”.

BALLA: KULIÇAJ SHFAQET KUDO KU KA TRAFIK, VRASJE, DËSHTIM OPERACIONESH TË POLICISË

Në mbyllje të seancës, e rimori fjalën deputeti Taulant Balla, i cili akuzoi Agron Kuliçin si personin, të cilit i shfaqet emri sa herë ka trafik e kontrabandë, sa herë ka vrasje, sa herë ka dështim të operacioneve të policisë.

“Si është e mundur që Kuliçajt i del emri gjithnjë në këto raste?!” – pyeti Balla.- “Berisha duhej të ishte sot këtu dhe të komunikonte largimin dhe pezullimin e këtyre personave nga detyra”, - tha ai. –“I bëj thirrje Berishës, kurse Nokës, i them kujdes me akuzat, se deputetët e PS-së janë transparentë dhe nuk bëjnë pisllëqet që bën ti”.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›