Debate për fondet, shkarkohet kryetari i këshillit bashkiak
VLORË - Mosmarrëveshjet për riorganizimin e fondeve buxhetore të Bashkisë së Vlorës kanë çuar në debate të njëpasnjëshme, deri në shkarkimin e kryetarit, përfaqësues i LSI-së, Arben Sinani. Mbledhja është zhvilluar nën drejtimin e anëtarit më të vjetër në këshill, ku janë miratuar një sërë vendimesh si dhe është votuar për kryetarin e ri. Anëtarët e majtë në këtë këshill, që përbëjnë shumicën kanë votuar përfaqësuesin e tyre, Kujtim Sulçe.
Debati nisi kur kryetari i Bashkisë, Shpëtim Gjika paraqiti në këshill projektvendimin "për riorganizim të fondeve buxhetore të Bashkisë së Vlorës në vendimin nr.55 dt 26.12.2008". Këshilltarët e PD nuk kanë qenë dakord me këtë vendim dhe pas debateve me kryebashkiakun Gjika kanë braktisur mbledhjen e këshillit. Bashkë me to mbledhjen e kanë lënë edhe kryetari i Këshillit Arben Sinani, përfaqësues i LSI.
Të djathtët e shpjegojnë revoltën e tyre me mungesën e transpranceës së projekteve të bashkisë. Në emër të grupit, këshilltarja demokrate Laureta Bejkosala tha se "nuk mund të pranojmë të miratojmë një shifër prej 260 milionë lekë për projekte që tashmë duhet të kishin nisur". Gjika e ka cilësuar bojkotin e anëtarëve të djathtë si një vendim të pastër politik me skenar të përgatitur në zyrat e PD.
Mbledhja ka vijuar nën drejtimin e këshilltarit më të vjetër, Gafur Shameti, i PDK-së, e më pas këshilltarit socialist Kujtim Sulçe. Veç miratimit të pikave të tjera të rendit të ditës, këshilltarët më pas kanë votuar edhe për largimin e kryetarit të këshillit bashkiak, Arben Sinani, nëpërmjet kërkesës së paraqitur nga 17 këshilltarët socialistë. Kërkesa për shkarkim është shpjeguar me mungesën e efektshmërisë që ka karakterizuar së fundmi Sinanin, si dhe braktisjen për të dytën herë të mbledhjes së këshillit bashkiak. Me 23 vota pro dhe një kundër është shkarkuar kryetari Arben Sinani, përfaqësues i LSI dhe po pas kësaj është votuar për kryetarin e ri, i cili është zgjedhur këshilltari socialist, Kujtim Sulçe. Këshilltarët demokratë dhe aleatët e tyre komentuan shkarkimin e kryetarit si një veprim të paligjshëm dhe arkaik, tipike për PS-në.