Numërimi i votave, PS i kërkon filmimet KQZ-së
TIRANË - PS ka kërkuar nga KQZ vënien në dispozicion të filmimeve të bëra gjatë procesit të numërimit të votave. Deputeti Ilir Beqja u shpreh se "vendosja e kamerave nuk ishte garanci shtesë për transparencë". Për 7 KZAZ, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deri më sot nuk i ka vënë në dispozicion Partisë Socialiste asnjë minutë filmimi.
Bëhet fjalë për filmime të vendnumërimit të votave në Durrës, në Elbasan, Peqin, Fier, Kukës, Laç dhe Njësinë 11 në qytetin e Tiranës.
Ndërsa për dy prej tyre Krujën dhe Beratin filmimet janë vetëm për 10 % të kohës së numërimit. Sipas tij, filmimet në qendrat e tjera që janë vënë në dispozicion janë të paqarta, pa orientime të sakta, dhe shpesh ta padeshifrueshme se për çfarë QV bëhet fjalë, duke e bërë krahasimin të pamundur.
Kjo konfirmon drejtësinë e qëndrimit të opozitës e cila mbështetet dhe në raportin përfundimtar të OSBE-ODIHR në të cilin thuhet së procesi i numërimit të votave në 1/3 e vendnumërimeve ka qenë i keq ose shumë i keq. "Zbardhja e të vërtetës së 28 qershorit është dhe do të mbetet një kusht themelor për garantimin e demokracisë në vend", përfundoi Beqja.