E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debate për parkun industrial në Porto Romano

Në Shqipëri po thellohen polemikat rreth ndërtimit të parqeve energjetike në vend.
Vendimi më i fundit i Këshillit Kombëtar të Rregullimit të Territorit të vendit për ndërtimin e një parku energjetik në Porto Romano, vetëm pak kilometra larg Portit të Durrësit, veçanërisht ndërtimi i një TEC-i, ka hasur në kundërshtime e kritika nga opozita dhe veprimtarë të ambientit.

Ide e vjetër
Ndërsa polemikat e partive politike pritet të vazhdojnë edhe më tej në të ardhmen specialistët e energjetikës dhe mjedisit po shfaqin opinionin e tyre.
Gjergji Simaku, ish-drejtues i Agjensisë së Energjisë në Shqipëri, kujton se ngritja e një parku energjetik në Porto Romano nuk është një ide e re, por që ka lindur vite më parë.
Ai vlerëson se ngritja e tij në një vend të vogël si Shqipëria do të ishte një gabim.
"Është një vendim tërësisht politik ku politika nuk qëndron qartë tek strategjitë e zhvillimit të energjitikës shqiptare, as në lidhje me mbrojtjen e mjedisit, as me vendndodhjen e TEC-eve lidhur me ndotjen që do të japin ato, por sidomos nuk qëndron qartë me lëndën djegëse," tha zoti Simaku në një intervistë për BBC-në.
"Politika ka thënë se do përdorim gazi, ose nuklear dhe politika po thotë tani që do të përdorim edhe qymyr," shtoi ai.
"Ngritja e një parku energjetik super të madh në favor të globalizmit, do të ishte një gabim i madh për një vend të vogël si Shqipëria."
Veprimtari i mjedisit Xhemal Mato, drejtues i shoqatës "Ekolëvizja", kujton se zgjidhjet e deritanishme të ndërtimit të objekteve të tilla në Shqipëri nuk kanë qenë miqësore me mjedisin.
"Kur flasim për energji, të gjithë e duam dhe duam zhvillimin dhe nëse kjo energji nuk ka asnjë impakt në jetën e banorëve dhe njëkohësisht të gjithë zonës natyrore përreth, atëherë është i mirëpritur dhe ne ku ta gjejmë një park energjetik i cili ka një ndikim shumë të vogël, por ndihmon Shqipërinë me energji," tha zoti Mato për BBC-në.
"Problemi është se zakonisht këto zgjidhje nuk kanë qenë gjithmonë në harmoni me kërkesat e mbrojtjes së mjedisit," shtoi ai.
Ai tha që veprimtarët e mjedisit e kanë kundërshtuar idenë e një TEC-i me qymyr.
"Dhe ky park po të vazhdojë me atë ide që është një park me termocentrale me qymyr, natyrisht që për ne ka një kosto shumë të lartë në mjedis, në shëndet, në det, në tokë, në bujqësinë përreth e në të gjitha," tha zoti Mato.

Standarde të paqarta
Duket se debati më i madh në këtë çështje është ngritja brenda Parkut Energjitik të Porto Romanos, të një TEC-i, veçanërisht për dyshimet se si lëndë djegëse do të përdoret qymyrguri. Specialisti i energjitikës Gjergj Simaku shpreh dyshimet e tij.
"Ne nuk kemi standarde të qarta, nuk jemi një vend puro europian që respekton standardet europiane për arsye se ne nuk i kemi këto standarde," thotë zoti Simaku për BBC-në. Ai kërkon që fjalën për ndërtimin ose jo të TEC-it ta japin specialistët.

"Të kalojë një studim fizibiliteti dhe më pas të krijohet një situatë ku në tavolinë njerëzit të kenë dhe shikojnë qartë në mënyrë që të pranojnë ose jo ato standarde që do të ofrohen," thotë ai.

Kjo ide mbështetet nga veprimtari i mjedisit Mato i cili bën thirrje për një studim tërësor në ngritjen e një TEC-i në këtë zonë, pasi, sipas tij, ndikimi i tij do të jetë mjaft i rëndësishëm.

"Porto Romano ka turizmin, në veri ka Lalzin, në jug ka Durrësin që është gjithashtu një qytet më shumë turistik, por natyrisht edhe një port i madh, i cili do të zhvillohet me transport," thotë zoti Mato.

"Bota ndërton termocentrale me qymyr, por i ndërton në mes të një shkretëtire ose një hapësire shumë të madhe që është shumë larg nga zonat urbane, ndërkohë që Porto Romano nuk është më shumë se 6 km nga qyteti i madh," shton ai. Ky është vetëm fillimi i një debati, i cili pritet të vazhdojë më tej në të ardhmen.
Gjithkush kujton debatet për ngritjen e një TEC-i në Vlorë, i cili tashmë është pranë përurimit.

Politika
Kryeministri Sali Berisha tha se është i vendosur në zbatimin e projektit, siç e quajti ai "zona më e fuqishme industriale e vendit". "Nuk kemi asnjë paragjykim për termocentralet nësa janë me qymyr apo gaz, e rëndësishme është të mos prodhojë ndotje që nuk i përmban standardi," tha zoti Berisha duke iu referuar shqetësimeve se parku do të jetë pranë një zone turistike mjaft të rëndësishme.

Partia Socialiste e opozitës e kundërshtoi ashpër këtë projekt, duke i vënë theksin më shumë kritikave për ndërtimin e një TEC-i, sipas socialistëve, me qymyr.

Deputeti socialist Blendi Klosi thotë se termocentrali do të dëmtojë ekonominë e rajonit duke ndotur ambientin.

"Sali Berisha, u riprërsëriti durrsakëve dhe të gjithë shqiptarëve se ai do ta ndërtojë TEC-in e qymyrgurit, pavarësisht se kjo mostër ekologjike, e papranueshme nga asnjë vend tjetër europian, mbyll përfundimisht rrugën e zhvillimit të asaj zone, dëmton ekonominë e një komuniteti të tërë, helmon fëmijët e pafajshëm si të demokratëve dhe të socialistëve të qarkut të Durrësit dhe bie ndesh me të gjitha standardet europiane," tha zoti Klosi



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›