E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi për Beratin, Rama: Drejtësia nën presionin e Berishës

TIRANË (UPDATE) - Një ditë pasi Kolegji Zgjedhor rrëzoi padinë e socialistëve për Beratin, lideri i opozitës Edi Rama ka deklaruar se forca që drejton do t'i kundërvihet pa asnjë rezervë dhe kompromis pushtetit të korruptuar dhe qeverisë që del nga ky korruptim.
Gjatë një konference për shtyp ai ka vënë në dukje se vendimi i djeshëm shënon edhe njëherë presionin në rritje ndaj drejtësisë.
"Dje Kolegji Zgjedhor nuk i rezistoi dot presionit të pushtetit të Sali Berishës dhe dha një vendim skandaloz, në kundërshtim të plotë me Kodin zgjedhor, që në çështjen e rinumërimit të votave, është i qartë si drita e diellit. Mjafton që 2 anëtarë të KQZ-së ta kërkojnë rinumërimin dhe kjo bëhet pa asnjë lloj kushti"- tha Rama.

Sipas tij, drejtësia e vendosur nën presionin e pushtetit, nuk dha drejtësi, por thelloi padrejtësinë ekstreme të KQZ-së ndaj Partisë Socialiste, duke e degjeneruar edhe më tej procesin zgjedhor nga njëra anë dhe nga ana tjetër duke e bërë edhe më të rëndë barrën e përgjegjësisë së opozitës.

Ai ka kujtuar se opozita mbetet përditë e më shumë e vetmja forcë dhe e vetmja shpresë e njerëzve për të rezistuar në emër të lirisë dhe të demokracisë.

"Dje pushteti mbylli përmes një padrejtësie alarmante rrugën e transparencës ligjore për procesin zgjedhor në Berat, por hapi rrugën e mosnjohjes nga ana jonë të qeverisë që del nga pushteti i korruptuar"- tha Rama. Sipas tij, Berisha grabiti përkohësisht mandatin e socialistëve në Berat, por përcaktoi edhe koston shumë të lartë politike që duhet të paguajë.
Ai ka garantuar se sot më shumë se kurrë është koha kur PS-ja është e vendosur t'i kundërvihet pushteti të korruptuar pa asnjë rezervë pa asnjë kompromis.
"PS do angazhohet për zbardhjen e krimit të 28 qershorit duke i përfaqësuar denjësisht shqiptarët që e votuan me shumicë për një politikë të re dhe për mbrojtjen e të drejtës së tyre. PS do të dalë në këtë betejë me besimin se misioni i saj është të mbrojë lirinë dhe të shpëtojë demokracinë nga pushteti i kthyer në një regjim"- theksoi ai.

****************

TIRANË 22 KORRIK - Kolegji Zgjedhor duket se ka vendosur të mos cenojë statuskuonë e vendosur më parë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, lidhur me rezultatin e zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit.


Pasi dha një ditë më parë një vendim pozitiv për kërkesën e socialistëve për qarkun e Fierit, megjithëse edhe ai nuk prekte mandatet në këtë zonë, Kolegji Zgjedhor ka vendosur dje me shumicë votash që të rrëzojë kërkesat e Partisë Socialiste dhe G99-s për rinumërimin dhe rivlerësimin e votave në një numër të konsiderueshëm QV në ZAZ-të 1, 2 dhe 3 të qarkut të Beratit, duke lënë kështu në fuqi rezultatet e miratuara nga KQZ-ja, ku PS-js merr 4 mandate, PD-ja 3 dhe LSI-ja 1.


Seanca


Kolegji Zgjedhor ka vijuar dje gjykimin e ankimimeve të subjekteve zgjedhore me kërkesën e Partisë Socialiste dhe G99-s lidhur me qarkun e Beratit.


Në parashtrimin që i bënë kërkesës së tyre avokatët socialistë kanë pretenduar se gjatë shqyrtimit të ankimimit të tyre administrativ në KQZ, shumica e këtij komisioni në kundërshtim me nenin 138 të Kodit Zgjedhor nuk ka marrë parasysh kërkesën e dy anëtarëve për të rinumëruar dhe rivlerësuar të gjitha votat në ZAZ numër 1, rivlerësimin e votave të pavlefshme në 50 kuti votimit të ZAZ numër dy, dhe rivlerësimin e votave të pavlefshme në 10 kuti të ZAZ numër 3, të zonës zgjedhore të qarkut Berat.


"Kërkojmë prej kolegjit konstatimin e pavlefshmërisë absolute të vendimit të KQZ-së për rrëzimin e kërkesës së dy anëtarëve të tij dhe rivlerësimi dhe rinumërimi i votave sipas objektit të kërkesës tonë të paraqitur më parë në këtë institucion", - u shpreh avokati i PS-së, Arjan Salati.


Duke mbrojtur këtë kërkesë, ai ka gjykuar se me forcën e kartonëve shumica e anëtarëve të KQZ-së nuk kanë zbatuar një dispozitë të rëndësishme të Kodit, siç është neni 138, i cili i jep pakicës mekanizmin për të balancuar shumicën në vendimmarrjen përsa i përket zgjedhjeve.


Ndërkohë, përfaqësuesi i G99-ës, përveçse ka mbështetur kërkesën e socialistëve, ka vënë theksin te kërkesa për rinumërim dhe rivlerësim të votave në afro 200 kuti votimi në të gjithë qarkun, duke argumentuar se forca që ai përfaqëson duke mos pasur komisionerë në KQV-të, në GNV-të dhe në KZAZ-të nuk ka pasur mundësi të ruajë votat e saj.


Por një qëndrim krejt të kundërt kanë mbajtur përfaqësuesit e palës së paditur, pra KQZ-së, të cilët kanë argumentuar para trupës gjykuese se vendimi për të mos marrë parasysh kërkesën e dy anëtarëve të këtij komisioni u mor prej tij, duke gjykuar se gjatë hetimit administrativ nuk kishte prova që të bënin të nevojshme thellimin e hetimit.


Drejtoresha juridike e KQZ-së, Deshira Pasko, ka deklaruar se kërkesa e dy anëtarëve ishte në kundërshtim edhe me vetë kodin, pasi sipas saj, në të përcaktohet zbatimi i një procedure të tillë hetimi kur bëhet fjalë për fletë të veçanta dhe jo për gjithë kutitë e një qarku.


Ndërkohë që përfaqësuesit demokratë, duke kundërshtuar kërkesat e palëve paditëse, midis të tjerave kanë hedhur dyshime se kërkesa e dy anëtarëve të KQZ-së nuk ekziston, por se bëhet fjalë vetëm për kërkesë verbale të paraqitur nga nënkryetarja e këtij komisioni, Deshira Subashi.


Për pasojë, ata theksuan se kërkesa nuk mund të merret si një kërkesë e dy anëtarëve dhe për rrjedhojë s'mund të kishte efekte.


Por kanë qenë vetë anëtarët e trupës gjykuese ata që kanë kundërshtuar një pretendim të tillë, pasi i kanë bërë të qartë se edhe vendimi i KQZ-së flet për një kërkesë të dy anëtarëve, ç'ka sipas tyre tregon ekzistencën e saj.


Vendimi


Me administrimin e provave materiale të paraqitura nga palët në këtë debat, trupa gjykuese ka ndërprerë seancën dhe është tërhequr për t'i ballafaquar ato me pretendimet e subjekteve ankimuese dhe të interesuara. Pas të paktën 3 orëve diskutime të mbyllura, kolegji ka shpallur vendimin për mospranimin e kërkesës së palëve paditëse, Partisë Socialiste dhe G99-s.


"Kolegji Zgjedhor i Gjykatës së Apelit pasi dëgjoi pretendimet e palëve dhe administroi provat, bazuar në nenin 158 të Kodit Zgjedhor vendosi të rrëzojë kërkesën e PS-së dhe të G99-s si të pambështetur në ligj", - tha kryesuesja e trupës gjykuese Dhurata Haveri, por pa dhënë asnjë nga shkaqet që e çuan këtë trupë në këtë vendim.


Tashmë pritet zbardhja e plotë e vendimit të kësaj gjykate, për të mësuar arsyet pse nuk u mor parasysh pretendimi i socialistëve për shkelje të Kodit Zgjedhor nga ana e KQZ-së për mosmarrje parasysh të kërkesës së dy anëtarëve.


Megjithatë, ajo që ka rëndësi tani është fakti se me këtë vendim nuk kanë marrë fund shpresat e PS-së për të marrë një mandat më shumë vetëm në këtë qark, por ky duket se ka vendosur tashmë një standard edhe për kërkesat e tjera që ky subjekt ka paraqitur për Tiranën dhe Shkodrën, ku pretendimet janë thuajse të njëjta

------------------------------------------------------------------------------------

Erion Braçe e cilëson skandaloz vendimin: "U mbyllën tre çështje njëherësh"


TIRANË- Vendimi i djeshëm i Kolegjit Zgjedhor pritet të nxehë edhe më tej debatin politik në vend. Kjo për vetë faktin se ky vendim ishte vënë si kusht prej Partisë Socialiste për njohjen e zgjedhjeve të 28 qershorit.


Megjithëse nuk ka ende një reagim zyrtar të kësaj force lidhur me të, anëtari i kryesisë dhe një nga drejtuesit e fushatës elektorale për qarkun e Beratit, Erion Braçe i kontaktuar nga "Shekulli" nuk ka ngurruar ta cilësojë atë si skandaloz dhe në shërbim të shkatërrimit të standardit të zgjedhjeve.


Sipas tij, vendimi i Kolegjit është i paligjshëm, pasi ky institucion ashtu si edhe KQZ-ja, nuk ka marrë parasysh të drejtën që u jep ky ligj dy anëtarëve të KQZ-së për të kërkuar në mënyrë detyruese numërimin dhe rivlerësimin e votave.


Sipas tij, Kolegji në mënyrë të hapur ka shkelur ligjin zgjedhor i cili në nenin 138 përcakton se "në rast se kërkesa për rinumërimin dhe/ose rivlerësimin e votave të caktuara bëhet nga dy anëtarë të KQZ-së, ajo është e detyruar të bëjë rinumërimin dhe/ose rivlerësimin e votave të kërkuara".


"Skandaloz, të paligjshëm dhe kontribut madhor në shkatërrimin përfundimtar të standardeve zgjedhore e për këtë shkak dhe të shkatërrimit pa kthim të zgjedhjeve", - tha Braçe.


Por ajo për të cilën ai i trembet më shumë këtij vendimi është se me anë të tij, Kolegji ka vendosur një standard, që pritet ta zbatojë edhe për kërkesat e tjera të socialistëve për qarqet e Tiranës edhe të Shkodrës, të cilat janë shoqëruar nga e njëjta problematikë.


"Natyrisht vendim jo thjesht për Beratin, por për Tiranën e Shkodrën, pasi ankesa për to është e njëjtë. Pra janë mbyllur tre çështje njëherësh", - u shpreh më tej Braçe.


Gjithashtu, ai ka evidentuar një element shumë të rëndësishëm, që pritet të ndikojë jo pak në vendimmarrjen e PS-së në lidhje me gjithë procesin zgjedhor dhe që ka të bëjë me delegjitimimin që i bëhet në këtë mënyrë mazhorancës PD-LSI dhe qeverisjes që ata do të prodhojnë. "Pas kësaj, standardi i zgjedhjeve nuk ekziston më dhe pa të nuk ka qeveri legjitime", - tha Braçe



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›