Debate te Siguria për shkarkimin e Gledis Nanos, Çuçi: Asnjë përplasje me SHBA, procedurat janë bërë sipas ligjit

Komisioni për Sigurinë Kombëtare ka nisur me debate mes opozitës dhe mazhorancës, gjatë prezantimit të projektbuxhetit “Për Buxhetin e vitit 2023”, nga Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi.
Shkarkimi i Gledis Nanos nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit është bërë sërish objekt përlasjesh me deputetëve të opozitës dhe Ministrit Çuçi. Deputeti Ferdinant Xhaferraj kërkoi shpjegime nga Ministri se përse u shkarkua Nano ndërsa Ambasadorja Yuri Kim deklaronte se ai ishte partner i fortë i SHBA-ve. Nga ana e tij Ministri Çuçi sqaroi se shkarkimi i Nanos dhe emërimi i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku është çështje administrative dhe çdo procedurë është bërë sipas ligjit. Ministri theksoi se nuk ka asnjë përplasje me SHBA për shkarkimin e Gledis Nanos.
Pjesë nga diskutimi:
Ferdinant Xhaferraj: Ambasadorja e SHBA, në një status qartësonte se Gledis Nano ishte një partner i fortë i SHBA dhe i dekoruar për arritje nga ajo ambasadë. Situata është shumë shqetësuese. Cilat ishin interesat që çuan në shkarkimin e drejtorit. Kemi detyrime të dalim nga politika partizane.
Xhemal Qefalia: Emërimi në detyrë ka kompetenca. Drejtori i përgjithshëm ka kompetenca nga kush shkarkohet. Të vazhdojmë me rendin e ditës pasi kjo i shërben dhe kohës në dispozicion.
Bledi Çuçi: Pa dashur t’ju marr kohë nga rendi i ditës, duke ju kërkuar ndjesë që patëm këtë shkëputje nga rendi i ditës, vetëm 2 sqarime shumë të thjeshta por domethënëse në lidhje për këtë çështje. Shkarkimi dhe emërimi i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit është thellësisht administrative dhe çdo procedurë është bërë sipas ligjit. E dyta, dhe më e rëndësishme, është ajo që lidhet me partneritetin tonë, me SHBA. Ju garantoj dhe jam i bindur që edhe ju e dini po kaq mirë që nuk ka asnjë përplasje me partnerin tonë strategjik në lidhje me këtë çështje. Ata kanë bërë falënderim për ish drejtorin e Policisë së Shteti që është krejtësisht normale. Më shumë falënderimi i kushtohet pjesës kur ai ka qenë drejtor i Anti-terrorit dhe siç dihet ka pasur një lidhje shumë më të ngushtë në atë pozicion. Nuk ka asnjë përplasje, madje nuk ka asnjë korrespondencë në lidhje me këtë gjë, përveç atij Twitterit publik. Nuk ka asgjë okulte sepse çdo shkak duhet të ketë dhe pasojën nëqoftëse do ketë një situatë okulte që mbështjell këto lëvizje.
/rtsh.al/