E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debatet elektorale mes partive, PD-ja shmang nismën e ambasadës amerikane

Bledar Hoti

Shkodër - Debati i parë televiziv për programet e partive politike në prag të zgjedhjeve të 23 qershorit u zhvillua në qytetin e Shkodrës

Fier - Tema e ndjeshme e korrupsionit dhe e zbatimit të ligjit do të kryhet në qytetin e Fierit. Edhe në këtë debat, PD-ja do të mungojë

Tirana - Ekonomia dhe integrimi janë dy çështjet ku do të debatohet mes PS-së dhe PD-së. Ky është i vetmi debat që demokratët marrin pjesë

Rama - Kreu i PS-së, Rama, ka ftuar publikisht Kryeministrin Berisha në debatet televizive, por ai nuk ka pranuar realizimin e përballjes

Tri debate - Ambasada amerikane ka financuar tri debatet mes partive politike për çështjet e programeve

Pesë parti - Në këto tri debate do të jenë të pranishëm përfaqësuesit e PS-së, LSI-së, AK-së, PD-së dhe FRD-së

Një përballje - PD-ja dhe PS-ja, dy forcat që synojnë të qeverisin vendin për katër vite, do të kenë vetëm një përballje në TV

Nga tri përballjet televizive mes të rinjve, demokratët marrin pjesë vetëm te çështja e integrimit

BLEDAR HOTI

Nisma e Ambasades Amerikane per debate publikeNisma e ambasadës amerikane për debatet televizive mes partive politike për zgjedhjet elektorale të 23 qershorit është pritur me rezerva nga ana e partisë në pushtet, Partisë Demokratike. Nga tri debate të parashikuara për fushatën zgjedhore mes forumeve rinore të partive politike, demokratët do të marrin pjesë vetëm te një prej tyre. Një gjë e tillë konfirmohet nga burimet zyrtare pranë ambasadës amerikane në Tiranë. Dy ditë më parë, në qytetin e Shkodrës u zhvillua debati i parë politik i sponsorizuar nga ambasada e SHBA-së. Në panelin e debatit të parë, ku ishte parashikuar të diskutohej arsimi dhe punësimi, ra në sy mungesa e përfaqësuesit të PD-së. Në këtë përballje ishin përfaqësuesit e forumeve rinore të PS-së, LSI-së dhe FRD-së. Burimet zyrtare pranë ambasadës së SHBA-së bënë të ditur se dy debatet e tjera pritet të mbahen në qytetin e Fierit dhe atë të Tiranës. Pra, të rinjtë e pesë partive politike do të marrin pjesë në tri debate politike për të diskutuar mbi punësimin dhe edukimin, zbatimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit, ekonominë dhe Bashkimin Europian. Në qytetin e Fierit do të diskutohet për luftën ndaj korrupsionit dhe zbatimin e ligjit. Mësohet se edhe në këtë debat të dytë nuk do të jenë të pranishëm përfaqësues nga Forumi Rinor i Partisë Demokratike. Në panelin e Fierit do të jenë të pranishëm përfaqësuesit e forumeve rinore të PS-së, LSI-së dhe AK-së. Vetëm në panelin e tretë pritet që PD-ja të jetë prezente, në debatin ku do të diskutohet për çështjet e integrimit dhe të ekonomisë. Këtu do të jetë përballja e vetme mes dy partive më të mëdha në vend, PD-së dhe PS-së. Demokratët janë shmangur nga pjesëmarrja në debat për temat e nxehta si korrupsioni, zbatimi i ligjit apo arsimi dhe punësimi, duke zgjedhur temën e integrimit, ku mazhoranca mund të përdorë kartën e bllokimit të procesit të integrimit me mosvotimin e tri ligjeve. Shqipëria vuan ndjeshëm nga mungesa e kulturës politike, pasi në çdo vend demokratik, thelbësorja në çdo zgjedhje janë debatet televizive mes dy forcave kryesore që pretendojnë të qeverisin vendin. Aktualisht kreu i PS-së, Edi Rama, ka ftuar publikisht rivalin e tij politik, kreun e PD-së, Sali Berisha, për të zhvilluar debate për çështje të fundit. Por Kryeministri në detyrë, Berisha, ka shmangur çdo lloj debati me kundërshtarin politik, duke theksuar se ka zgjedhur një mënyrë tjetër komunikimi me bazën në shpalosjen e programit elektoral. Kjo gjë duket se është reflektuar dukshëm dhe në debatet që ambasada amerikane me forumet rinore. Qëllimet e ambasadës në mbajtjen e këtyre debateve janë: të prezantojë në procesin zgjedhor debatin politik që ka në bazë probleme, të inkurajojë partitë politike të përqendrohen në problematika në fushatat e tyre, dhe të angazhojë qytetarët në diskutime politike mbi çështjet që lidhen me të ardhmen e Shqipërisë. Sektori i marrëdhënieve me publikun ka punuar me sektorin politik në këtë ambasadë dhe një studiues të Fulbright-it në kuadër të nismës së debateve të Vepro Tani!. Ambasada amerikane ka trajnuar të rinj të forumeve të disa partive politike, të cilët më pas, do të përballen në debate publike. Trajnimi u bë nga Christina Standerfer, profesoreshë në Universitetin e Arkansasit. Hapi i parë ishte si të përdornim të dhënat për të ndërtuar argumente të politikës reale, fokusimit tek e ardhmja dhe te zgjidhja e problemeve dhe çështjeve publike. Ne gjithashtu kemi punuar si të ndërtojmë çështje, si të përdorim argumentet dhe si t’u përgjigjemi argumenteve të të tjerëve, duke respektuar të drejtën e tyre për të pasur një opinion ndryshe. Qëllimi është informimi i qytetarëve shqiptarë, që ata më pas të mund të marrin një vendim se për kë do të votojnë, bazuar në platformat e ndryshme partiake”, deklaroi disa kohë më parë në AS TV, Standerfer. Nga këto debate të stilit alla amerikan, synohet të merret eksperienca amerikane, e cila beson se ato do të ndikojnë në zhvendosjen e politikës shqiptare larg retorikës joefektive dhe përqendrimit në tema që angazhojnë qytetarët dhe që i shërbejnë të ardhmes, në fushatën elektorale për zgjedhjet e 23 qershorit.

Debatet elektorale mes partive, PD-ja shmang nismën e ambasadës amerikane burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›