KQZ, sekretarja e përgjithshme jep dorëheqjen dy muaj para zgjedhjeve
Dorëheqja - Prej disa ditësh, sekretarja e përgjithshme, Aljona Mansaku, ka dhënë dorëheqjen nga posti. Shkaku lidhet me angazhimin në një detyrë tjetër shtetërore. Përflitet se ajo është punësuar në Ministrinë e Brendshme
Komandimi - KQZ ka komanduar Skënder Vrionin në këtë detyrë. Edhe më parë, Vrioni ka mbajtur postin e sekretarit të përgjithshëm. Ai prej vitesh ka punuar si drejtor i personelit në Komisionin Qendror
Mandatet - Ish-sekretarja u bë objekt i debateve për çështjen e ndarjes së mandateve të 140 deputetëve të Kuvendit. Ajo firmosi një shkresë ku i kërkonte Kuvendit të miratonte ndarjen e vjetër të përdorur në votimet e 2009-s
Përgatitja
Shkaku, angazhimi në një detyrë tjetër. Regjistrohet kandidati i parë i pavarur
Dy muaj - Sekretarja e KQZ-së jep dorëheqjen dy muaj përpara zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit
Katër vite - Mansaku ka mbajtur detyrën e sekretares së përgjithshme në KQZ për më se katër vite
Një i pavarur - KQZ do të shqyrtojë të enjten kërkesën e një kandidati të pavarur për Qarkun e Tiranës
104 QV - KQZ do të shqyrtojë projektvendimin për ngritjen e 104 QV në ambiente private
BLEDAR HOTI
Sekretarja e përgjithshme e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Aljona Mansaku jep dorëheqjen dy muaj përpara zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit. Një dorëheqje e beftë është dorëzuar në zyrën e kryekomisioneres, Lefterije Lleshi, e cila ka bërë të ditur se arsyeja lidhet me një angazhim tjetër në detyra shtetërore. Prej disa ditësh, KQZ-ja ka vendosur pasuesin e saj. Si përherë në të tilla raste është komanduar Skënder Vrioni në postin e sekretarit të përgjithshëm. Edhe më parë, ai ka mbajtur një post të tillë deri në zgjedhjen e një sekretari të ri sipas ligjit Të nëpunësit civil. Sekretarja e përgjithshme u bë objekt i debatit për çështjen e ndarjes së mandateve të 140 deputetëve. Ajo depozitoi një letër në Kuvend ku i kërkonte Komisionit Parlamentar të Ligjeve që, për shkak të mospranimit të ndarjes së re të miratohet varianti i përdorur në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, pavarësisht se ajo nuk përputhej me realitetin demografik. Kjo kërkesë u denoncua asaj kohe nga Partia Socialiste që e cilësoi si një shkelje të ligjit. Në seancën dëgjimore të bërë në Komisionin e Ligjeve, kryetarja e KQZ-së, Lefterije Lleshi, bëri të ditur se e kishte autorizuar vetë Mansakun për tiu drejtuar Kuvendit për marrjen e një vendimi për ndarjen e mandateve të 140 mandateve. Kërkesa e Mansakut për dorëheqje lidhej me faktin e angazhimit në një detyrë tjetër shtetërore. Ndërkohë që në ambientet e KQZ-së përflitet se ajo mund të punësohet në Ministrinë e Brendshme. Në këtë dikaster u caktua në postin e zv.ministrit dhe ishkreu i KQZ-së, Arben Ristani.
Nënshkruhet pakti me AMA-n
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nënshkroi dje marrëveshjen me Autoritetin për Mediat Audiovizive. Nënshkrimi i marrëveshjes u bë nga kryetarja e KQZ-së, Lefterije Luzi (Lleshi) dhe Kryetarja e AMA-s, Endira Bushati. Marrëveshja e miratuar dy ditë më parë me vendim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, u nënshkrua në kuadër të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë. Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është angazhimi i palëve për përcaktimin e rregullave, për shfrytëzimin e kapaciteteve njerëzore dhe teknike të Autoritetit për Mediat Audiovizive për monitorimin e fushatës zgjedhore.
Kandidati i parë i pavarur
Kur partitë janë përfshirë në ethet e përcaktimit të kandidatëve për deputetë pranë KQZ-së është paraqitur një kërkesë për kandidim të pavarur për zgjedhjet e 23 qershorit. Në mbledhjen e datës 11 prill, KQZ-ja do të shqyrtojë projektvendimin Për regjistrimin e Komitetit Nismëtar, i cili do të organizojë punën për paraqitjen e zotit Aziz Jata si kandidat i propozuar nga zgjedhësit në zonën zgjedhore Tiranë, për zgjedhjet për Kuvendin të datës 23.06.2013. Të enjten, KQZ do të shqyrtojë dhe ngritjen e QV-ve në ambiente private. Sipas relacionit të KQZ-së, nga informacionet e ardhura nga kryetarët e njësive të qeverisjes vendore rezulton se në Qarkun e Fierit, janë propozuar për tu ngritur 70 qendra votimi në ndërtesa private; në Qarkun e Vlorës janë propozuar për tu ngritur 29 qendra votimi në ndërtesa private; në Qarkun e Gjirokastrës janë propozuar për tu ngritur 5 qendra votimi në ndërtesa private. Informacioni i ardhur në këto njësi të qeverisjes vendore është përmbajtur në masë të madhe në përputhje me udhëzimin e KQZ-së. Pra në total, në këto 3 qarqe janë propozuar për tu ngritur në ndërtesa private 104 qendra votimi, nga të cilat 73 qendra votimi kanë qenë në të njëjtat objekte private, 9 qendra votimi kanë qenë në objekte private, por për këto zgjedhje është propozuar të vendosen në objekte të tjera private, ndërsa 22 qendrat e tjera propozohet të vendosen në ndërtesa private për herë të parë.
KQZ, sekretarja e përgjithshme jep dorëheqjen dy muaj para zgjedhjeve burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email