Debatet në mbledhjen e grupit të PS-së
Ruçi: Hapim mbledhjen për të diskutuar mbi qëndrimin që duhet të mbajmë lidhur me nismat më të fundit të mazhorancës. Ata kanë vendosur që të mbajnë seancë të mërkurën dhe të votojnë aty si heqjen e imunitetit të Metës, ashtu edhe dy nismat e tjera për imunitetin dhe ndryshimin e Rregullores. Në këto rrethana, të gjendur para një fakti të kryer, vlerësoj se duhet të shkojmë në Parlament dhe të japim qëndrimin tonë, kryesisht për nismën e Topallit për ndryshimin e Rregullores. Ka qenë një praktikë e vendosur tashmë që ndryshimi i Rregullores bëhet me konsensus, ndërsa ata nuk kanë pranuar që të diskutojnë fare për këtë. Ajo që është më e keqja është se këto ndryshime janë kundër opozitës dhe të drejtës së saj për t’u shprehur në Parlament. Për çështjet e tjera që janë në rend të ditës, unë mendoj se ne s’duhet të impenjohemi, pasi ato janë çështje të mazhorancës dhe t’i zgjidhë ajo.
Damian Gjiknuri: Ne duhet të shkojmë në Kuvend dhe të votojmë për çështjen e imuniteteve, sepse në këtë mënyrë u tregojmë edhe njerëzve që ne nuk jemi për ndonjë mburojë ligjore, pasi nuk kemi nevojë të mbrohemi për asgjë.
Erion Braçe: Përsa i përket imunitetit, unë nuk jam dakord që ta lë apo të ma heqin. Për sa kohë këtë ma ka dhënë Kushtetuta, nuk pranoj të hiqet imuniteti, aq më shumë me nisma të tilla antiligjore. Ne kemi treguar se kemi qene te arsyeshëm me këtë çështje, pasi sa herë që Prokuroria ka kërkuar imunitetin për deputetë të veçantë ne kemi votuar, por nuk jam dakord që kjo të bëhet në mënyrë kolektive. Organet e specializuara kanë thënë se ai është individual dhe jo kolektiv. Nga ana tjetër, duke u nisur nga zhvillimet e fundit, dua të them se kemi diskutuar disa herë për mundësinë e një nisme për shkarkimin e Jozefinës, por nuk e kemi realizuar. Me këto zhvillime mendoj se ajo e ka arritur kulmin, ndaj tashmë ka ardhur koha që ne ta bëjmë këtë gjë, duke kërkuar një komision hetimor për të gjitha shkeljet që janë bërë nga ana e saj, si për çështjet që kanë të bëjnë me mënyrën e menaxhimit financiar të këtij institucioni, ashtu edhe per vendimmarrjet e herëpashershme në kundërshtim me Rregulloren.
Arben Malaj: Çështja nuk qëndron vetëm te seanca e radhës, pasi problemi ynë lidhet me qëndrimet e vijueshme të grupit gjatë seancave. Unë e kam thënë dhe më parë, se ne duhet të ndërtojmë një strategji të qartë oponence, për shkak se ne nuk mund të ecim me qëndrime të momentit, siç kemi bërë gjatë gjithë këtyre muajve në Kuvend. Nga ana tjetër s’kemi pse bëjmë demagogji, por nëse ka nisma antikushtetuese t’i çojmë në gjykatë.
Saimir Tahiri: Duhet t’i çojmë në Gjykatën Kushtetuese të gjitha aktet që kanë cenuar parlamentarizmin, qoftë ndryshimin e rregullores, apo qoftë edhe çështje të tjera. Unë jam duke i përgatitur të gjitha ato shkelje, që janë denoncuar edhe nga ne, gjatë gjithë kësja periudhe.
Albert Çaçi: Nuk ka kuptim të votojmë për imunitetet, për sa kohë ne s’kemi votuar çështje e ligje të tjera shumë herë më të rëndësishme. Ne s’votuam për Gjykatën Administrative, ndaj është e pavend që të diskutojmë për imunitetet. S’kemi pse marrim pjesë në këtë votim.
Bashkim Fino: Nuk kemi pse të diskutojmë sot për votimin e imuniteteve. Nëse ka vullnet politik, le të ndryshohet neni në Kushtetutë dhe kjo punë merr zgjidhje dhe s’ka nevojë që të merremi me nisma që nuk e respektojnë fare atë. Nëse PD-ja është kaq e vendosur për të lënë imunitetin, pse nuk e votoi nismën tonë që paraqitëm disa vite më parë, ishte thuajse e njëjtë me deklarim për lënie imuniteti.
Ilir Gjoni: Ndoqa me vëmendje diskutimet e kolegëve, por nuk arrij të kuptoj pse ne duhet të vemi në seancë dhe të mos votojmë për imunitetin. Kjo do na bënte nder, pasi do të tregonim në sytë e publikut se edhe ne jemi kundër korupsionit.
Paulin Sterkaj: Mazhoranca e ka shpallur si prioritet të sajin luftën kundër korrupsionit. Ndaj ne s’kemi pse të preokupohemi fare për punën e imuniteteve, por le ta zgjidhë ajo si të dojë.