E Diel, 1 Nëntor 2026

Imuniteti i Metës, PS nuk do marrë pjesë në votim

SHKRUAN: Fejzi Braushi 16-02-2011 10:45

Opozita do të jetë sot në Parlament për tri çështje të rëndësishme: imunitetin e Ilir Metës, nismën e PD-së për kufizimin e imunitetit të deputetit, si dhe ndryshimin e Rregullores; por vendimin për të votuar ose jo do e marrë në sallë. Me këtë vendim ka dalë dje grupi parlamentar socialist, i cili që në orët e para të ditës së djeshme ka marrë në shqyrtim zhvillimet e fundit politike, dhe duke përcaktuar dhe qëndrimin e tij për to. Për më shumë se 90 minuta të zgjedhurit socialistë, të drejtuar nga kreu i grupit, Gramoz Ruçi, kanë rrahur të gjitha mendimet si për ndërmarrjen e një nisme për hetim parlamentar ndaj kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, ashtu edhe për të çuar në Gjykatë Kushtetuese nismat e fundit të shumicës qeverisëse, që kanë të bëjnë me imunitetin, me ndryshimin e rregullores, apo edhe masat penalizuese që ka marrë Kuvendi ndaj deputetëve socialistë.

Mbledhja

Ndryshe nga sa është bërë zakon, mbledhja e grupit parlamentar socialist është zhvilluar të martën, ndërsa në të ka rënë në sy mungesa e kreut të PS-së, Edi Rama, i cili ndodhej në një vizitë pune në Strasburg. Deputetët e majtë kanë diskutuar fillimisht për qëndrimin që duhet të mbajë grupi parlamentar ndaj vendimit të mazhorancës për të thirrur një seancë të jashtëzakonshme dhe pikave të përcaktuara në rendin e ditës së saj. E kjo çështje mësohet ka ngrënë jo pak debat, pasi nuk kanë munguar qëndrimet nga më ekstremet, si nga mospjesëmarrja fare në seancë dhe deri tek ato për të qenë të pranishëm jo vetëm fizikisht në të, por edhe duke votuar. Kështu, burime nga grupi parlamentar bënë të ditur se deputeti Arben Malaj ka kërkuar që të përcaktohet një strategji e qartë e opozitës parlamentare, nëse duhet të votohet apo jo, për të mënjanuar vendimet e momenteve të fundit. Nga ana tjetër, duket se afërsisht në të njëjtën linjë ka qenë dhe deputeti Damian Gjiknuri, i cili teksa ka kërkuar pjesëmarrje në seancë, ka theksuar nevojën që PS-ja të shprehet me votë për qëndrimin e saj për imunitetet. Nuk kanë munguar dhe qëndrime të tjera, si ai i deputetit Bashkim Fino apo Albert Çaci, të cilët kanë qenë kundër pjesëmarrjes në votim, aq më shumë kur bëhet fjalë për nisma që ata i kanë konsideruar si kundër opozitës. Në të njëjtin vlerësim ka qenë edhe kryetari i grupit, Gramoz Ruçi, i cili mësohet t’i ketë konsideruar nismën për kufizimin e imunitetit dhe atë për ndryshimin e rregullores, si nisma të kryeparlamentares Topalli kundër deputetëve të PS-së. Në përfundim grupi ka vendosur që të jetë i pranishëm në sallë, për të debatuar fort mbi nismat e mazhorancës dhe sidomos atë për ndryshimin e rregullores, por pa përcaktuar nëse do marrë pjesë në votim ose jo. Ndërsa për imunitetin e Metës dhe nismën për kufizimin e imunitetit, deputetët e majtë kanë rënë dakord që të mos tregojnë asnjë interes, për t’ia lënë shumicës zgjidhjen për to.

Nismat

Grupi parlamentar socialist nuk do të mbetet vetëm në qëndrimet deklarative, por ka vendosur që për nismat e fundit të shumicës qeverisëse të ndërmarrë hapa konkretë për t’i goditur ato në Gjykatë Kushtetuese. Ka qenë deputeti Sajmir Tahiri ai që duke qenë i bindur se nisma për kufizimin e imunitetit është antikushtetuese, mësohet se ka propozuar që ajo të bëhet gati për ta çuar në Kushtetuese. Përveç saj, ai ka propozuar që edhe ndryshimet në Rregullore në mënyrë të njëanshme si dhe çdo vendim tjetër i paligjshëm i mazhorancës të mund të çohet në Gjykatë. Propozim ky që duket se ka gjetur jo pak mbështetje nga deputetët e tjerë, pasi siç mësohet një grup juristësh po punojnë për shqyrtimin e këtyre çështjeve rast pas rasti. Ndërkohë që grupi i është kthyer edhe një herë përgjegjësisë që ka kryeparlamentarja Jozefina Topalli për gjithë gjendjen e krijuar në Kuvend dhe shkeljen e procedurave parlamentare. Ndaj, me propozim të deputetit Erion Braçe, grupi ka pranuar që të shohë mundësitë ligjore për të kërkuar në Kuvend ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për mënyrën e drejtimit dhe administrimit të Kuvendit nga Topalli.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›