Rama: Jo bojkot më 8 Maj, duam kushte për zgjedhje
Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, realizoi një vizitë në Strasburg në përpjekje për të lobuar në mbështetje të kauzës së tij opozitare. Në një intervistë për “Top Channel”, Rama deklaroi se opsioni i bojkotit të zgjedhjeve lokale nuk qëndron, por se kërkohen kushtet për të bërë zgjedhjet lokale. Rama dhe delegacioni i PS takuan përfaqësues të dy grupimeve kryesore politike në PE, PPE dhe Socialdemokratët, por dhe eurodeputetë të Grupit të Gjelbër e Liberal, si dhe raportuesin për Shqipërinë.
Zoti Rama, përse keni ardhur në Strasburg?
Takimet e mia kanë lidhje me nevojat për të bërë të qarta disa të vërteta, që dukshëm u fshihen europarlamentarëve të djathtë nga propaganda e shfrenuar e regjimit të kusarisë në Tiranë. Për t’u thënë të vërtetën, se ne gjatë gjithë pjesës së dytë të vitit të shkuar kemi luftuar ,as më shumë e as më pak sesa për të vënë në jetë rezolutën e këtij parlamenti, të votuar jo vetëm nga e majta, por edhe nga e djathta europiane. Vënia në jetë e këtij dokumenti do të kishte zgjidhur krizën e rëndë në Shqipëri. Jam këtu për të thënë të vërtetën, që ne jemi në parlament dhe do të vazhdojmë të jemi aty, për t’u ballafaquar me regjimin në hapësirën e parlamentit. Jam këtu për të thënë të vërtetën se ne asnjëherë nuk kemi folur dhe as s’kemi ndërmend për të bojkotuar zgjedhjet lokale dhe se për ne bojkoti i zgjedhjeve nuk ka qenë dhe nuk është një opsion. Padyshim ne jemi këtu për të konfirmuar të vërtetën se zgjedhjet lokale në këto kushte nuk mund të bëhen dhe se duhen krijuar kushtet për të bërë zgjedhjet lokale, duke krijuar një kuadër garancish të qarta për çdo qytetar dhe çdo palë në zgjedhje. Gjithashtu, duke krijuar një klimë ku sigurisht pushteti nuk punon për pushtetin dhe ku policia nuk i vihet në shërbim riciklimit edhe njëherë të pushtetit.
A jeni pyetur në takimet që keni pasur për faktin se i jeni shprehur zotit Lajcak për frikën se mos komisionerët tuaj kërcënohen ose blihen?
Kemi folur dhe vazhdojmë të flasim gjithë ditën për pikëpamjet tona dhe qëndrimet tona duke qenë shumë transparent për të vërtetat tona që sot janë të vërteta të një populli të tërë. Popull i cili në shumicën dërrmuese nuk është i gatshëm ta tolerojë regjimin e kusarisë dhe do të vazhdojë të demonstrojë për ato liri dhe të drejta që janë të panegociueshme sepse janë liri dhe të drejta, mbi të cilat ngrihet e gjithë kjo ngrehinë e Europës së bashkuar dhe moderne.