Miratohen 6 anëtarët e Bordit të BSH, PD e PS bashkojnë votat për 3
Kuvendi ka zgjedhur dje gjashtë anëtarët e rinj të Këshillit Drejtues të Bankës së Shqipërisë, ndërkohë që mazhoranca dhe opozita kanë gjetur më së fundi konsensusin e parë për votimin e tri kandidaturave të propozuara nga partitë politike. Ermelinda Meksi e propozuar nga Partia Socialiste, Dhori Kule i propozuar nga Partia Demokratike dhe Ela Golemi e propozuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim, kanë marrë votat e të dyja kampeve duke u miratuar me më shumë se 123 vota secili. Një gjë e rrallë kjo për Kuvendin e kësaj legjislature, çka tregon për një konsensus të arritur paraprakisht gjatë bisedimeve në Konferencën e Kryetarëve, por edhe nëpërmjet kanaleve të tjera të komunikimit mes shumicës dhe opozitës në sallën e Kuvendit. Kështu, deputetja socialiste Ermelinda Meksi pa lënë ende mandatin e të zgjedhurës nga populli për në Kuvend, nuk ka marrë pjesë në votimin e saj, megjithëse ka marrë 123 vota pro, 7 kundër dhe 2 abstenim. Ndërsa Dhori Kule, për të cilin ka votuar edhe Meksi, ka marrë më shumë vota se të gjithë anëtarët e votuar dje, plot 124 pro, 5 kundër dhe 3 abstenime. Eda Golemi e propozuar nga LSI-ja, edhe kjo pjesë e konsensusit pozitë-opozitë, ka marrë 123 vota pro, 6 kundër dhe 2 abstenime. Ndërkohë që 3 kandidaturat e tjera, ajo e Ardian Fullanit, Petraq Milos dhe Elisabeta Gjonit, të propozuara nga qeveria nuk kanë qenë pjesë e marrëveshjes së arritur mes mazhorancës dhe opozitës dhe për rrjedhojë ata kanë marrë respektivisht nga 77, 75 dhe 78 vota pro. Para se të kalonte në seancë, kandidatura e Meksit ka kaluar në komisionin e Ekonomisë, ku fillimisht kreu i këtij komisioni ka lexuar deklaratën me shkrim të paraqitur nga kandidatja, ku ajo shprehej se ishte gati të linde mandatin e deputetes në rast se do zgjidhej si anëtare e këshillit. Vetë Meksi shprehet se ajo është ofruar fillimisht në këtë kandidim për të marrë këtë detyrë në një nga institucionet e pavarura, si një hap i rëndësishëm për zhbllokimin e ngërçit mes PS-së dhe PD-së. “Mendova që duke pranuar këtë sfidë, i rrisja ofertën Partisë Socialiste në kuadrin e paktit për integrim, ku PS-ja tregoi seriozitet që në një nga pikat e saj për të propozuar tri kandidatura pranoi një, duke menduar që kapaciteti dhe cilësia i përballojnë këto kërkesa pasi ne do realizojmë atë që dëshironim nga pikëpamja cilësore. Nga ana tjetër, kjo zhbllokon një situatë politike dhe u jep rrugë hapave të mëtejshëm të kalendarit politik”, - u shpreh deputetja socialiste Meksi. Ajo sqaroi se nuk mund të lëshonte mandatin e saj si deputete në Parlamentin shqiptar paraprakisht, përpara,se të merrte votat me konsensus për detyrën e re si anëtare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë për shumë arsye. “Ligji i ri elektoral ma mundëson këtë gjë se largimi im nuk e lë vendin bosh. Kushtetuta thotë që mandati i deputetit është i papajtueshëm me Presidentin e Republikës dhe anëtarin e bordit. Kushtetuta lexohet njësoj. Edhe Presidenti i Republikës, Topi nuk e la mandatin e deputetit të PD-së përpara se të votohej si President i Republikës, madje votoi edhe për veten. Të njëjtën gjë bëri edhe deputeti Neritan Ceka”, - tha Meksi. Por në të njëjtën kohë, ajo sqaron se nuk duhet të kihen iluzione që ajo mund të bëjë të pamundurën. “Do të bëj atë që më takon sipas ligjit dhe bindjeve 1/9 dhe do respektoj ligjin e BSH-së për të ruajtur pavarësinë e institucionit”, - theksoi ajo. I vetmi në komisionin e Ekonomisë që ka shprehur rezerva për kandidaturat në përgjithësi, përfshi edhe atë të Meksit, ka qenë deputeti socialist, Andis Harasani, i cili ka ngritur shqetësimin se kështu si po veprohet, politizohen institucionet. “Unë vetë personalisht nuk ndihem komod për mënyrën sesi u veprua, qoftë për marrjen në pyetje të një figure të tillë, ashtu edhe për politizimin që po i bëhet këtij institucioni nga të dy krahët. Por zysh Ermelinda e ka votën time 24 orë pro”, - tha Harasani ndërsa ka siguruar në të njëjtën kohë për votën e tij pro.