Debati Hungari - Sllovaki per emertimin e veres Tokaj

Një debat ndërmjet Sllovakisë dhe Hungarisë për emërtimin e verës së prodhuar në një rajon në kufi është intensifikuar sërish. Prodhuesit hungarezë e verës më të fanmshme në vend “Tokaj’ kanë reaguar sërish pasi Gjykata europiane e drejtësisë ka rrëzuar kërkesën e Hungarisë për të ndaluar Sllovakinë që të përdorë të njëjtin emërtim. Vera “Tokaj, e cilësuar si mbreti i verës ose vera e mbretit nga Mbreti Luis i 16, në Francë, është prodhuar prej shekujsh në verilindje të Hungarisë. Falë vreshtave dhe klimës kjo verë është më komplekse se sa një verë e thjeshtë e ëmbël, pasi ka një balancim unik të ëmbëlsisë dhe aciditetit. Hungaria këmbëngul që Sllovakia të mos përdorë më emërtimin Tokaj, duke pretenduar se prodhuesit sllovakë nuk po prodhojnë një verë me të njëjtat standarde dhe një gjë e tillë dëmton reputacionin e Hungarisë. Beteja për verën tokaj, tashmë zhvillohet prej dekadash. Bashkimi europian i ka dhënë një status mbrojtës këtij emërtimi në vitin 1993. Pas negociatave të vitit 2004, Hungaria ka këmbëngulur se vetëm vera që vjen nga zona prej 565 hektarësh në kufi me Sllovakinë mund të mbajë të njëjtin emër. Por Sllovakia e zgjeroi këtë zonë fillimisht me 908 hektarë dhe më pas me 1474 hektarë. Hungaria nga ana e saj thotë se këto dy zona duhet të konsiderohen si rajone të pavaruara për prodhimin e verës. Por ky debat ka nxjerrë në pah tensione më të thella mes dy komuniteteve. Nga ana tjetër e kufirit sllovakët janë të lumtur për vendimin e gjykatës europiane pasi prodhuesit e verës janë të bindur se vera e tyre është po aq e mirë sa ajo hungareze, dhe për këtë arsye ka të drejtë të mbajë të njëjtin emër. Gjykata europiane pritet të marrë një vendim të ri vetëm në vitin 2014.