E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Debati për 21 janarin, përplasje mes deputetes Tabaku dhe ministres Kumbaro

Historia e dhimbshme e 21 janarit 2011, rierdhi të enjten  me nje përplasje mes deputetes demokrate Jorida Tabaku ministres së Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, ndërsa në parlament zhvillohej mocioni me debat me kryeministrin socialist Edi Rama.

Zonja Tabaku deklaroi se është  turp dhe neveri ”për këdo që përdor të vrarët dhe të vdekurit për qëllime politike”. Sipas saj sa herë që mazhoranca ka nevojë “i nxjerr ata nga varri”.

Por ka reaguar menjëherë ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro duke thënë se deputetëve demokratë duhet t’u vijë turp pasi kanë “duart me gjak”.

“Kërkoni fale për atë qeshje cinike, do presim këtu deri sa të bëhet drejtësia. Nuk jemi as prokurorë as gjykatës. Kemi votuar një reformë drejtësie dhe do presim ta bëjmë. Ju që keni duart me gjak duhet tu vijë turp” tha zonja Kumbaro.

Polemikat vijnë ndërsa çështja e vrasjes së katër protestuesve opozitarë më 21 janar 2011 para selisë së qeverisë së ish kryeministrit Berisha, duket se do të rishqyrtohet nga organet e drejtësisë së reformuar shqiptare.

Së fundi në media po qarkullon dhe një audio origjinale nga protesta ku dëgjoheshin komandat e dhëna nga ish kreu i Gardës së Republikës, Ndrea Prendi i cili ka vuajtur më  parë dënimin si përgjegjës për këtë ngjarje. Maxhoranca socialiste në atë kohë në opozitë, ka akuzuar ish kryeministrin Berisha si urdhërdhënës të asaj që ajo e ka quajtur “masakër”. Por zoti Berisha i ka quajtur ato manipulime.

/ rtsh.al /

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›